Shkëmbimet tregtare me Gjermaninë, dhe sidomos eksporti kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë dhjetëmujorit, duke zënë 6.5 % të totalit të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Nga të dhënat zyrtare të INSTAT rezulton se eksportet drejt Gjermanisë shënuan rritje me 74.4 % përkundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës. Në vlerë ato arritën në 28.4 miliardë lekë, nga 16.2 miliardë lekë që llogariteshin në 10-mujorin e 2021-shit. Por ndërkohë që me Gjermaninë eksportet shënuan rritje, me Kosovën janë ulur ndjeshëm, në nivelin 40%.
Sipas INSTAT në periudhën janar-tetor 2022 u eksportuan në Kosovë 577 mijë tonë mallra nga 964 mijë në të njëjtën periudhe të vitit 2020. Për rrjedhojë eksportet drejt Kosovës zunë 18 për qind të totalit të eksporteve shqiptare në 10 mujor, nga 28% që ishin një vit më parë. Shkak për këtë rënie është bërë kryesisht hekuri dhe nafta. Hapja e shërbimeve ekskluzive për Kosovën në Portin e Durrësit ka bërë që kompanitë kosovare të furnizohen direkt me naftë, çimento dhe hekur. Më parë këto furnizime kryheshin nga kompanitë shqiptare të prodhimit të hekurit dhe çimentos
Ndërkohë gjatë muajit tetor eksportet kanë rritur volumin e tyre në vlerën 12.5%, ku vendet e Bashkimit Evropiane zënë pjesën kryesore të shkëmbimeve tregtare. Në raportin e INSTAT, thuhet se në tetor 2022 eksportet arritën vlerën e 38 miliardë lekëve, 12.5% më shumë në krahasim me tetorin 2021. Rritje pësuan edhe Importet, duke kapur vlerën 83 miliardë lekë, 8.6% më shumë se një vit më parë.
Sipas INSTAT-it, shkëmbimet më të mëdha tregtare vendi ynë i ka me Bashkimin Evropian, që përbëjnë rreth 60.2% të tregtisë së jashtme, ku Italia zë vendin e parë me 55% të eksporteve dhe 38% të importeve. Në total, në periudhën janar-tetor të këtij viti shkëmbimet tregtare të vendit arritën në vlerën 77.2 miliardë lekë. Në rritjen e eksporteve, kontribuesit më të mëdhenj ishin grupi “tekstile dhe këpucë”, pasuar nga grupi “materiale ndërtimi dhe metale”.
Edhe sa u takon importeve, në dhjetë muajt e fundit, sërish tregu i BE është në vend të parë. Importet nga Gjermania shënuan rritje kundrejt të njëjtës periudhë të 2021-ës duke arritur në 48.6 miliardë lekë, nga 45.4 miliardë lekë që ishin në 2021-shin.
Gjatë tetorit 2022, kanë pësuar rritje importet ku volumin më të madh e zënë importet nga Spanja me 53.2%, Turqia, 24.7% dhe Kina, 28%, më shumë se një vit më parë. Ndërsa vendet më të cilat ka patur ulje të importeve janë SHBA, Rusia e Zvicra. Në import, vendin e parë e kanë lëndët Minerale, Lëndët djegëse…etj.