Ekskluzive/ Kreu i Komisionit të Jashtëm Parlamentar Italian: Shqipëria gati për konferencën e parë ndërqeveritare! BE të përshpejtojë procesin, të mos lejojë influencat e tjera në Ballkan

30 Mars 2022, 21:29| Përditesimi: 30 Mars 2022, 22:42

  • Share

TIRANË- Presidenti i Komisionit të Jashtëm Parlamentar Italian, Piero Fassino në një intervistë ekskluzive në Report Tv është shprehur se Shqipëria ka bërë përparim në reforma dhe sipas tij është gati për të çelura negociatat me Bashkimin Europian. Në emisionin ‘Repolitix’, Fassino është shprehur se Italia është dakord që të thirret konferenca ndërqeveritare për hapjen e negociatave, duke thënë se ky proces është i vonuar dhe mund të ketë pasoja, duke u lënë hapësirë vendeve të tjera si Rusia, Kina të influencojnë në Ballkanin Perëndimor. Shembulli se procesi i integrimit nuk duhet të jetë i vonuar, për Fassino, është Ukraina.

Nga ana tjetër, ai ka vlerësuar Open Balkan duke e cilësuar si një projet interesant, që lejon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe të integrojë politikat e tyre, e ndërsa ka refuzuar që të komentojnë zhvillimet politike të brendshme të asaj që po ndodh aktualisht në PD.

Intervista e plotë
Denisi Minga: Presidenti Fassino përshëndetje

Fassino: Përshëndetje juve
Denisi Minga: Faleminderit që pranuat këtë intervistë

Fassino: Faleminderit juve
Denisi Minga: Po e nis këtë intervistë me procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në qershor vendi ynë pret pas shumë shtyrjesh vendimin për datën e hapjes se negociatave me BE. Sipas jush sa mundësi ka që kjo të ndodhë?

Fassino: Në radhë të parë e them shumë qartë ashtu siç ka bërë gjithmonë Italia që është e nevojshme që të thirret konferenca ndërqeveritare për hapjen e negociatave. Kanë kaluar tashmë 26 vjet nga Dejtoni kur u arrit paqja në luftën ballkanike, kanë kaluar 19 vjet nga Këshilli Europian i Selanikut, që shënoi nisjen e procesit të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, është një kohë shumë e gjatë, kanë kaluar shumë vite, dhe kjo po shkakton probleme, po shkakton frustim tek opinioni publik i vendeve ballkanike, po i hap hapësirën protagonistëve të tjerë ndërkombëtarë si Kina, Rusia, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjerë, dhe mbi të gjitha përcakton dhe një ngadalësim të reformave që vendet kandidate duhet të kryejnë për të hyrë në BE, pra të vazhdohet se duhet marrë kohe nuk po e ndihmon procesin e integrimit, përkundrazi e bën atë më të vështirë dhe më pak të besueshëm. Italia është përpjekur gjithmonë për të  përshpejtuar procesin e integrimit dhe e themi akoma më shumë sot se është e domosdoshme një përshpejtim i vendosur që të çojë brenda presidencës franceze në hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë dhe mes BE dhe Maqedonisë së Veriut, sepse kemi nevojë të japim një sinjal të qartë dhe të fortë që BE dëshiron vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen europiane, dhe kjo merr akoma më shumë rëndësi pas luftës në Ukrainë, kjo luftë po tregon se ishte nevoja për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e Europës, dhe stabiliteti e siguria e Europës garantohet nëpërmjet procesit të integrimit europian, pra unë jam tërësisht në favor të çdo gjëje që mund të përshpejtojë hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE.

Denis Minga: A jeni dhe ju me analizat e atyre qe mendojnë se situata dramatike ukrainase mund të rrëzojë rezistencën e atyre vendeve që deri tani kanë vonuar procesin e zgjerimit? Dhe në ç ‘mënyrë mund të kontribuojë Italia?

