Një sipërfaqe toke që Bujar Nasufi u shiti fqinjëve të tij, familjes Xhani në Selitë, mjaftoi që disa vite më vonë të hapë një konflikt që u mbyll vetëm me vrasjen e tij mbrëmjen e 12 janarit, teksa po hynte me makinë bashkë me bashkëshorten në oborrin e shtëpisë.
Policia e Tiranës, 8 muaj më vonë, mundi të zbardhë shkakun e eliminimit të 56-vjeçarit dhe të identifikojë porositësit e atentatit, të cilët janë vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani.
Truallit që Bujar Nasufi i shiti familjes Xhani, edhe pse pagesat ishin kryer, nuk i ishte kthyer pronësia dhe figuronte sërish në emër të 56-vjeçarit. E njëjta tokë prekej nga projekti i Unazës së Madhe, çfarë çoi në dëmshpërblim të pronarëve. Megjithatë, shteti paratë në vlerë rreth 30 mijë euro i kaloi në emër të Bujar Nasufit, pasi ai figuronte në dokumente. Por 56-vjeçari, pasi mori paratë, nuk ua dha familjes Xhani, duke krijuar një konflikt për disa vite.
Duke mos e kapërdirë situatën, vëllezërit Voltan e Jugert Xhani porositën një vrasës me pagesë për eliminimin e tij. Report Tv siguroi një foto të autorit, i cili me skafandër, erdhi dhe u largua me motoçikletë si shpërndarës picash, nga vendi i ngjarjes. Ai qëlloi disa herë me armë zjarri dhe më pas dogji mjetin dhe armën e krimit, që u gjetën më vonë nga policia. Hetuesit vijojnë punën për të zbuluar identitetin e plotë tij, përtej disa dyshimeve që pritet të konfirmohen shkencërisht.
Ndërkohë, vëllezërit Xhani nuk janë të panjohur për autoritetet. Vetëm pak muaj më parë, ata u arrestuan nga forcat RENEA në një operacion të zhvilluar në një restorant në Gjirin e Lalzit, nën shoqërinë e personazheve të botës së krimit. Përveç porosisë së dyshuar për vrasjen e Nasufit, ata janë në akuzë edhe për përfshirje në ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, në gusht 2024, arsye për të cilën u prangosën, në një rast duke ngrënë krudo nën shoqërinë e personazheve të tjerë të krimit.
Komente
