EKSKLUZIVE/ Deputetja ukrainase për Report Tv: Nuk heqim dorë nga kufiri jonë, të rikthehet siç e kemi pasur! Sanksionet ndaj Rusisë duhet të jenë më të forta, Putin të izolohet nga Perëndimi (VIDEO)

27 Shkurt 2022, 15:11| Përditesimi: 27 Shkurt 2022, 21:26

  • Share

TIRANË- Ukraina nuk ka ndërmend të dorëzohet përpara ushtrisë ruse nëse nuk u rikthehen kufijtë siç kanë qenë në 2014. Deputetja ukrainase Yevheniya Kravchuk në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Report Tv, Arbër Hitaj thotë se nuk do të lëshojnë asnjë pëllëmbë të territorit dhe se pozicioni i tyre është i qartë, rikthimi i tre qyteteve, Krimesë, Donetsk dhe Luhaskut.

Prej tre ditësh, nga momenti i sulmit të parë të Rusisë ndaj Ukrainës, deputetja Kravchuk tregon se po strehohet në bunkerët nëntokësorë për shkak të bombardimeve. Ajo thotë se në të njëjtën mënyrë po strehohen edhe qytetarët. Deputetja thotë se plani i Vladimir Putin dështoi, pasi është përballur me rezistencën e ushtarëve ukrainas, ndërsa thekson se në Kiev nuk ka asnjë ushtar rus.

Ndalur në sanksionet e vendosura nga Perëndimi kundrejt Rusisë, Kravchuk thotë se duhet të vendosen sanksione më të forta, pasi përjashtimi nga SWIFT është një variant i butë. Deputetja thekson se Putin duhet të izolohet nga Perëndimi.

“Duhet të kuptojmë se Putin duhet të izolohet totalisht, Kremlini duhet të izolohet totalisht. Ai nuk mund të trajtohet si një politikan normal, pasi ka ikur tërësisht nga mendja”, thotë ajo.

Kravchuk thotë se duhet një embargo e plotë e produkteve që ata shesin, sidomos për gazin. Ndërsa thekson se duhet të ndalohen anijet ruse në porte, si edhe të ndalohen fluturimet e avionëve rusë në aeroportet e botës. Në këto momente deputetja thotë se SHBA Perëndimi dhe duhet t’i gjendet pranë Ukrainës me armë dhe municione lufte.

Intervistë e plotë për Report TV:

Si është situata në Ukrainë?

Faleminderit juve për këtë mundësi. Ukraina është në luftë. Por ne kemi mbështetjen e të gjithë botës dhe po e ndjejmë, kundër diktatorit Vladimir Putin.

Si është situata aktuale?

Unë ndodhem bashkë me persona të tjerë në bunkerët nëntokësor, për shkak të bombardimeve ruse. Jemi në alert gjatë gjithë kohës, dhe unë dhe shumë ukrainas qëndrojmë në bodrume. Kanë kaluar 3 ditë nga ndërhyrja e ushtrisë ruse dhe Putin kishte plan ta pushtonte Kievin për 1 ditë. Por plani i tij dështoi, u shkatërrua jo vetëm nga ushtria ukrainase që po lufton në mënyrë shumë të egër, por edhe nga rezistenca e njerëzve të thjeshtë, që i janë bashkuar grupeve për të mbrojtur vendin. Ne po luftojmë për vendin, për demokracinë, për fëmijët tanë, për të ardhmen. Njerëzit e thjeshtë po luftojnë me armë, me koklejte molotovi, madje disa edhe me duar, kam kundër pushtuesve rusë. Madje disa i dolën para tankeve ruse për t’i ndaluar. I gjithë kombi ukrainas po lufton. Ne na duhet ndihmë nga bota, nga perëndimi, me armë, me sanksione më të ashpra ndaj Rusisë. U hoq nga sistemi SËIFT, por besoj është një variant shumë i butë edhe ai ndaj bankës qendrore. Duhet të kuptojmë se Putin duhet të izolohet totalisht, Kremlini duhet të izolohet totalisht. Ai nuk mund të trajtohet si një politikan normal, pasi ka ikur tërësisht nga mendja.

Po përsa i përket rezistencës tuaj, ju po tregoheni shumë të fortë dhe po rezistoni?