Fassino: Natyrisht unë e uroj që më në fund të bien paragjykimet dhe pengesat e nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mendoj se kriza ukrainase na tregon këtë, sidomos në kohën kur Ukraina , Moldavia Gjeorgjia kanë bërë kërkesë për të qenë kandidatë për t’u anëtarësuar, nuk shpjegohet sesi është e mundur që procesi vijon të jetë kaq i ngadaltë siç kemi parë deri tani, ka nevojë për të përshpejtuar procesin e integrimit , duke integruar vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nisur me ato vende që janë gati, dhe sigurisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për të hapur negociatat, përshpejtimi i procesit të integrimit tek vendet e Ballkanit Perëndimor do të thotë të përshpejtosh edhe procesin e vendeve që kane kërkuar të bëhen kandidatë këto javë, padyshim që vendet e Ballkanit janë në një stad më të avancuar dhe për këtë arsye duhet përshpejtuar integrimi i tyre, dhe për të çuar përpara edhe rrugëtimin e Ukrainës , Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Denis Minga: President Fassino, deri tani pengesa për konferencën e parë ka qenë veto e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut , nëse Bullgaria nuk heq dorë nga veto e saj , a duhet të ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut në këtë rrugëtim?

Fassino: Unë mendoj se duhet të fitojmë mbi rezistencën bullgare, janë të gjitha kushtet për ta bërë këtë,  BE nëse dëshiron mund të arrijë kapërcimin e kësaj veto nga Bullgaria, më duket se në muajt e fundit qeveria e re bullgare ka shtruar në tavolinë dialogun me qeverinë maqedonase për kapërcimin e kësaj vetoje dhe mendoj se duhet të punojmë në këtë drejtim , sepse një tjetër hipoteze do të nënkuptonte të krijohej një tjetër frustim shumë i madh dhe dobësi në Maqedoninë ë Veriut, duke e braktisur në fatin e vet. Ne duhet të arrijmë për Shqipërinë që është gati dhe për Maqedoninë e Veriut hapjen e negociatave. Bashkimi Europian ka të gjitha mjetet për të arritur nga Bullgaria heqjen e çdo lloj vetoje.

Denis Minga: Po nëse nuk kjo gjë, që veto bullgare nuk ndryshon, ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut a është një opsion?

Fassino: Shikoni, përsa kohë ndiqet opsioni A nuk merret në konsideratë opsioni B, sepse nëse merr në konsideratë opsionin B tashmë ke dobësuar opsionin A. Ne duhet të luftojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hapin negociatat së bashku, janë të gjithë instrumentet për ta bërë dhe Italia mbështet këtë betejë shumë fort.

Denis Minga: Presidenti Fassino ju e njihni mjaft mirë Shqipërinë, sipas jush si ka qenë deri tani kursi I reformave të qeverisë Rama dhe në vecanti reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit?

Fassino: Mendoj se me qeverinë Rama ka patur mjaft hapa përpara, në luftën kundër korrupsionit, në reformën e sistemit të drejtësisë, në zhvillimin ekonomik të vendit, në stabilitetin politik, duhet ecur para në këtë rrugëtim, duke ecur në rrugën e reformave , sa më parë Shqipëria realizon programin e reformave të kërkuara, sigurisht që më i lehtë do të jetë pastaj procesi i negociatave me BE.    

Denis Minga: Edhe diçka tjetër nga Shqipëria, ka ndodhur një zhvillim i papritur në opozitën shqiptare. Pasi kishte vendosur të tërhiqej nga politika në vitin 2013, Sali Berisha ka vendosur të rimarrë kontrollin e PD. Si e komentoni rikthimin e Berishës që për më tepër është shpallur dhe persona non-grata nga SHBA?

Fassino: Nuk ndërhyj në politikën shqiptare, nuk do të ishte e drejtë, nuk është përgjegjësia ime,  ajo që mendoj është se anëtarësimi në BE është në interesin e Shqipërisë dhe të gjitha forcat politike shqiptare duhet të mbështesin me vendosmëri këtë objektiv. Kjo është ajo që unë mendoj se duhet të them , nuk është e drejtë dhe nuk është e përshtatshme që unë të gjykoj jetën politike shqiptare.

Denis Minga: Duke folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si e komentoni iniciativën Open Balkan e mbështetur fort nga Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Vucic, por ku ka aderuar deri tani vetëm Maqedonia e Veriut dhe jo 3 vendet e tjera?

