Gjasat që në fund-vjeshtë apo pranverën e ardhshme të kemi zgjedhje të parakohshme, janë mëse të dukshme. Jo sepse u tha në Real Story një muaj më parë, por sepse përditë e më shumë ky skenar po merr rrjedhë thuajse të pakthyeshëme. Dhe mbledhja e pardjeshme e Ansamblesë së PS ku u shkarkua tërë sekrretariati I Partisë Socialiste, paralmëron nevojën e Ramës për tu përgatitur për përballje elektorale me një ekip partiak të ri. Në pritje të mbledhjeve të qeverisë, me gjasë edhe me një qeveri të re por me të njëjtin Kryeministër të paktën deri tani, shanset shtohen për një reshuffle thuajse total të Partisë Socialiste. Por cilat janë arsyet pse Rama duket se po ecën në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme pa ndonjë shkak normal, pikërisht pasi dy muaj e gjysëm më parë fitoi në përmasat e 2017?
Arsyeja kryesore duket prag-kaosi që pritet të shkaktojë në parlament e më gjerë në politikën shqiptare “kryengritja e SPAK”. Pas tre dekadash amullie dhe amnezie të sistemit të drejtësisë, duket se krijesa e SHBA-BE po tenton me forcë të vonuar të vendosë rregullin e ligjit në nivelet më të larta politike dhe institucionale. Gati një dyzinë zyrtarësh të lartë të majtë tashmë janë ose të dënuar ose të ndaluar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa lista e pritjes është e gjatë si në mazhorancë por edhe në opozitë. Me mëndje të ftohtë dy politikanë të nivelit më të lartë si Ahmetaj dhe Tahiri janë të stigmatizuar ligjërisht. E shkarkimi i Gjiknurit pasi po hetohet po nga SPAK, duket se konfirmon “litarin e lënë jashtë” nga kolegët e tij. Ashtu si ndonjë ish-ministër apo ish-ministre që janë marrë më shumë se një herë në pyetje nga prokurorët, po presin me ankth thirrjen si të pandehur. Pra lista po zgjatet ca si shumë po të mos harrojmë edhe personazhe opozitarë që hetohen prej kohësh. Por Rama llogaritë nuk I ka me opozitën që përpara se të marrë dënime penale, është vetë dënuar elektoralisht me burgim elektoral të përjetshëm.
Dukshëm për sa mund të gjykojmë në këtë moment, Rama nuk synon zgjedhje për të mundur kundërshtarët opozitarë që I rrezikojnë pushtetin. Jo! Në opozitë s’lëviz asgjë në drejtim të rritjes së saj. Më keq akoma zvogëlohen përmes marrëzive me forume fallso, vula që I mban gjykata, e njerëz që lëvizin kuturu nga Basha tek Berisha e anasjelltas si Bardhi & co. Rama thjeshtë duhet të menaxhojë kostot e kundërshtarit të vetëm që ka përballë: SPAK! Ose e thënë troc, korrupsionin e rëndë qeveritar për të cilin nga ndërkombëtarët e deri tek bariu I fundit në malet e Shqipërisë , janë të gjithë të ndërgjegjshëm se ka bërë kërdinë si karkalecët në ara.
Por a e ka Rama kaq të shtruar rrugën nga sot deri në zgjedhjet e mundshme? Ka tre të panjohura me të cilat duhet të përballet deri në rilegjitimin e tij dhe të PS. E para ka të bëjë me largimin e përgjegjësive nga vetja. Sado i sigurt të duket ligjërisht, Kryeminsitri ndjen edhe “lagështirë” nga mërmëritjet e Ahmetajt dhe cerek ironia e djeshme e Gjiknurit. Nëse ndodnjë zyrtar nën hetim do të përfshijë kryeministrin në cështjet për të cilat dyshohen për korrupsion, krijihen vështirësi të mëdha. E natyrisht një Kryeministër që cuditërisht nuk di asgjë se c’bëjnë ata poshtë tij, nuk mund të qëndrojë në lojë përvecse duke u konfirmuar me votë në popull. Së dyti, nga drejtuesit politikë më të cilët fitoi pushtetin në 2013, pothuaj nuk i ka mbetur në krah pothuaj asnjëri prej tyre. C’ka do të thotë se mazhoranca po delegjitimohet dhe pavarësisht solidaritetit të njohur socialist, rreziku I bjerrjes elektoarale është tek dera. Ndaj ekipi I ri duhet votuar dhe jo thjeshtë emëruar sic ndodh rëndom nga 2008 e këtej. Së treti, PS nuk mund të prodhojë politikanë pa fund, ndaj përgjegjësia I duhet lënë votuesve. Por ashtu si papritur, me shumë gjasa aleatët e tij po përzihen nga partnerët ndërkombëtare në raporte shërbimesh inteligjente që përhapin dhe pararendin perceptime të cilat më pas mund të shndërrohen edhe ne goditje ligjore. Ose thjeshtë turbullojnë vetë aleancën, c’ka mund të prodhojë kosto elektorale për mazhorancën. Ndarje të parakohshme që do ndikojnë zgjedhjet e parakohshme.
