TIRANË- Report Tv ka mësuar ekskluzivisht detaje të reja nga kokaina e kapura ditën e djeshme në portin e Durrësit, të fshehura në serbrator e një kamioni. Gazetari Arsen Rusta ka arritur që të mësojë se në përfundim të peshimit ka rezultuar në total janë kapur 324 kg e 400 gr kokaine, e ndarë në total në 300 pako, të cilat ishin të stampuara me logo të ndryshme të formave të njohura të shtëpive të modës, klubeve të futbollit apo imazhin e Whiskyt të famshëm brazilian,
Mësohet se 17 pako kokainë ka qenë pa logo , 24 të tjera me 'Dior', 53 me stemën PSG, 44 me logon Tigri, 14 me stemën X King Lion, 50 të tjera stemën e klubit të basketbollit Chicago Bulls, 98 të stampuara me logon Velho Barreiro, me të cilin ishte ambalazhuar sasia 400 kilogramë e kapur në Kosovë 17 majin e kaluar.
Kamioni me targa maqedonase dhe shoferi Nazif Ajrofski, tashmë i arrestuar, ndodheshin në Shqipëri prej 2 ditësh. Sa i përket itinerarit të ndjekur fillimisht u mendua se është nisur nga Belgjika për të mbërritur në Serbi dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, por burime zyrtare bëjnë me dije se kamioni ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Qafë Thanës, ku nga kontrolli në skaner rezultoi i pastër. Kjo ka rritur dyshimet e policisë se sasia e drogës mund të jetë mbushur në Shqipëri.
Kamioni aktualisht është në sekuestro policore ndërkohë që autoritetet italiane kanë marrë njoftim nga homologët shqiptarë dhe kanë ushtruar kontrolle respektive në Napoli, i cili ishte destinacioni final.