Tank T-34 në qytetin Narva të Estonisë

Bota

Estonia do të heqë të gjitha monumentet e luftës të epokës sovjetike, shkak sulmi rus në Ukrainë

16 Gusht 2022, 20:49| Përditesimi: 16 Gusht 2022, 20:56

  • Share

Estonia do të heqë të gjitha monumentet e luftës që i përkasin epokës sovjetike nga ambientet publike. Ky akt synon të parandalojë “armiqësinë e shtuar të shoqërisë, si edhe kujtimin e plagëve të vjetra” pas pushtimit rus të Ukrainës, tha qeveria.

Një tank T-34 në qytetin Narva, i cili kufizohet me Rusinë, është zhvendosur për t’u dërguar në Muzeun e Luftës në Estoni. Narva është qyteti i tretë më i madh i Estonisë, ku 97% e popullsisë së saj prej rreth 60,000 banorësh flasin rusisht. Estonia është e shqetësuar se lufta e Rusisë në Ukrainë do të nxisë tensione në Narva.

Estonia e rifitoi pavarësinë në vitin 1991, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Në deklaratën e saj, kryeministrja Kaja Kallas tha se qeveria e saj "nuk do t'i lejojë Rusisë mundësinë për të përdorur të kaluarën e për të prishur paqen në Estoni".

"Duke marrë parasysh shpejtësinë e rritjes së tensioneve dhe konfuzionit rreth memorialeve në Narva, ne duhet të veprojmë shpejt për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e brendshme", th Kallas.

Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu tha se këto monumente janë ngritur për të lavdëruar pushtimin rus dhe nuk kanë më vend në hapësirën publike të Estonisë.

Përveç tankut T-34, varrezat e Luftës së Dytë Botërore do të zhvendosen po ashtu, gjë që qeveria e pranon se mund të krijojë tensione.

Javën e kaluar, Rusia shprehu pakënaqësi ndaj planeve të Estonisë.

"Lufta kundër historisë, për më tepër me një histori të përbashkët dhe asgjësimin e monumenteve për ata që shpëtuan Evropën nga fashizmi, është skandaloze," tha zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin.

Estonia po anulon gjithashtu rreth 50,000 viza të lëshuara për shtetasit rusë.

Letonia, Lituania dhe Republika Çeke po ashtu kanë ndaluar lëshimin e vizave për rusët. Finlanda po redukton në 10% numrin e vizave që lëshon për rusët.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?