Kufijtë, Enver Hoxhaj për Report TV: Nga konflikti i brendshëm në Kosovë përfiton vetëm Serbia

18 Tetor 2018, 18:37| Përditesimi: 19 Tetor 2018, 13:25

  • Share

Teksa në Kosovë zien debati nëse duhet apo jo që në tryezën e dialogut me Serbinë të vendoset edhe korrigjimi i kufijve, në Tiranë janë shtuar delegacionet zyrtare që shkëmbehen mes vendeve. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ishte në Tiranë për tu takuar me zyrtarët më të lartë në vend, dha një intervistë për Report TV, duke thënë se nga dialogu me Serbinë, Kosova duhet të përfitojë patjetër njohjen e saj.

“Marrëveshja do të duhet ta mbyllë konfliktin një shekullor duhet të jetë një marrëveshje që të përfshijë njohjen e ndërsjellët dhe mandej të shihen mundësitë e shkëmbimit tregtar, ekonomik dhe energjetik mes Kosovës dhe Serbisë”. Hoxhaj është zëvendës i Haradinajt, por përfaqëson partinë e Hashim Thaçit. Mes “dy zjarreve” ai thotë se nuk duhet bërë luftë për pushtet me këtë çështje.

“Debati i fundit se kush është për këtë opsion apo atë opsion, më shumë ka shërbyer që një pjesë e elitës politike që nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi, t’i ikë përgjegjësisë dhe t’i shfaqim dallimet tona në konferenca për shtyp. Ne duhet ta bëjmë dallimin në Kosovë për luftës për shtet dhe për pushtet”. Enver Hoxhaj i cili ka shërbyer për shumë vite edhe si ministër i Jashtëm, thotë se kompozimi aktual i BE-së duhet përdorur në favor të Kosovës përpara se balancat të ndryshojnë.

VIDEO/Intervista e plotë në Report TV me Zëvendëskryeministrin e Kosovës Enver Hoxhaj

“Ne nuk e dimë në 2019 se si do të shkojnë zgjedhjet në Bashkimin Evropian, se kush do të fitojë, mund të kemi një BE kret të re, kështu që duhet të përfitojmë nga mundësitë e tanishme”. Pyetjes së Report TV, se si i konsideronte deklaratat e Ramush Haradinajt se teza e Thaçit për shkëmbim territori financohet në Serbi, Enver Hoxhaj ju përgjigj:  “Ne jetojmë në shekullin 21. Në shekullin 21 as nuk blen askush e as nuk shitet askush. Këto janë paragjykime historike më shumë se sa realitet”

Zëvendëskryeministri thotë se ka vetëm një përfitues nga konflikti.  “Nëse ka mosmarrëveshje e mospajtime mes elitës politike në Kosovë, përfiton vetëm një vend, Serbia”. Për numrin dy të qeverisë kosovare nuk mund të ketë qëndrim në vend.  “Logjika e gjuhës së fortë dhe e të ndenjurit në vend nuk mund të jetë logjikë që e lëviz një shtet përpara. Elitat serioze kur marrin mandatin prej qytetarëve, marrin vendime. Politika është vështirë sepse vendimmarrja është e vështirë”.

Enver Hoxhaj tha se shqetësohej nga qëndrimi i Rusisë, dhe se kryefjalë duhet të jetë njohja nga Serbia që e bën Kosovën anëtare të OKB-së.  “Shqetësimi im themelor është jo se çfarë mendon Serbia por se si do të sillet Rusia në raport me tërë procesin. Ndaj insistojmë se dialogu me Serbinë duhet të vijojë me njohjen e ndërsjelltë, sepse vetëm kjo i garanton Kosovës një karrige në OKB për tu bërë anëtare”.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?