Elbasan, shuhet zjarri në pikën e grumbullimit të skrapit, prokuroria nis hetimet ndaj firmës ‘Kurum’ për ndotje të mjedisit

7 Nëntor 2023, 08:37| Përditesimi: 7 Nëntor 2023, 15:46

  • Share

ELBASAN- Pas rreth 20 orësh, është shuar zjarri në pikën e grumbullimit të skrapit në fabrikën “Kurum”. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report TV tymi përhapet në përmasa alarmante duke shkaktuar një ndotje katastrofike në të gjithë qytetin, por edhe zonën përreth për të dytën ditë.

Zjarri mendohet se u shkaktua nga një bateri makinash dhe më pas u përhap me shpejtësi në grumbullimin e madh të hekurishteve.

Prokuroria dhe policia e Elbasanit kanë njoftuar nisjen e hetimeve ndaj kompanisë 'Kurum' për ndotje të mjedisit. Ndërsa bashkia e Elbasanit, ka bërë thirrje për zbardhjen e ngjarjes dhe të personave përgjegjës për ndotjen masive të shkaktuar në qytet. 

Zjarri me përmasa të mëdha që përfshiu pikën e grumbullimit të skrapit në ish-Metalurgjikun e Elbasanit ditën e djeshme (6 nëntor) ra në ambientet e jashtme të fabrikës së “Kurum” dhe fatmirësisht nuk pati të lënduar. Blutë, zjarrfikësja dhe punëtorët e kompanisë “Kurum” punuan për zhvendosjen e mbetjeve dhe izolimin e flakëve deri në shuarjen e tyre mesditën e sotme. 

Ora 15:02
Ndotja masive nga shtëllungat e tymit pas zjarrit në ‘Kurum’, bashkia e Elbasanit: Kushdo që e shkaktoi, do mbajë përgjegjësi

 

Bashkia e Elbasanit ka reaguar për zjarrin që përfshiu firmën “Kurum” gjatë ditës së djeshme. Duke theksuar se zjarrfikësit kanë punuar për 15 orë për shuarjen e flakëve, bashkia bën thirrje që të vijohen hetimet për gjetjen e përgjegjësve që shkaktuan ndotje masive për qytetarët e Elbasanit. 
 

"Paraditen e së hënës, në stacionin zjarrfikës të Elbasanit është njoftuar për një zjarr të shfaqur pranë zonës së ish Kombinatit Metalurgjik. 
Menjëherë ekipet tona kanë shkuar në vendngjarje. Zjarri kishte përfshirë pikën e grumbullimit të skrapit pranë një biznesi privat që operon në zonën e metalurgjikut. 
Për më shumë se 15 orë luftë me flakët ekipet tona, të ndihmuara nga bashkitë fqinje dhe emergjencat civile kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, ndërkohë ende po punohet për eleminimin e shkarkimeve të tymit.
Edhe pse ndërhyrja e ekipeve tona zjarrfikëse, me të gjithë kapacitetin e mjeteve dhe burimeve njerëzore mbetet për t'u lavdëruar, shqetësim përbën faktit i shkarkimeve të dëmshme në ajër.
Tashmë që faza e emergjencës ka kaluar Kryetari i Bashkisë ka kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse të hetojnë deri në fund për shkaqet dhe pasojat e kësaj ngjarje. 
Që prej ditës së djeshme Z. Llatja ka qenë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha institucionet për të bashkëpunuar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit dhe pasojave. 
Kushdo që për orë të tëra shkaktoi ndotje masive për qytetarët e Elbasanit duhet të mbajë përgjegjësit përkatës"-thuhet në reagimin e bashkisë. 

Ora 12:40
Zjarri në pikën e grumbullimit të skrapit, prokuroria e Elbasanit nis hetimet për ndotje të ajrit ndaj firmës ‘Kurum’

1699357710_elbasan.JPG

Prokuroria dhe policia e Elbasanit kanë nisur hetimet ndaj kompanisë 'Kurum' për ndotjen e shkaktuar nga shtëllungat e tymit pas zjarrit që përfshiu pikën e grumbullimit të skrapit. 

"Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka filluar hetimet kryesisht, duke regjistruar procedimin penal nr. 1309, datë 07.11.2023 për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës” të parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal, pasi u mor dijeni në lidhje me ngjarjen e datës 06.11.2023 ku në një masiv me skrap të ndodhur në ambjentet e brendshme të ish Kombinatit Metalurgjik Elbasan, të administruara aktualisht nga shoqëria “Kurum”, ka rënë një zjarr me përmasa të mëdha që ka shkaktuar ndotje të madhe në mjedisin e zonave përreth dhe më gjerë në Bashkinë Elbasan.

Për hetimin e këtij procedimi penal është ngarkuar një grup hetimor i përbërë nga dy prokurorë dhe tre oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, të cilët në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet e para hetimore në kuadër të procedimit penal të sipërcituar, me qëllim zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së ndodhur", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.             

Mësohet se zjarri i cili qëndroi aktiv për disa orë gjatë ditës së djeshme, tashmë është shuar dhe problem është ndotja e madhe e shkaktuar nga shtëllungat e tymit. Dje drejtori teknik i firmës deklaroi se shkak për zjarrin është bërë një shkëndijë e lëshuar nga njëra prej baterive.

                                                                                                                    

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?