Fassino: Open Balkan është një projekt shumë interesant, që unë e vlerësoj shumë , sepse është një projekt që lejon forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit dhe të integrojë politikat e tyre. Dhe natyrisht ky projekt që nis nga tre vende do të jetë shumë më efikas kur të zgjerohet edhe me vende të tjera të rajonit.  Është një fillim I rëndësishëm, siç është e rëndësishme heqja e kufijve mes këtyre vendeve nga 1 janari I 2023. Duhet ecur në këtë rrugë, natyrisht për të ecur përpara në këtë rrugë duhet që të gjitha vendet të ndërmarrin qëndrime koherente në raport me procesin e integrimit rajonal dhe ajo në raport me procesin e integrimit europian.

Denis Minga: President ju keni qenë në fakt promotor i Komisionit trilateral mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, sa të rëndësishme janë marrëdhëniet Shqipëri-Serbi për Ballkanin?

Fassino: Janë shumë të rëndësishme, unë mendoj se ishte një akt i ndritur politik vendimi i Ramës disa vite më parë për të vizituar Beogradin, për herë të parë një Kryeministër shqiptar kryente një vizitë në Serbi, është e rëndësishme që ka filluar një bashkëpunim mes Serbisë dhe Shqipërisë, sepse kjo mund të lehtësojë dhe negociatat që po kryhen mes Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre për të kapërcyer të gjitha plagët e historisë dhe të së kaluarës.  

Denis Minga: Nëse Bashkimi Europian vonon sërish procesin e integrimit dhe të zgjerimit , ju mendoni se Ballkani Perëndimor është I kërcënuar seriozisht nga fuqi të tjera si Rusia dhe Kina?

Fassino: Ky është një realitet tashmë, Kina është tashmë e pranishme në Ballkan, Rusia është e pranishme në Ballkan , Turqia është e pranishme në Ballkan, Emiratet Arabe janë të pranishme në Ballkan , pra sa më shumë Europa ngadalëson aq më shumë u ofron hapësirë aktorëve të tjerë. Për këtë them që Europa duhet të përshpejtojë hapin, nuk është e mundur më, që të vazhdojmë me këtë hap kaq të ngadaltë, përsëris kanë kaluar tashmë gati 30 vite nga Deitoni, kanë kaluar gati 20 vite nga Selaniku, duhet vendosur. Unë mbaj mend se zgjerimi I vendeve të Europës Qendrore, Polonia, Cekia,Sllovakia, Hungaria , vendet balltike, ne e realizuam në 15 vite, 15 vite pas rënies së murit të Berlinit. Për Ballkanin Perëndimor po angazhojmë dyfishin e kohës, është një kohë shumë e gjatë, që po frustron pritshmëritë dhe besimin e vendeve të Ballkanit tek Europa , hap hapësirën për praninë e aktorëve të tjerë dhe gjithashtu ngadalëson dhe procesin e reformave që duhet të kryejnë vendet kandidate. Pra nuk ka asnjë avantazh nga të marrit kohë, duhet përshpejtuar hapi dhe Italia e mbështet me shumë vendosmëri.  

Denis Minga: Dhe sipas jush pas luftës në Ukrainë do të ndryshojë ky hap i Bashkimit Europian?

Fassino : Ashtu uroj, uroj që BE të ndërgjegjësohet, lufta në Ukrainë duhet të kërkojë që Europa të forcojë integrimin e saj, kemi nevojë për një Europë më të bashkuar , më kohezive, që të jetë në gjendje për të patur një politikë të jashtme të dukshme dhe të fortë, të ketë një politikë sigurie, një politikë ekonomike shumë të integruar, pra në këtë drejtim është esenciale integrimi I Ballkanit Perëndimor, sepse kjo forcon BE dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë e rajonit.

Denis Minga: z. President , lufta në Ukrainë na tregoi se bota mund të kthehet shumë shpejt në një vend të pasigurt. Sipas jush si po reagon Perëndimi ndaj agresionit rus në Ukrainë?

