Erzeni shpallet kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj pas 19 vjetësh!

25 Prill 2018, 21:13| Përditesimi: 26 Prill 2018, 13:00

  • Share

Ekipi i Erzenit në volejboll për meshkuj është shpallur kampion i Shqipërisë për sezonin 2017-18, duke e rikthyer titulli në Shijak pas 19 vitesh. Në Akademinë Dhimitraq Goga, Erzeni mundi, 3 me 1 në sete ekipin e Partizanit duke i fituar kështu edhe ndeshjen e katërt të play off-it. Partizani u mundua t'ia marrë nga duart kampionatin shijakasve, por u dorëzua në ndeshjen e katër të play off-it.

Në një atmosferë të zjarrtë nga qindra mbështetës të Erzenit ndeshja shfaqi një rivalitet të fortë duke dhuruar emocion.

Seti i parë fitohet nga Partizani ndërsa tre të tjerët nga Erzeni. Vendosmëria e djemve të drejtuar nga Arben Sako duke treguar superioritet ndaj Partizanit të Ylli Tomorrit u shpërblye duke u shpallur kampion.

Partizani nuk mundi të gjej forcën e mjaftueshme për tu përballur me një lojë agresive të Erzenit i cili kishte me vete edhe lojtarin e 7të, tifozerinë e jashtëzakonshme shijakase.

Edhe në këtë ndeshje numri 7-të i Erzenit maqedonasi Marjan Urdov ishte lojtari deciziv për fitoren së bashku me numrin 5 Asmend Kula, atë 2 Anis Cullhai dhe Jurgen Dashin përfshi lojtarët e tjerë.

Marjan Urdov pas përfundimit të ndeshjes dha këtë prononcim për Report TV.

Prandaj unë iu bashkova ekipit të Erzenit. Kur mbërrita për herë të parë në këtë ekip ne kishim vetëm një objektiv. Të shpalleshim kampion. Ky ishte objektivi ynë kryesor. Ne si ekip patëm luhatjet siç ka çdo ekip por në fund Erzeni tregoi karakter të fortë në momente decizive dhe në fund ia dolëm duke ngritur kupën e kampionit. Jemi stërvitur shumë fort gjatë tre muajve për çdo ditë. Nuk kam pushuar asnjë ditë sikurse edhe lojtarët e tjerë të ekipit tim. Kjo ndeshje ishte e vështirë dhe na lodhi megjithatë jam shumë i lumtur për fitoren dhe kjo medalje për mua është jashtëzakonisht me vlerë. 

Marjan Urdov, volejbollist i Erzenit  

Me shpalljen kampion i Shqipërisë Erzenit i hapet rruga për të marrë pjesë në kupat e Europës në volejboll për meshkuj. Pjesë e këtij suksesi padyshim është e mbështetja e Bashkisë Shijak. Shpallja kampion është shoqëruar me një festë në sheshin e qytetit të Shijakut të cilit i rikthehet lavdia e munguar në volejboll.

Kronologjia e ndeshjes set pas seti.

Seti i parë nis me epërsi nga Partizani duke udhëhequr 7 me 2.Erzeni del nga humbja e pikëve dhe nuk e lejon Partizanin të avancojë dhe barazon me pike 11 me 11 pas sulmeve të numrit 2 Anis Cullhai dhe 4 Adri Arapit.

Përpiqet Partizani duke udhëhequr 14 me 12. 

Avantazhi Partazinanit detyron trajnerin e Erzenit të marrë pushimin dytë. Dy pikë të shënuara nga Marjan Urdov ngushtojnë rezultatin. Disa shërbime të humbura nga Erzeni kthehen në pikë për Partizanin. Erzeni bën disa gabime radhazi duke ia bërë me të lehtë fitoren e setit Partizanit 25 me 18 falë edhe një forme të mirë të Arbër Trokës.

Seti i dyte nis që në fillim me disa pikë të shënuara nga Erzeni që udhëheq 5 me 2. Partizani nuk dorëzohet. Ngulmon të ngushtojë diferencën e pikëve por shijakasit bëjnë detyrën duke u treguar të kujdesshëm në mbrojtje dhe e çojnë setin në 10 me 4. 

Por Partizani nuk fle gjumë. Disa gabime të Erzenit në shërbime i dhurojnë pikë të kuqve e kështu dhënë mundësinë e bërjen presion dhe vëne në vështirësi të besuarit e Sakos në fushën e lojës.

