Ekscentriku, populisti dhe qytetari

16 Mars 2019, 07:59| Përditesimi: 16 Mars 2019, 08:00

  • Share

Në prill të vitit 1998, tri javë më pak se njëzet e një vite më parë, njeriu me gishtërinjtë të ngjyer me njolla boje penelash(dhe jo të pistë, sikurse me cinizëm u hakmuar në përshkrim më vonë një ish-kryetar partie në partinë Socialiste, që pati meritën të lejonte lulëzimin e demokracisë së brendshme në këtë parti) zbriti në humbëtirën tonë. Vinte nga qyteti i dritave(Parisi), por diti në pak muaj si ministër i Kulturës të sjellë dritë me bojatisjet dhe ndriçimet gati artistike të tij në ministritë dhe fasadat e ndërtesave kryesore të zymta të Tiranës.

Pakkush do ta mendonte atëhere se ky piktor ekscentrik(pak i kuptueshëm) mund të ndryshonte kryeqytetin tonë. E bëri në mandatin e tij të parë si kryetar bashkie i Tiranës në vitet 2000-2003. Gdhiu mbi projektet për kryeqytetin gati çdo ditë të mandatit të parë deri në 2 të natës. Tirana ndryshoi me një ritëm të paparë deri atëhere. U zgjeruan rrugët kryesore dhe u asfaltuan. Gjelbërimi u shumëfishua. Arqipelagu i kioskave tek parku Rinia mori fund. Të ardhurat e bashkisë kryesore të vendit u trefishuan në pak muaj. Shumëkush atëhere pyeste: a mund të kishte të ngjashëm, a mund të klonohej ky njeri dhe ritmi i punës së vet edhe në qeverinë qendrore? Në Vjenë, në vitin 2004 u vlerësua jo pa meritë kryebashkiaku i vitit për rruzullin, së bashku me kryetarin e bashkisë së Meksikos. Por viti 2004 përfaqësoi një vit kthesë për gjasat e transformimit të vrullshëm të kryeqytetit. Drejtuesi i bashkisë së tij, pasi fitoi bindshëm edhe për herë të dytë karrigen, provoi në tetor të vitit 2005 të fitonte partinë që e mbështeti si kandidat i pavarur në zgjedhjet vendore të vitit 2000 dhe si kandidat të sajin në zgjedhjet e vitit 2003. Pasioni partiak e ngërtheu të gjithin dhe Tirana mërdhifi nga radari kryesor i interesit të tij.

Puna për ndryshimin për mirë të kryeqytetit u zbeh shumë. Megjithatë, në vitet e vështira në opozitë 2011-2013, ky njeri shihej me shpresë nga shumë prej nesh se mund të bënte për gjithë Shqipërinë atë transformim rrënjësor që kishte bërë për Tiranën (të paktën në mandatin e vet të parë). Sprova e parë për Shqipërinë në vitet 2013-2017 rezultoi një zhgënjim i thekshëm. Megjithatë, piktori ekscentrik diti ta fshihte me mjeshtëri, duke nxjerre si minavënëse të çdo ideje dhe projekti e programi qeverisës për ndryshim për Shqipërinë, partinë pragmatiste të sigurimit të votave me vende pune në administratë, LSI-në, me të cilën ndau pushtetin. Për këtë iu desh një populizëm(qasje ku duket se mishëron interesat afatshkurtra të njerëzve) i skajshëm. Dhe ky populist i veshur me çitjane arriti t’ua rrokte shpresën njerëzve, madje jo pak prej nesh t’i bindte fort se bënte si reformator i vendit. Katër vitet e para me të në krye, ku edhe pse i stërkëmbur orë e çast nga partia pragmatiste, kishte boll gjëra konkrete që mund dhe duhej të bënte dhe që nuk i bëri, u harruan si me magji. Në vend të kërkimit të llogarisë, njerëzit ia dhanë votën me shpresat e forta që ngjallte populizmi i tij. Sikurse sot jo pak drejtues populistë në shumë vende të zhvilluara të Evropës kanë pushtetin. Piktori, me fushatën më të pazakontë për zgjedhje që mund të jetë bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe jo vetëm, kërkoi timonin.

Ta ketë krejtësisht për vete. Qytetarët e këtij vendi ia dhanë në qershor 2017. Së bashku me një përgjegjësi të rëndë. Që gurët e Sizifit të mbajtjes së drejtimit të kësaj karroceje me rrota shumë e pa frena fare që quhet administrata jonë publike, t’i kishte përherë mbi kurriz. Dhe i mori për t’i mbajtur. Pa u merakosur sa herë mund të rrëshqiste e rrëshqasë nga pesha e këtyre gurëve. Me një ndjenjë shpërfilljeje dhe sfide ndaj të gjithëve dhe për të gjithë, që i ka pjellë shumë mëri, madje edhe njerëz që e urrejnë. Pavarësisht se personalisht me asnjë prej tyre nuk duket se e ka. Po, për ta ka përbuzjen, sarkazmën, madje edhe talljen, sa herë ndjen se e kanë sulmuar idhët.

Këtu gabon, pse përfaqëson interesat dhe shpresat jo vetëm të atyre që e kanë votuar. Dhe këtë e harron sa herë rrëmbehet. Nuk e ka luksin të derdhë ironinë, sarkazmën dhe talljen tek të tjerët(edhe pse këta mund ta meritojnë), pse ka kulmin e pushtetit që i kanë dhënë njerëzit. Dhe majë këtij pushteti, të derdhë rrufe talljeje e përqeshjeje si të jetë Zeusi nuk i takon. As përgjegjësia e rëndë e gurëve të Sizifit nuk ia lejon! Nga kostumi prej qytetari që i kanë qepur prindërit kur e sollën në jetë dhe e rritën, është i paaftë të hakmerret dhe ndoshta edhe të urrejë. Përpos fjalëve plot ironi, helm e shpesh me një dozë të fortë denigrimi që nuk ia kursen askujt, sa herë ndjen se e drejta është me të.

Mirëpo kur e tepron me lodrën e pushtetit, me kënaqësinë që të sjell një diskutim brilant, pa parë se sa ke keqpërdorur dhe tallur kundërshtarin apo qoftë edhe qytetarin mosbesues dhe kritik, e drejta largohet prej teje. Që nga 7-8 dhjetori 2018 i shpullës së fortë të protestës studentore duket se ka vënë mësim. Na intereson që qytetari(dhe jo lojtari politik) brënda tij të triumfojë, në mënyrë që të sjellë këtë anije të batërdisur të opozitës së sotme në portin e dialogut politik. Do të jetë në gjendje të na e sjellë, ky ekscentrik, populist dhe qytetar?              

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Flutura: 16/03/2019 16:16

    O Fatos, bukur fort ia je vene ne dukje cilesite, virtytet e aftesine, por nje gje, sarkazmen e talljen e ka vetem me kundershtaret politike, qe nuk i afrohen fare nga niveli e kultura. Por kurre nuk e pranoj qe ai tallet ne qytetaret opozitare, sepse e ka thene qe ne krye te heres se ai eshte edhe i tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?