Lara Colturi ka lënë për pak momente stërvitjen në Zelandën e Re për botërorin e skive në tetor si dhe lojërat olimpike në Cortina në 2026-ën. Ka marrë rrugën e gjatë drejt Tiranës, aty ku Report Tv, 'i vjedh' pak momente nga qëndrimi i shkurtër vetëm 1 ditor në kryeqytetin shqiptar.
“Erdha në Tiranë për të marrë patentën. Më në fund ia dola dhe jam shumë e lumtur,”-shprehet fillimisht Lara.
Lara Colturi, skiatorja me origjinë italiane, që i ka dhënë ngjyrave kuqezi deri më tani rezultate të paimagjinuara në ski, tashmë zotëron edhe lejen e drejtimit shqiptare. Ky është dokumenti i dytë shqiptar pas pasaportës, që Lara 18-vjeçare shton në xhepin e saj. Në intervistën ekskluzive për Report Tv gjatë qëndrimit të shkurtër në Tiranë, Lara Colturi na tregon për rezultatet mbi pritshmëri të sezonit të kaluar. Edhe pse e nisi si minorene, Lara Colturi bëri arritje të jashtëzakonshme, duke u ngjitur 3 herë në podium.
“Sezoni i fundit ka qenë shumë zbavitës, pasi mora rezultate shumë të mira, që më të vërtetë as nuk i prisja. Kjo ndodhi edhe falë punës së madhe të ekipit tim, ndërsa tani do përpiqem të hedh disa hapa të tjerë,”-tha skiatorja e Shqipërisë.
Në shkurt, për herë të parë, Lara Colturi do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dimërore, që për të kanë një domethënie të veçantë.
“Do të thotë shumë për mua sepse mamaja ime ka qenë kampione në Lojërat Olimpike të 2002. Sigurisht që kam folur edhe me sportistet e tjera dhe njëzëri e mendojmë se është diçka speciale. Do mundohem ta konceptoj si një kupë normale botërore dhe të bëj sa më shumë qef dhe të jap më të mirën,”-u shpreh Colturi e cila për pak ditë mbush 19 vjeç.
Skiatorja tregon se për të rezultati nuk është objektivi i vetëm.
“Nuk dua të përqëndrohem vetëm tek rezultati. Më shumë dua të kënaqem duke skijuar, të jem vetvetja dhe të mos mendoj se ku do të arrij,”-tha ajo.
Për Report TV Lara rrëfen se e ndjen mbështetjen e shqiptarëve, të cilët tashmë e kanë shtuar interesin për sportin e skive.
“Më kanë mbështetur shumë shqiptarët veçanërisht në rrjetet sociale. Kam vënë re që tani sportet dimërore janë më popullore në Shqipëri dhe ndihem shumë e lumtur për këtë,”-përfundoi Colturi.
Sezoni i ri i Lara Colturit, duke përfaqësuar ngjyrat kuqezi, do të nisë më 25 tetor në Austri.
Komente
