Ardian Dvorani

Ekskluzive/ Debatet e plota në KLGJ për çështjen ‘Dvorani’, 5 pyetje themelore që nuk iu përgjigj dot grupi që mbështeti Ilir Metën

24 Qershor 2020, 10:14| Përditesimi: 24 Qershor 2020, 10:22

  • Share

TIRANË- Mbledhja e Këshillit të Lartë Drejtësisë, e datës 11 qershor 2020, ku u larguar nga detyra anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, është shoqëruar me debate të forta. Dovranit i kishte mbaruar mandati që në vitin 2014. Por, Kushtetuta, në nenin 136 pika 5 parashikon shprehimisht se “gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit”. Megjithatë, relatorja e kërkesës së presidentit Ilir Meta për largimin e Dvoranit, Marçela Shehu, ka pohuar se ky parashikim kushtetues “duhet të kuptohet brenda një kohëzgjatje të arsyeshme”. Po sa është kjo kohë e arsyeshme sipas Marçela Shehut?! Kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje. Shehu nuk i është përgjigjur edhe pyetjes më të rëndësishme se, cili nga anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë e ka zëvendësuar Dvoranin! Gjithashtu, grupi i anëtarëve që mbështetën kërkesën e Ilir Metës, nuk u janë përgjigjur pyetjeve se, kur ka mbaruar mandati i Dvoranit dhe pse nuk është deklaruar përfundimi i mandatit në momentin e mbarimit, por është pritur kërkesa e Ilir Metës?! Gjatë diskutimeve nuk ka marrë as pyetja se në cilin ligj shkruhet se KLGJ ka të dejtë të shprehet se kur i mbaron mandati anëtarit të Gjykatës së Lartë. Në fund të mbledhjes që ka zgjatur 4 orë, anëtarët Brunilda Kadi, Erjon Muharremaj, Ilir Toska, Alban Toro, Fatmira Luli dhe Marçela Shehu kanë votuar për largimin e Dvoranit nga Gjykata e Lartë. Anëtarët më pas kanë vendosur me shumicë votash që Dvorani të njoftohet për të shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit. 

Debatet në KLGJ për çështjen ‘Dvorani’ 
-Marçela Shehu (relatore): Mandati i z. Dvorani ka përfunduar ligjërisht në vitin 2014. Në vlerësimin tim, në momentin e emërimit të tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, z. Dvorani i ka mbarur detyrimi kushtetues për të vijuar ushtrimin funksionit deri në pritje të pasardhësit, në respektim të nenit 136 të Kushtetutës. Tre gjyqtarët e rinj nuk zëvendësojnë z. Dvorani, por potencialisht secili prej tyre mund të zëvendësojë çdo mandat të mëparshëm. I vetmi detyrim i Këshillit në këtë rast është t’i bëjë me dije të drejtën për t’u caktuar në një pozicion në nivel apeli. Ky është propozimi im... Sipas nenit 136 të Kushtetutës gjyqtarët emërohen për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Kjo dispozitë përbën një nga faktorët që garanton pavarësinë e gjykatës. Zgjatja e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk mund të mbështetet në paragrafin pesë të nenit 136 të Kushtetutës, sepse kjo dispozitë nuk rregullon zgjatjen e mandatit të gjyqtarit pafundësisht. Për të siguruar funksionimin normal të Gjykatës së Lartë dispozita kushtetuese lejon qëndrimin në detyrë të gjyqtarit që i ka mbarur mandati deri në ardhjen e zëvendësuesit. Lidhur me pyetjen se sa kohë mund të qëndrojnë në detyrë pasi i ka mbarur mandati, kjo duhet të interpretohet lidhur me paragrafin 1 të nenit 136 të Kushtetutës. Vazhdimësia e gjyqtarit në detyrë duhet të kuptohet brenda një kohëzgjatje të arsyeshme.

-Alban Toro: Është një qëndrim në detyrë tej mandatit kushtetues, cenon parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë që duhet të karakterizojë gjyqtarin gjatë ushtrimit të detyrë. Në këë kontest, ne kemi detyrimet që ta administrojmë këtë pushtet që ai të jetë më efikas. Neni 179 të dispozitat kalimtare të Kushtetutës përcakton se anëtarët e Gjykatës së Lartë vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre sipas mandatit të mëparshëm. Anëtarët e rinj që do të zëvendësojnë anëtar që u ka mbarur mandati do të emërohet sipas dispozitave të këtij ligji. Kjo do të thotë se nëse kushtetutëbërësi do të kishte pasur si qëllim që këto anëtarët e vjetër të vazhdonin funksionin, padyshim do të fuste të njëjtën frazë siç ka përfshirë në nenin 136 pika 5 ku gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. 

