Çdo gjë e thjeshtë për Napolin në ndeshjen e parë të fazës së 1/16 të Europa League. Të kaltërit e Ancelotti-t fituan 3-1 në Zvicër ndaj Zyrihut dhe hipotekojnë kualifikimin për në 1/8. Ndeshja nisi mjaft mirë për Napolin që shënoi me Lorenzo Insigne që në minutën e 11-të. Dhjetë minuta më vonë dyfishoi spanjolli Callejon pas një krosimi nga Malcuit ndërsa llogaritë i mbylli polaku Zielinski në minutën e 77-të përpara se Benjamin Kololli të shënonte golin e nderit për vendasit.
Në mungesë të Mauro Icardit protagonistin tek Interi e bën argjentinasi tjetër Lautaro Martinez që shënoi me penallti golin e fitores 1-0 të Interit në Vienë ndaj Rapidit.Nga tre ekipet italiane në garë për Europa League ajo që humbi është Lazio. Bardhekaltërit u mundën në “Olimpico” nga Sevilla 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Ben Yeder në pjesën e parë.
Nga ekipet angleze Chelsea fitoi në transfertë dhe prek kualifikimin. Londinezët mposhtën në Suedi Malmon 2-1 duke shënuar nga një gol për çdo pjesë loje. Ross Barkley i dha avantazhin ndërsa kur kishte kaluar një orë lojë francezi Olivier Giroud shënon një supergol me finte pas pasimit të brazilinit Willian.
Arsenali u surprizua në Bjellorusi nga Bate Borisov. Vendasit fituan 1-0 ndaj topçinjve falë golit të shënuar nga Dragun. Arsenali duhet të djersijë në ndeshjen e kthimit për të siguruar kalimin më tej. Në ndeshjet e tjera të fazës së 1/16 fitore me aromë kualifikimi arriti Valencia në Skoci ndaj Celtic 2-0. Benfica fitoi 2-1 në Stamboll ndaj Galatasaray, Shakhtar Donetsk-Frankfurt u mbyll në barazim 2-2 dhe Villareal fitoi 1-0 në Lisbonë ndaj Sportingut.