Ekskluzive/ Gjin Gjoni rrëzon PD-në: Më propozoi të kandidoja për deputet, ja pse dhashë dorëheqjen nga drejtësia

11 Gusht 2020, 16:36| Përditesimi: 12 Gusht 2020, 00:30

  • Share

TIRANË- Jo vetëm dega e Partisë Demokratike e Lezhës, por edhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në Tiranë, ka hyrë në negociata dhe i kanë premtuar Gjin Gjonit se do ta kandidonin për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021. Ndonëse pas presionit të fortë publik dhe ndërkombëtar, Partia Demokratike tha se nuk do të kandidonte për deputetë atë që kanë dhënë dorëheqjen nga frika e Vetingut, Gjin Gjoni përgënjeshtron dhe rrëzon PD-në, duke konfirmuar bisedimet me përfaqësues të PD-së për të kandiduar për deputet. Në një kërkesë të dytë të datës 23 korrik 2020, përmbajtja e të cilës është zbardhur nga Shqiptarja.com, Gjin Gjoni i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor që ta shqyrtonte sa më parë dorëheqjen e tij të datës 20 korrik, pasi ishte propozuar si kandiduar për deputet nga drejtuesit e PD-së në Tiranë.

Kërkesa e dytë e Gjin Gjonit është lexuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga anëtarja e këtij Këshilli, Marçela Shehu, në mbledhjen e datës 30 korrik 2020. “Pranë KLGJ, në datë 20.07.2019 është depozituar një kërkesë nga gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Tiranë z. Gjin Gjoni, nëpërmjet të cilës ai ka parashtruar dorëheqjen nga statusi i magjistratit. Ndërkohë, më datë 23.07.2020, pranë Këshillit është depozituar një kërkesë tjetër nga Gjin Gjoni, nëpërmjet të cilës ai ka parashtruar se dorëheqja e tij nga statusi i magjistratit të shqyrtohet dhe të jepet me efektet e menjëhershme... Si motiv të dorëheqjes së tij, z, Gjin Gjoni ka parashtruar faktin se nga ana e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike Lezhë dhe njëkohësisht të Partisë Demokratike Tiranë, është propozuar për të qenë kandidat i mundshëm për zgjedhjet e ardhshme politike në Qarkun e Lezhës. Në këto kushte ai ka kërkuar shqyrtimin e kërkesës së dorëheqjes së parevokueshme me efekt të menjëhershëm”, është shprehur Marçela Shehu, duke iu referuar kërkesës së Gjin Gjonit.

Shqiptarja.com publikoi për herë të parë në 22 korrik 2020 lajmin rreth planeve të PD-së për të kandiduar Gjin Gjonin për deputet. Pas publikimit të lajmit, i cili tërhoqi vëmendjen e përfaqësisë diplomatike të Perëndimit në Tiranë, Partia Demokratike tha se Gjin Gjoni nuk do të pranohej si kandidat. "Në metodologjinë e hartuar të seleksionimit të kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është përcaktuar qartë si kriter përjashtues, që nuk mund të kandidohet nga PD “asnjë individ i cili është larguar nga detyra për shkak të vetingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut”, thanë burimet zyrtare në PD për Report Tv.

Po atë ditë, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim u dha një mesazh të fortë partive kryesore politike. “Paralajmërim: Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, shkroi ambasadorja në Tëitter.

Aktualisht Partia Demokratike ka ngritur një komision për vlerësimin kandidatëve për deputetë. Mbetet për t’u parë nëse ky komision do ta kualifikojë apo jo Gjin Gjonin si kandidat. Gjin Gjoni është njerëzit më të përfolur për pasuri paradoksale, vendime të skandaloze dhe shorte të dyshimta në drejtësinë shqiptare. Gjyqtari dha dorëheqjen nga drejtësia në prag të përballjes me Vetingun dhe në përfundim të lejes prindërore dyvjeçare.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 12/08/2020 02:11

    E gjitha kjo ndodh sepse sa here shteti ngre akuza ose ben arrestime,PD i shikon e i trajton si politike:arrestime politike,akuza me motive politike,te burgosur politike,megjithse kemi 30 vjet ne demokraci.Keshtu dhe Gj.Gjoni u pa nga PD-istat si i persekutuar politikisht nga qeveria e prandaj sipas kesaj logjike e Meriton te jete deputet sipas tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?