-Brikena Ukperaj: Z. Toro ishte kontradiktor sepse pranon se mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë të emëruar para hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, do të vazhdonte sipas mandatit të mëparshëm dhe nga ana tjetër legjitimon qëndrimin në detyrë deri në emërimin e tre anëtarëve të rinj. Deri më sot, indirekt me vendime të ndryshime, duke filluar me komandime në Gjykatën e Lartë, me shqyrtimin e çështjeve të tjera që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë etj., kemi legjitimuar qëndrimin në detyrë të z. Dvorani. Ne kemi nënshkruar edhe një memorandum ku z. Dvorani ishte firmëtar i këtij memorandumi dhe në atë moment askush nuk e ngriti si diskutim. Anëtari që do të zëvendësonte z. Dvorani nuk ishte as i pari, as i dyti, as i treti, por do të ishte katërti që do të zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur. Neni 136 i Kushtetutës, parashikon që gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, përveç rasteve të parashikuara në nenin 139, paragrafi 3, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”. Këto pika të nenit 139 parashikojnë mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë mbaron kur jep dorëheqjen; shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 140 të Kushtetutës; vërtetohen kushtet e pazgjidhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit; vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën. Pra, mbarimi i mandatit nuk passjell mbarimin e qëndrimit në detyrë për anëtarin e Gjykatës së Lartë nëse nuk ka shkuar pasardhësi... 

-Alban Toro: Një pyetje për znj. Brikena, nëse do të ishte në detyrë Zaganjori, a do kishte çështje ‘Dvorani’? 

-Brikena Ukperaj: Për sa kohë Gjykata e Lartë nuk mund të ketë në asnjë moment më shumë se 1/5 e anëtarëve jo gjyqtarë, pra që vijnë nga juristët e spikatur, do të thotë se nëse sot Zganjori do të ishte në detyrë, Dvoranit do t’i kishte përfunduar mandati. Prandaj them se pozicioni i katërt është një mundësi që të emërohet një anëtar jo gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Pasardhësi i z. Dvorani është anëtari i katër jo gjyqtar që shkon në Gjykatën e Lartë. 

-Brunilda Kadi: Me thënë të drejtën nuk kuptova asnjë gjë nga ato që the. 

-Brikena Ukperaj: Mirë, faleminderit. Dëgjoje në ritransmetim. 

-Brunilda Kadi: A mund të marr fjalën? 

-Naureda Llagami (kryetare): E ka marrë Bruna, vazhdo. 

-Brunilda Kadi: Jo jo, ndërhyra...

-Naureda Llagami: Ti nuk pyet për leje fjale, kështu që e ke marrë, vazhdo...

-Brunilda Kadi: Duhet të sqaroj në radhë të parë se çështjen nuk është sjellë për diskutim nga Presidenti. Në fund të marsit kemi komunikuar me misionet për memorandumin dhe keni ngritur shqetësimin për legjitimimin e z. Dvorani. Kemi diskutuar që këtë çështje do ta diskutonim në Këshill para datës 17 prill. Në seancën e datës 16 prill, nga ana e kryetares a vjen një mesazh në lidhje me shkresën e Presidentit, i cili nuk i drejtohet KLGJ, por tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe KLD. Ne ishim për dijeni. Unë mendoj se në datën 13 mars, në momentin që është betuar gjyqtari i parë i Gjykatës së Lartë pra Presidentit, z. Dvoranit i ka mbaruar e drejta dhe mundësia që të qëndrojë në detyrë dhe nuk mund ta ushtrojë atë detyrë. Dvorani mendon se është detyrim kushtetues të presë pasardhësin, por puna e detyruar është e ndalur në Shqipëri. Nëse është kështu ne duhet të kishim marrë masa për gjyqtarët e tjerë që nuk e kanë përmbushur këtë detyrim kushtetues, kemi 5 gjyqtarë që na dhanë dorëheqjen....

