Ilir Meta, Fredi Beleri dhe Sali Berisha

Erit i kanë vrarë babanë!

12 Maj 2023, 17:08| Përditesimi: 12 Maj 2023, 21:39

  • Share

Ishte 11 Prillit i vitit 1994, kur, në atë mëngjes me kohë gri, tipike për Gjirokastrën, dola për të luajtur me shokët e lagjes. Ishim shumë të lidhur me gjitonët, traditë e bukur kjo e ndikuar edhe nga periudha komuniste. Dola si ç’do mëngjes për të takuar shokët. I gjeta te cepi i pallatit të mërzitur. Çfarë ka i pyeta? Erit i kanë vrarë babanë … U shtanga, isha vetëm 8 vjeç dhe ishte hera e parë që dëgjoja për vrasje aq pranë. 

Lajmi mori dhenë, nëpër qytet dhe në lajme. Ne shkuam tek shoku ynë Eri dhe te motra e tij e vogël. Më kujtohet si tani pikëllimi i vogëlushëve, pa harruar të ëmën e Erit, një grua e dashur me profesion kuzhiniere te “Shtëpia e Oficerit” në Gjirokastër. Edhe pse i vogël, e mbaj mend Fatmir Shehun, babain e shokut tim, si një njeri korrekt dhe serioz nga Tepelena, që po ndërtonte jetën në lagjen “18 Shtatori”, me ndershmëri dhe korrektësi si shumë burra e gra në ushtrinë e atyre viteve.

Në ato ditë që pallati përballë u bë qendra e lajmeve të vendit, pashë për herë të parë një kamera që mori në intervistë Eduard Selamin, në atë kohë kryetar i Partisë Demokratike, grupi i pardesyve të bardha.   Ndoshta ajo periudhë e fortë pati një ndikim të madh tek unë duke më dhënë shtysat e para drejt gazetarisë. Por vitet rrodhën si Drino në dimër. 

Tmerri i 1997 mbuloi me harresë atë kohë, një e keqe që ende ka gjurmë në gjithë jugun e vendit dhe gjithë Shqipërinë... Ishte viti 2008, kur, duke lexuar gazetat e kohës, si një gazetar i etur për lajme, lexova për përvjetorin e masakrës së Peshkëpisë, ata që kishin marrë pjesë ishin ende të lirë.

Asnjë nuk është dënuar! Një ndjesi revolte dhe e hidhur me kaploi, si mundet shteti, institucionet nuk vendosin dot drejtësi me ligjin ndaj disa të çmendurve trushplarë. Po Eri me motrën e tij a i lexon gazetat si puna ime? A ka dhimbje që u rrit pa babanë e tij? Po nëna e Erit, si ndihet kur shikon Belerin në media.

Emrin e Fredi Belerit e kam hasur më shpesh që nga ajo kohë, ka qenë apo nuk ka qenë në masakrën e Peshkëpisë pak kilometra larg kufirit greko- shqiptar. Beleri përdor si argument se ka qenë në Qipro, por mediat thonë se u arrestua me të njëjtin grup në 1995 para se kryenin një sulm terrorist ndaj Shqipërisë.

E vërteta përfundimtare nuk dihet, por a ka një të vërtetë përfundimtare! Një habi e madhe është për qasja e Metës dhe Berishës. Si mundet që një njeri me kaq shumë ngarkesa negative, pjesa më e madhe e merituar, të pranohet si kandidat. Kaq dobët është PBDNj dhe gjithë koalicioni “Bashkë fitojmë” në Himarë. A ka turp më të madh se të dalësh të mbrosh një personazh të tillë? Po nëse fitojnë si do të dalin para publikut! Prej shumë kohësh, doja të shkruaja  përjetimin tim për ato vite dhe vendosa ta bëj pikërisht sot kur po synohet heroizimi i Fredi Belerit. A mendojnë këta që flasin politikisht për dhimbjen e familjarëve që ju vranë njerëzit. E ndërsa ata mbrojnë "heroin" Bejleri, nga vitet më vjen herë pas herë kujtimi i 11 prillit…Babane e Erit e kanë vrarë!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?