Euro ka vijuar të forcohet edhe gjatë ditës së sotme, në një kohë kur volumet tregtare janë në minimumin e tyre për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro po këmbehet sot në nivelin e 124.47 lekëve, duke vijuar të fitojë pikë ndaj lekut vendit (rritja ditore ishte +0.63 lekë).
Prej datës 17 mars euro është forcuar me më shumë se 1.5 lekë përkundrejt monedhës vendase. Ky është niveli më i lartë i këmbimit që prej datës 10 Prill 2019.
Ekspertët argumentojnë se kjo është një ecuri normale në një situatë anormale të tregut. Sipas aktorëve kryesore të tregut shkëmbimet tregtare janë në nivele shumë të ulëta, gati të papërfillshme.
Të vetmet biznese që po operojnë aktualisht në treg janë njësitë e tregtimit të artikujve ushqimorë, të cilët vijojnë që të importojnë normalisht. Këto kërkojnë euro për të blerë mallra nga jashtë.
Aktualisht konsumi është përqëndruar tek ushqimoret, pas mbylljes së biznesve si baret apo restorantet.
Po ashtu edhe dollari amerikan ka vijuar të forcohet. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar këmbehet në nivelin e 114.8 lekëve, rreth 0.34 pikë më shumë se një ditë më parë.
Që kur në Shqipëri u shënua rasti i parë i koronavirusit në 11 mars, qeveria ka vendosur kufizimin e lëvizjeve dhe bllokimin e shumë aktiviteteve jo jetike, me synim frenimin e përhapjes së infeksionit./Monitor.