Fassino: Unë mendoj se Perëndimi bëri mirë kur reagoi hapur dhe me vendosmëri kundër agresionit rus, sepse ky agresion nuk ka asnjë justifikim , asnjë arsye. Ukraina nuk e ka kërcënuar kurrë Rusinë, Bashkimi Europian nuk e ka kërcënuar kurrë Rusinë, aq më tepër kur BE është kthyer në partnerin e parë tregtar të Rusisë. Edhe SHBA nuk e ka kërcënuar kurrë Rusinë sepse konsiderojnë problemin e tyre të parë Kinën, dhe as NATO nuk e ka kërcënuar kurrë Rusinë. Unë mbaj mend që prej 15 vitesh ekziston një këshill bashkëpunimi Rusi- NATO, është vendi ku NATO dhe Rusia diskutojnë tema të interesit reciprok dhe të sigurisë. Pra ky pushtim nuk ka asnjë justifikim, siç nuk ka asnjë justifikim pretendimi I Putin për të nënshtruar vendet në kufi me Rusinë  si Ukraina , Moldavia, Gjeorgjia, në një formë protektorati, në një formë të limitimit të sovranitetit të këtyre vendeve. Çdo vend duhet të jetë I lirë dhe i pavarur në sovranitetin e vet dhe duhet respektuar në pavarësinë dhe sovranitetin e vet. Për këtë gjë Perëndimi bëri mirë që reagoi, kemi reaguar me sanksionet ekonomike, kemi reaguar me ndihmën humanitare, dhe kemi reaguar duke furnizuar Ukrainën edhe me armë për tu mbrojtur, jo për të bërë luftë me Rusinë por për tu mbrojtur nga agresioni rus.

Denis Minga: Në këto orë Italia është e impenjuar në një debat të brendshëm që prek shumë vende të Unionit por që në perspektivë mund të prekë dhe Shqipërinë. Është e drejtë sipas jush të alokohen burime të reja dhe të mëdha financiare të vendit për të rritur nivelin e armatimeve?

Fassino: Është e drejtë të shpenzosh më shumë për të krijuar një sistem mbrojtje europiane, sot nuk ka një sistem të mbrojtjes europiane,  sot mbrotja dhe siguria e Europës i është besuar ekskluzivisht NATO-s, kostot e të cilave sot mbulohen në nivelin 80 % nga SHBA. Nëse Europa dëshiron të ketë zë me politikën e jashtme të fortë dhe të bashkuar , ka nevojë edhe për politikë të sigurisë, jo si alternativë e NATO-s, komplementare me NATO-n por duke pasur një sistem të vetin të sigurisë. Nëse do të kesh një sistem sigurie duhet të vendosësh për të alokuar burimet financiare të nevojshme. Nuk bëhet fjalë për t’u armatosur për ti hapur luftë dikujt, bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem sigurie europiane dhe të gjitha vendet europiane përfshirë dhe Italinë duhet të konkurrojnë duke alokuar burimet e nevojshme financiare.

Denisi: Si do të përfundojë lufta në Ukrainë dhe si do të ndryshojë Europa pas kësaj lufte?

Denis Minga: Kjo luftë mbyll një cikël të gjatë të jetës politike të Europës dhe botës. Ky cikël që filloi me rënien e murit të Berlinit 30 vite më parë dhe që ka arritur deri në ditët tona. Duhet të rimendojmë ekuilibrat gjeostrategjikë, gjeopolitikë. Tani në këto ditë ne jemi të gjithë të impenjuar në përpjekjet për të ndaluar armët, hapjen e rrugës për negociata dhe ti japim fund kësaj lufte, por në të nesërmen e kësaj lufte duhen rivizatuar ekulibrat gjeopolitikë, gjeostrategjikë të botës dhe Europës, dhe është për këtë që Europa duhet të bëjë një hap përpara në shkallën e vet të unitetit, kohezionit, integrimit. Nëse Bashkimi Europian dëshiron të ketë zë, mund ta ketë vetëm nëse është një subjekt I integruar që flet më një zë të vetëm , vepron më një dorë të vetme, dhe nuk është thjesht shuma aritmetike e të gjitha politikave kombëtare europiane. Ky është hapi cilësor që duhet ndërmarrë.

Denis Minga: President Fassino faleminderit shumë për këtë intervistë.

Fassino: Faleminderit juve, shpresoj vërtet që kjo të forcojë akoma edhe më tepër lidhjet e miqësisë dhe mbështetjes së plotë të Italisë ndaj Shqipërisë

Denis Minga: Faleminderit!

 

Intervista e plotë 

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • open: 30/03/2022 21:52

    po jo mer rrijme ne proçes per futje edhe ja 50 vjet te tjera.

    Përgjigju
    • True: 31/03/2022 00:14

      ????

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?