Rezistenca është më e fortë se rusët e prisnin. Janë më shumë se 4000 mijë ushtarë rusë që janë vrarë në Ukrainë. Ky informacion ka dalë vetëm në internet në Rusi, sidomos ndaj familjarëve të tyre, të cilët nuk dinë asnjë gjë për fatin e tyre. Putin i mbyll të gjitha mediat në Rusi, nëse raportojnë se ka luftë në Ukrainë apo se kanë humbur ushtarë. Dhe shifrat janë të larta. Është e rëndësishme që t’ju flasim dhe rusëve normal, që nuk duan të jenë pjesë e kësaj luftë sepse ky është një rast që duhet të çohet në gjykatën e Hagës. Ne si shtet e kemi çuar dosjen në Hagë, pasi kjo që po ndodh është një gjenocid i vërtetë i Putin. Rusët po sulmojnë këdo, kemi sulme ndaj civilëve, madje edhe fëmijë. Sepse kanë sulmuar edhe kopshte. Vende ku jetojnë njerëzit normale. Ata po përpiqen të justifikohen, se ky është një operacion ushtarak, por me falni për shprehjen, këto janë broçkulla. E gjithë bota duhet ta dijë se çfarë është duke ndodhur këtu. Rezistenca, është me e lartë se në 2014. I gjithë vendi po Lufton, sepse nuk ka me vende të sigurta, nuk ka të ardhme pa luftë. Rusët po bombardojnë dhe sulmojnë Kievin dhe Kharkivin, që është shumë afër me kufirin me Rusinë, 40 kilometër. Por pse duan të marrin Kievin me kaq ngut, rusët e dinë se nuk mund të marrin Ukrainën pa Kievin. Ata duan të rrëzojnë qeverinë dhe të vendosin një president kukull në krye të vendit, por nuk do t’ia arrijnë. Në Kiev nuk ka trupa ruse në momentin që flasim, ata janë ndaluar nga ushtria jonë në hyrje të qytetit. Por janë disa diversantë që janë arrestuar nga policia vendase, nga shërbimet e sigurisë dhe nga qytetarët e thjeshtë.

Dhe një pyetje tjetër, nëse rrethanat e kërkojnë a do të luftoni vetë ju?

Personalisht nuk di të përdor armët, prandaj është më mirë të mos e marr një të tillë në dorë. Bashkëshorti im është duke luftuar për momentin, ndërsa arma ime është fjala. Jam duke komunikuar me parlamentare në gjithë botën dhe po përhap të vërtetën se çfarë po ndodh këtu.

Çfarë ju nevojitet nga Perëndimi?

Duhet një embargo e plotë e çdo gjëje që ata sheshin, sidomos gazit apo produkteve të tjera. Duhet të ndalojmë anijet e tyre në portet e botës, duhet të ndalojmë avionët e tyre të fluturojnë në aeroportet e botës. Dhe e shikoj se përditë e më shumë po shtohet lista e vendeve që po bllokojnë hapësirën e tyre ajrore dhe kjo duhet të vijojë. Duhet të ndalohen fluturimet edhe në Kiev sidomos, masë që vendet e NATOS e morën me Libi në 2011, me një marrëveshje. Kjo është e rëndësishme se Rusia, po përdor avionët e veçantë për të na bombarduar ne dhe civilët. Bota duhet ta ndalojë. Bombat sot ranë në një qytet që është 40 kilometra larg kufirit me Poloninë, një vend i NATO, pra Rusia po I afrohet NATO.

Kam dhe një pyetje të fundit, si besoni se do të mbaroj kjo luftë?

Si e shikoj dhe nga shpirti i rezistencës së qytetarëve, ushtrisë dhe presidentit, qëndrimi ynë është I qartë, ne nuk dorëzohemi nëse nuk rikthehen kufijtë tanë si kanë qenë para 2014, Krimea, Donets dhe Luhants. Ky është pozicioni jonë në negociata, kur të jenë.  Por kemi dhe armë, por mbi të gjitha kemi një motivim të jashtëzakonshëm nga qytetarët e Ukrainës. Ne nuk do të lëshojmë asnjë pëllëmbë të  vendit tonë.

Faleminderit shumë zonja Kravchuk.

Faleminderit juve.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?