Opinion

Është barrë e atyre që nuk dorëzohen

12 Maj 2021, 13:43| Përditesimi: 12 Maj 2021, 13:45

  • Share

Është fakt i pamohueshëm se këto zgjedhje i dhanë të drejtë sistemit politik bipolar. Pas 25 prillit ata që i mëshojnë idesë se Shqipërisë i mjaftojnë dy parti, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë, kanë më shumë argumente për t’u ndjerë të realizuar dhe të lumtur.

Por unë vazhdoj të besoj se ky vend do të jetë më i lirë, më i drejtë, më i pakorruptuar dhe më demokratik, vetëm në rast se do të ndryshojë mendësia e drejtimit të tij.

Mjafton të shikosh se me çfarë arrogance po e përcjellin rezultatin e 25 prillit të dyja palët, si fituesit ashtu edhe humbësit, për t’u bindur se shërimi nuk mund të vijë prej garnizoneve politike, por nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Njëra palë po i gëzohet fitores së tretë, që nuk e di për farë arsyeje jopolitike konsiderohej e pamundur, kurse tjetra po fërkon duart ngaqë ka arritur të sigurojë monopolin e opozitës për katër vjet. Por është iluzion të mendosh se ato janë ushtri të pathyeshme, sepse politika është dinamike dhe si e tillë e paparashikueshme në terma afatgjatë.

Sipas meje një Shqipëri bipolare është më e zymtë edhe më e frikshme se çdo formë tjetër e përfaqësimit politik, por sovrani tashmë e ka thënë fjalën e vet dhe ajo duhet lexuar me një sens të fortë realizimi.

Mund të duket si ide romantike, por sot më shumë se asnjëherë tjetër ka vlerë një projekt politik, i cili sjell një model të ndryshëm nga ai, që përfaqësojnë sot dy partitë kryesore në vend. Qofsha i gabuar, por unë nuk besoj se duhen shpenzuar ende energji për t’i ndryshuar nga brenda formacionet politike, të cilat nuk bëjnë zgjedhje. Do të mjaftonte ky fakt për t’ia kursyer vetes dhe publikut, si kohën, ashtu edhe përpjekjet.

Nuk është rastësi që të dy udhëheqësit e mëdhenj janë fokusuar sot tek kongreset e partive të tyre. Sepse duan të fshijnë sa më shpejt edhe gjurmët e fundit të ndonjë mendimi kritik apo mosaprovues, që mund të ketë mbetur aty. Edi Rama mirë që nuk tha se e ka private partinë, sepse vetëm u komunikoi të gjithë socialistëve të tjerë datën e kongresit të jashtëzakonshëm, të cilin e kishte caktuar ai vetë.

Ndërsa Luli është më i parashikueshëm. Ka gjithmonë të njëjtin hall, çdo katër vjet, më 22 korrik. Por tek e fundit, secili bën atë punë që i caktuar vetes dhe askush, që ka vendosur të merret me politikë, nuk duhet të kushtëzohet apo të dekurajohet nga qëndrimet e tyre.

Problemi është se Shqipëria nuk mund ta presë ndryshimin asnjëherë nga qeveria, sepse asaj as takon, as e ka për detyrë, dhe as që i shkon ndërmend ta sjellë, sidomos në kushtet, kur nuk i ka dalë keq, të paktën në tre zgjedhjet e fundit.

E gjithë barra është e opozitës, e cila në rastin më të keq duhet të rishpikë vetveten, që minimumi të shpresojë një përmbysje të raporteve të forcave politike në vend në zgjedhjet e radhës.

Koha ka treguar se opozita e mund qeverinë, vetëm në rastet kur tregon se është e ndryshme prej saj, dhe jo kur thjesht e rivalizon për t’i marrë pushtetin. Kjo është ligjësi e përbotshme, e cila është provuar me një saktësi perfekte edhe në Shqipëri, sa herë ka pasur zgjedhje.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?