Rënia e fituesve të 2013 në këto rrethana, kërkon ngritjen e disa të tjerëve për vazhdimin e qeverisjes dhe mbi të gjitha përballjet elektorale. Djemtë dhe vajzat e stilt të bashkisë Tiranë po digjen si figura ende pa u ndezur. Rasti I Krifcës është elokuent. Politika nuk bën për burokratët! Dymbëdhjetë qarqet kërkojnë drejtues politikë, ndërsa qeveria ministra që mbajnë përgjegjësi para Kushtetutës e ligjit. E mbi të gjitha politikanë që kanë këllqe për të reformuar e administruar. Në këtë konsekst laku po ngushtohet e Rama është gjithnjë e më i vetëm. Prej kohësh po bën edhe Kryeministrin edhe ministrat edhe kryetarët e bashkive. Kjo ka një kosto, pra përbën një të panjohur. Të madhe sa shkuarja në zgjedhje pa një krizë parlamentare.
Por në mënyrë paradoksale trë “të panjohurat” e mësipërme nuk e bëjnë ekuacionin të pazgjidhshëm. Pasi rezultati I zgedhjeve dihet. Ato I humb opozita që vegjeton mes tre grupimeve dhe asnjë zgjidhjeje të krizës së saj. Zgjedhje të parakohshme pa përplasje numrash në parlament mes mazhorancës dhe opozitës apo protesta masive në rrugë ,vetëm në Shqipërinë e Rilindjes e PD-së së catrafillosur ndodhin. Dhe askush në opozitë mos të gëzohet për raportet e fundit amerikane që nxijnë qevrisjen, pasi nuk janë as të parat e as të fundit, pasi vetë opozita I ka shbërë me mediokritetin e saj epik.
E megjithatë “dardhët e ngrëna pas kurrizit të Ramës” mund të kenë edhe bisht. Kjo turbulencë në mazhorancë që prodhon paradoksalisht fitore në zgjedhje të parakohshme mund të krijojë dhe rivalë brënda PS. Vërtetë Rama ngjan fuqiplotë në Partinë Socialiste, por ambicia njerëzore është e paparashikueshme. Dhe pas perdes së pushtetit të Ramës po luhen dhe lojra pushteti të dukshme dhe të padukshme. Ata që janë rritur nën hijen e Ramës mund të mendojnë se janë zgjatur mbi kokën e tij. Këtë do e tregojnë muajt në vazhdim. Pushteti prodhon më shumë pushtet, e ambiciet në rritje janë njerëzore. Nëse tre të panjohurat me ekuacion të zgjidhur shndërrohen në katër, atëherë vërtetë ekuacioni mund të mos zgjidhet sic duket deri më tani, pra me një qëndrim të Ramës në krye të qeverisjes. Rama këtë e nuhat si lojtar I vjetër politik, ndaj më mirë të shkojë në zgjedhje sesa të rrezikojë të mbytet në kënetën që e ka mbushur vetë më ujë të ndenjur. Mbase zgjedhjet e thajnë e ai e PS ja dalin të mbijetojnë, por ku I dihet. Edhe Perikliu hyri në luftë me Spartën “me fitoren” në xhep, por fjalimi I tij para athinasve pas humbjes, do mbahet mend në historinë e politikës si dështimi i llogaritjeve të arsyes përballe të panjohurave që prodhon vetë natyra njerëzore.