Barazon partizani 14 me 14 e më pas seti vijon i ashpër plot rivalitet 15 15 . Troka i Partizanit kthehet në vendimtar për këto minuta loje duke e kaluar për herë të parë në këtë set Partizanin në avantazh.

Por të dyja ekipet nuk i ndahen njëra tjetrës. 17 me 17 me pikë. Gjithçka merr formën e një loje agresive duke e shndërruar setit
plot emocione dhe ankth tek mbështetësit e Erzenit.

Megjithatë avancon Erzeni 22 me 19.

Reagimi Partizanit është i zbehtë. Nuk ka kohë për të rikuperuar dhe Erzeni fiton duke u barazuar me sete 1 me 1.

Megjithëse të dyja skuadrat kanë realizuar një volum të madh loje në dy setet e para ai i treti nis i ekuilibruar.

Te dyja skuadrat tentojnë të udhëheqin lojën por thjesht ndjekin pikë pas pike njëra tjetrën por vjen shkëputja e parë.

Partizani shkon në 7 pikë Ezeni 4. Erzenit i nevojitet eksperienca e maqedonasit Urdov që sulmon fort nga vija e dyte duke ia bërë të pamundur frenimin nga mbrojtja e Partizanit paçka ndërtimit të bllokut për ta frenuar.

Partizani kërkon të ketë epërsi gjë e cila i dhurohet dhe e siguron nga gabimet e kundërshtarit.

Sikurse edhe në ndeshjen në Tiranë ka kontestime për arbitrimin nga te dyja skuadra. Kryesori takimit ndëshkon me të verdhe numrin 5 të Partizanit Ervin Cali.

Kula është deciziv për blutë shijakas. Shërbime të forta duke çoroditur Partizanin.

13 me 13 por Partizani nuk gjen qetësi nga presioni Erzenit.

Partizani humb ritmin e lojës çka detyron trajnerin Tomorri të kërkojë pushim por seti rinis me gabime nga Partizani dhe përsëri trajneri  Tomorri kërkon pushim për të ulur ritmin e lojës e penguar teknikisht avancimin e shijakasve.

Është Partizani që rikuperon pikët e humbura duke barazuar 18 me 18 por Erzeni nuk ka ndërmend të dorëzohet duke marrë në dorë frenat e lojës e udhëhequr 21 me 19. Janë momente devizive dhe Erzeni nuk fal duke vijuar avantazhin. Shpëtimi për Erzenin vjen nga Urdov që shënon dy pike decizive.

Nuk dorëzohet ende Partizani barazon 24 me 24 duke e bërë edhe më dramatik këtë set. 25 me 25 , 26 me 26. Mjafton një gjuajtje e gabuar e miqve nga Tirana për ti dhënë fund ankthit duke i dhuruar kështu fitoren e setit Erzenit. 2 me 1 sete për Erzenin.

Seti katërt nis aty ku përfundoi i treti me rivalitet nga të dyja ekipet. Pika me e dobët e Erzenit vijon të mbeten shërbimet e gabuara që kthehen në pikë për kundërshtarin. Megjithatë shijakasit nisin të udhëheqin me pike 8 me 3.

Publiku i gjithi në këmbë. Është seti vendimtar për fitimin e kampionatit dhe kurorëzimin kampion.

Gabime të njëpasnjëshme nga Partizani i lejojnë Erzenit të mos ndalet në udhëheqjen me pikë 12 me 6.

Cullhaj per Erzenin nuk përmbahet duke shënuar pike të vlefshme për të tijtë së bashku me Adri Arapin.

Asmend Kula është një tjetër pikë e fortë për Erzenin në këtë set duke shënuar nga shërbimi e çuar Erzenin në 16 pikë e Partizani 8.

Kula nuk ndalet duke ia bërë të pamundur mbrojtjes së kuqe të ndaloje shërbimet e forta edhe perfekte.

Shkëputet Erzeni 10 pikë duke mos i lenë asnjë shpresë reaguesve Partizanit.

Erzeni marshon i sigurtë drejt fitores duke shkuar 22 me 17.

Dramaciteti ndeshjes s'ka të mbaruar. Partizani ngushton diferencën me pike 23 Erzeni 21 Partizani.

Por për Erzenin nuk ka kthim pas. E fiton setin dhe të gjithë ndeshjen duke vulosur fitimin e kampionatit e shkruajtur përsëri historinë në kampionatin shqiptarë të volejbollit dhe duke administruar titullin e 4 kampion pas atyre tre të mëparshmet në vitet 1997,8.9.


Volejboll, Erzeni shpallet kampion i Shqipërisë pas 19 vitesh
//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?