-Erjon Muharremaj: Në gjykimin tim Adrian Dvorani ka pasur detyrimin kushtetuese për të vijuar ushtrimin e detyrës së tij në respektim të vazhdimësisë funksionale të Gjykatës së Lartë, në mënyrë që të vijonte dhënien e drejtësisë. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut thotë se ‘praktika e zgjatjes në heshtje të mandatit të gjyqtarit për një periudhë kohore të pacaktuar’, pas mbarimit të mandatit, është konsideruar shkelje e parimit ‘gjykatë e krijuar me ligj’. Prandaj, në kushtet tashmë është formuar një trup gjykues prej tre gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, vlerësoj se gjyqtari Ardian Dvorani e ka përmbushur detyrimin e tij kushtetues për të qëndruar në detyrë. 

-Ilir Toska: Në Kushtetutë, por edhe në ligjin për statusin e magjistratëve, nuk ka ndonjë dispozitë që rregullon situatën objekt diskutimi në kuptimin e organit publik që ka përgjegjësinë për zgjidhjen e situata të tilla. Por, nga ana tjetër nisur nga përgjegjësia Kushtetuese që ka KLGJ për sigurimin e pavarësisë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, mendoj se KLGJ duke qenë organi përgjegjës për statusin dhe karrierën, ka kompetencë për zgjidhjen e çdo situate që mund të lindë për karrierën e çdo gjyqtari, përfshirë edhe atë të Gjykatës së Lartë. Lidhur me këtë moment legjislacioni nuk ka ngarkuar ndonjë organ tjetër për zgjidhjen e një situate të tillë... Duke vlerësuar se qëndrimi në detyrë i z. Dvorani deri në këtë moment ka qenë i përligjur, vijimi i qëndrimit në detyrë tashmë nuk mund të justifikohet me parimin e vazhdimësisë dhe funksionalitetit të Gjykatës së Lartë. 

-Fatmira Luli: Brikena, në rastin kur ne kemi shpallur tre vendet vakante në Gjykatën e Lartë, për anëtarët juristë jo gjyqtarë, vendi i z. Dvorani përfshihej në këto tre vende të shpallura? 

--Brikena Ukperaj: Nuk e kuptoj se pse ma ngre si pyetje, kur mund të japësh konstatimet e tua në lidhje me këtë pyetje. Mandati i z. Dvorani është një mandat i përfunduar. Këtë nuk e vura në diskutim. Ne nuk kemi marrë ndonjëherë vendim se kush është pasardhësi i z. Dvorani. Sot po e diskutojmë këtë gjë. 

-Fatmira Luli: Unë gjykoj se në kemi diskutuar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, me të cilëve ka qenë edhe vendi i z. Dvorani. Për të tre vendet bosh që shpallëm, nuk ishte vendi i Zaganjorit, por ishin për gjyqtarët që vinin  jashtë gjyqësorit, mes të cilëve ishe edhe vendi i Dvoranit. Në këto kushte, edhe kandidaturat për të cilat ne votuam dhe i propozuam Presidentit, ishte pikërisht njëri nga ato i z. Dvorani, pa përcaktuar nëse ishte i pari ose i treti. Pra ne kemi votuar si Këshill për plotësimin edhe të vendit vakant të z. Dvorani. Ne nuk kemi ndonjë kompetencë, pasi kemi votuar për këtë çështje. Komisioni i Karrierës duket ta njoftojë dhe të procedojë siç ka proceduar me anëtarët e tjerë që u kishte mbarur mandati.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pjeter: 24/06/2020 13:12

    Arsyetimet qe kerkojne ti marrim per te drejta nga keta gjyqtaret,ka bere te mundur mos funksionimin e gjykates ne fjale.Per interes te kujt eshte kjo? E sigurt jo te drejtesise.Keta arsyetojne sikur jemi ne nje normal funksionim,dhe nuk e vrasin fare mendjen,qe ç'do vendim i marre mund te çoje ne konkluzione te gabuara opinionin publik,dhe besimin tek drejtesia e re ta çojne ne toke,ashtu si e vjetra.Nuk besoj se ky ishte qellimi i vendimit per te larguar Dvoranin,por rezultati aktualisht eshte ai,shume dyshime te erreta per vendimin e marre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?