Biletat për ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit në finalet e Euro 2024 që do mbahet verën e këtij viti në Gjermani kanë dalë të tregun e zi. Paçka se UEFA kishte njoftuar se për të mbrojtur tifozët, biletat do ishin të kontrolluara dhe në mënyrë elektronike, diçka e tillë nuk ka ndodhur. Ishte organi i futbollit në Evropë që mori përsipër shitjen e të gjitha biletave në faqen e vet të internetit.
Me një kërkim të thjeshtë në "Google", të shfaqen shumë nga ndeshjet e Europianit që tanimë janë të kuotuara në tregun e zi. Çmimet janë të kripura dhe nga 30 euro që ishin çmimet për një biletë normale në zonën e tifozëve, tanimë në tregun e zi kapin shifrat e 500 eurove.
Ne u interesuam për ndeshjen Itali - Shqipëri, e vlefshme për grupin B të Euro 2024, planifikuar për në datën 15 qershor 2024 në "Signal Iduna Park" të Dortmundit.
Shitës të ndryshëm të ofrojnë mundësi të ndryshme, sigurisht me çmime të "kripura" dhe disa fishin e atyre normale. Në rastin e një bilete që duhet të kushtonte 30 euro në webfaqen e UEFA, aty ku edhe u shitën miliona të tilla, në tregun e zi më e pakëta ka një çmim prej 165 eurosh, ndërsa në sektorët e tjerë të stadiumit çmimet janë më të larta.
Gjithashtu, në kategorinë "Premium" në stadium, që për ndeshjen e grupeve një biletë kushtonte 200 euro, në tregun e zi ka një çmim prej 1.039 eurosh. Veç ndeshjeve të kombëtares shqiptare, probleme të tilla kanë hasur shumë vende që po përpiqen të mbrojnë tifozët nga zhvatja.
Biletat deri në 1039 euro
Së fundmi një problem i tillë u ngrit edhe nga Federata Kroate e Futbollit, që në marrëveshje me UEFA-n, do të sigurojë blerjen e drejtpërdrejtë të biletave të destinuara për tifozët kroatë për një pjesë të tifozëve më besnikë sipas sistemit që është aplikuar në ndeshjet e fundit kualifikuese.
Kështu, për çdo ndeshje në fazën e grupeve, 500 tifozët me më shumë frekuentim në ndeshjet e kombëtares në pesë vitet e fundit do të marrin informacion në e-mailin e tyre për mundësinë e blerjes direkte deri në dy bileta përmes portalit të biletave të UEFA-s, përveç shortit.
500 bileta për çdo ndeshje të fazës së grupeve do të dedikohen për shoqatat e tifozëve të klubit të tifozëve të kombëtares kroate, të cilët do të marrin informacion për mundësinë e blerjes direkte të biletave në e-mailin e tyre në të njëjtën mënyrë.
Kësisoj, si një masë mbrojtëse në Kroaci kërkojnë mos ketë abuzime edhe me çmimet. Kujtojmë se UEFA për herë të parë në këtë kampionat aplikon një sistem sipas të cilit tifozët e të gjitha kombëtareve do të kenë në dispozicion 10 mijë bileta për të gjitha ndeshjet e kompeticionit në grup, pavarësisht kapacitetit të stadiumit ku luhen ndeshjet.
Çdo tifoz, nëpërmjet një llogarie në faqen e UEFA-s do mund të aplikonte deri në 12 dhjetorin e 2023 (faza e dytë) dhe mund të rezervonte deri në katër bileta. Më pas një përzgjedhje sipas radhës do bëjë që e-maili konfirmues t'u shkojë mbartësve të biletave në javët që do vijnë gjatë 2024.
Çmimet normale të biletave në faqen e UEFA-s
Faza e parë dhe e dytë e klasifikimit për bileta ka përfunduar. Sipas UEFA-s, kishte rreth 20 milionë aplikime për rreth 1.2 milionë bileta që u shpërndanë para shortit në fazën e parë të aplikimeve.
Pas përcaktimit të grupeve të raundit paraparak më 2 dhjetor, vijoi faza tjetër, në të cilën u hodhën në treg rreth një milionë bileta. 500,000 bileta të tjera do të dalin në shitje pas raundit play-off në mars. Në total ka rreth 2.7 milionë bileta për 51 ndeshjet e turneut. Të gjitha biletat janë të personalizuara dhe do të jenë vetëm në formë digjitale për të shmangur çdo abuzim.
Mbi 1.2 milionë bileta u vunë në dispozicion në raundin e parë të aplikimeve për biletat e Euro 2024, i cili u zhvillua nga 3 tetori deri më 26 tetor 2023. Biletat u shpërndanë nëpërmjet një procesi lotarie të portalit UEFA. Për biletat e raundit të dytë ende nuk ka një shpërndarje finale, me aplikimet që janë mbyllur.
Ndeshjet e Kombëtares shqiptare në Euro 2024:
Grupi B
Itali - Shqipëri, 15 qershor 2024 21:00 (Dortmund)
Kroaci - Shqipëri 19 qershor 2024 15:00 (Hamburg)
Shqipëri - Spanjë 24 qershor 2024 21:00 (Dusseldorf)
Shqiptaret mesa duket deri ne Tre mije euro bileta I perballojne
Përgjigju