Evropa na do dhe pikë, po ne?

29 Maj 2019, 18:26| Përditesimi: 29 Maj 2019, 18:28

  • Share

Për herë të dytë rresht KE propozon hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe pse lajmi është në thelb i vjetër, shpresat e reja dhe naive mund të kenë qenë edhe që ky rekomandim të mos jepej, të shtyhej sado pak, mund të ketë ende plot ndezje që Këshilli i Ministrave të vendeve anëtare të mos e mbështesë Shqipërinë në mënyrë që kësaj ane të mbretërojë rrëmuja. Boll të shohësh përpjekjet për destabilitet nga ana e opozitës në Shqipëri të cilës po i mungon revolta popullore vetëm pse s’ka besim dhe është edhe më keq se ata që ajo shan.

Nga ana tjetër ka një keqkuptim me termat dhe mënyrën sesi operon Brukseli, një nga bashkëpunëtorët në Tiranapost e lexoi rekomandimin si hapje negociatash, dikush tjetër pyeti me të drejtë nëse kjo ishte hera e dytë. Po, është hera e dytë dhe jo, nuk u hapën negociatat. Negociatat hapen kur voton çdo vend anëtar dhe ata janë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në Këshillin e Evropës. Lajmi sot është i vjetër në thelb, por i ri kur mendon keqkuptimet apo edhe dëshirat e liga.

Sot lajmi që erdhi nga Hahn ishte një shenjë e pastër se destabiliteti politik nuk është çështje e evropianëve dhe s’ka dhënë asnjë efekt atje dhe se Europa na do dhe pikë.

Klasa politike këtu duhet të kalojë pengesat e të gjejë gjuhën. Të huajt nuk shohin se çfarë jep Portokallia të dielën në darkë, çfarë shkruan ndonjë analist, pro-të apo të kundërtat, apo kush ka të drejtë: ai që gjuan me molotov apo ai që nuk lëshon pe. Evropa bën llogari në macro dhe sot mesazhi për reformën në gjyqësor duket se është një as nën mëngë për busullën politikë në Shqipëri. Dhe për më tepër Ballkani është çështje sigurie. Eduard Kukan e tha troç se siguria në rajonin tonë varet nga interesi i Evropës dhe jo indiferenca apo neglizhenca e saj.

Kjo është një ditë për të marrë frymë, jo për t’u ekzaltuar. Ato tensionet politike që përmendi Eduard Kukan janë një pengesë e madhe për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, por të paktën sot e morëm një lajm të mirë dhe le të mësojmë nga toleranca e ADN-së evropiane dhe të mos e urrejmë ne Shqipërinë e njëri-tjetrin, siç na duan armiqtë. Por ta shohim si na duan miqtë, të paktën.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?