Ekskluzive/ 11 paditë e pranuara për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese për shfuqizim ligjesh dhe vendimesh  

27 Prill 2020, 16:53| Përditesimi: 27 Prill 2020, 16:54

  • Share

Që nga rinisja e veprimtarisë në dhjetor të 2019 deri javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në dhomë këshillimi pranimin për shqyrtim në seancë plenare të 11 kërkesave për rrëzime vendimesh, ligjesh dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve mes krerëve të institucioneve shtetërore. Mes kërkesave të pranuara, është edhe kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Ilir Meta për emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Rama ka kërkuar interpretimin e pikës 1 të nenit 98 të Kushtetutës, e cila parashikon që ‘ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve’. Mosmarrëveshja u krijua pasi presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, çka detyroi Ramën të emërohej vetë dhe t’i delegonte detyrën Cakajt.

Kryeministri pretendon se Kushtetuta e detyron Metën të dekretojë një ministër, ndërsa Meta pretendon të kundërtën. Gjykata Kushtuese do vendosur që të thotë fjalën e fundit për këtë mosmarrëveshje. Kushtetuesja ka vendosur që të shqyrtojë në seancë plenare edhe kërkesën e presidentit Ilir Meta për rrëzimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri. Kolegjet në Gjykatën Kushtetuese, të cilat bëjnë seleksionimin paraprak të kërkesë-padive, kanë pranuar që të kalojnë për shqyrtim në seancën plenare edhe kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve për shfuqizimin e nenit 19 të ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”. 
Neni 19 parashikon që kompanitë e ndërtimit që aplikojnë për leje me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, duhet të japin pa shpërblim të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, në favor të fondit publik të banesave sociale.

Kërkesa e tjera të pranuara janë bërë nga gjykatat për shfuqizimin e togfjalëshave të caktuar në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale. Për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur kuorumin e nevojshëm ligjor për formimin dhe funksionimin e Kolegjit seleksionues për shqyrtimin paraprak të çështjeve. Kuorumi është formuar në dhjetor të vitit 2019. Që nga dhjetori Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë që në dhomë këshillimi me dhjetëra kërkesa për shfuqizim ligjesh dhe vendimesh, ndërsa ka kaluar për shqyrtim në seancë plenare 11 kërkesa. 

Kërkesat e plota të pranuara për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese 
1.    Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkues kryeministri Edi Rama. 

2.    Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje të hyjë në fuqi, kërkues presidenti Ilir Meta. 

3.    Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të K. Pr. Penale si dhe togfjalëshit “...i së njëjtës gjykatë” parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të K. Pr. Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, si të papajtueshëm me nenet 4, 34, 116, 135 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkues Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë. 

4.    Shfuqizimin e togfjalëshit “pa marrë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë si të papajtueshëm me nenet 17/1 dhe 47 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Gjykata e Apelit Shkodër. 

5.    Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr.(79)48, datë 29.01.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës; nr. 81, datë 28.03.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër; nr. 00-2018-240, datë 12.07.2018 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, kërkues shtetasi J. S. 

6.    Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe KEDNJ-në të vendimeve nr. 3748, datë 23.10.2018 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë; nr. 80-2016-6107 (6095), datë 19.12.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Kthimi i çështjes për rigjykim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, kërkues kompania T.A.K. 

7.    Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i vendimit nr. 00-2018-217 (30), datë 13.02.2018 të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, kërkues shtetasi O. L. 

8.    Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të K. Pr. Penale si dhe togfjalëshit “...i së njëjtës gjykatë” parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të K. Pr. Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, si të papajtueshëm me nenet 4, 34, 116, 135 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkues Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë. 

9.    Shfuqizimin si të papajtueshëm me nenet 4, 34, 116, 135 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit” parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “... i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, kërkues Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë.

10.    Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale si dhe togfjalëshit “...i së njëjtës gjykatë” parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, si të papajtueshëm me nenet 4, 34, 116, 135 dhe 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkues Gjykata Rrethit Gjyqësor Tiranë. 

11.    Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 19 të ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”. Pezullimi i zbatimit të nenit 19 të ligjit nr. 22/2018 “Për Strehimin Social” deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kërkues Shoqata e Ndërtuesve. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?