TIRANË-Dalja përsëri në tregjet ndërkombëtare për të emetuar Eurobondin e pestë në vlerën e 500 milionë eurove vitin që vjen, është e domosdoshme për situatën aktuale të ekonomisë, thonw ekspertët e fushës. Sipas pedagoges Elona Shehu nëse borxhi do merrej brenda vendit do të cenonte kreditimin e ekonomisë.
“Në situatën në të cilën ndodhemi dhe në mungesën e kreditimit të ekonomisë, këtu i referohem kreditimit të biznesit të madh dhe nevojën që ai ka për të investuar dhe për tu financuar në tregun vendas, sa hapësirë mund ti linte një huamarrje e brendshme kreditimit. Pra automatikisht do të rritej kostoja e financimit për ekonominë”, u shpreh ekspertja Shehu.
Disavantazhi i një borxhi të huaj sipas ekspertes Elona Shehu është në momentin e shlyerjes së tij për shkak të kostos së lartë, përfshirë edhe konvertimin e parave në monedhë të huaj.
“Është pozitiv në momentin fillestar kur ne përfitojmë fondin qofshin në formën e borxhit apo të granteve, gjithsesi e sjellin një ndikim në ekonomi. Ajo që konsiderohet problematike është mënyra se si do të shlyhet borxhi, pra përcaktimi i kësteve dhe periudha kur do të fillojë shlyerja e këtij borxhi.Përveç kostos dhe përveç zgjatjes në kohë duhet të ketë një përdorim eficent të këtij borxhi”, shprehet Shehu.
Sa i takon nivelit të borxhit publik që pritet të kapërcejë shifrën e 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, Shehu thotë se kjo rritje justifikohet për shkak të situatës së pazakontë ekonomike.
“Jemi në nivele të larta të borxhit publik, të domosdoshme dhe të justifikuara por që e përkeqësojnë situatën ekonomike, ndoshta jo në momentin aktual por duhet të kemi parasysh që një ditë ky borxh do të shlyhet dhe kostoja do të rëndojë mbi individin”, thotë ndër të tjera ekspertja e ekonomisë.