Foto ilustruese

Fabrizio Bucci: Të kapim dhe shfrytëzojmë momentin për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

1 Qershor 2022, 13:47| Përditesimi: 1 Qershor 2022, 14:51

  • Share

Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës po e ndryshon me shpejtësi peizazhin gjeopolitik në Evropë. Pas një kohe të gjatë, luftën e kemi sërish tek pragu i derës teksa sfidon arritjen më të madhe të Bashkimit Evropian: paqen në kontinent. BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare nuk mund të rrinë duarkryq, ndaj dhe po reflektojnë se si të forcojnë rolin e tyre ndërkombëtar për të përballuar sfidat e reja që lindin nga ky konflikt. Pasojat e këtij konflikti janë veçanërisht të rënda për Ballkanin Perëndimor, stabiliteti i të cilit po minohet më tej, pikërisht në kohën kur ky rajon po ndeshet me të tjera sfida.

Aktualisht, aktorë të tretë po intensifikojnë përpjekjet për të rritur ndikimin e tyre në rajon dhe, mundësisht, për të destabilizuar Vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata janë duke minuar aktivisht besueshmërinë tonë, duke i mëshuar idesë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Unionit si anëtarë me të drejta të plota. Këta aktorë e shohin luftën në Ukrainë si një mundësi për të rritur më shumë ndikimin dhe për të shtuar praninë e tyre në Ballkanin Perëndimor, në dëm të BE-së dhe Shteteve të saj Anëtare.

Në këtë skenar kompleks dhe përherë e më sfidues, partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë konfirmuar përkatësinë ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave të tij, duke përqafuar Politikën e përbashkët të jashtme e të Sigurisë. Kjo qasje ka luajtur një rol të rëndësishëm në aftësinë e Evropës për t’u shfaqur si një front i përbashkët përballë agresionit rus. Ndërkohë, zbatimi i këtij qëndrimi nga Vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur një çmim tejet të lartë politik dhe ekonomik, pasi kemi të bëjmë me shoqëri tashmë të ndara për çështje tejet jetike, shpesh të politizuara nga politikat e brendshme, të përkeqësuara nga pasojat ekonomike të pandemisë dhe të ekspozuara ndaj fushatave sistematike të keqinformimit.

Konflikti në Ukrainë po ndikon edhe mbi procesin e zgjerimit të BE-së në rajon. Mbas agresionit rus, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë dorëzuar kërkesën zyrtare për anëtarësim në BE. Më 11 Mars, Kryetarët e Shteteve/Qeverive të BE-së miratuan Deklaratën e Versajës, përmes së cilës ata njohin aspiratat dhe zgjedhjen evropiane të Ukrainës, me zotimin për ta mbështetur atë gjatë rrugëtimit evropian. Gjithashtu, liderët e BE-së ftuan Komisionin të paraqiste opinionin e tij mbi kërkesat e tyre të anëtarësimit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Traktateve.

Deklarata e Versajës ka pasur jehonë në gjithë Ballkanin Perëndimor, duke shtuar pritshmëritë dhe shqetësimet tek qeveritë dhe opinioni publik i vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Tani që BE-ja mirëpritet kërkesat legjitime nga Kievi, Kishinau dhe Tbilisi, edhe qeveritë e Ballkanit Perëndimor presin të shohin një angazhim të ripërtërirë të saj, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Vendeve të tyre, proces që ka nisur vite më parë, por që ka mbetur në vend numëro.

Në të njëjtën kohë, në të gjithë Rajonin është rritur shqetësimi se këto zhvillime të reja mund t’i lenë mënjanë Vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe për pasojë ta vendosin zgjerimin drejt tyre në plan të dytë. Ne jemi thellësisht të bindur se duhet të plotësohen pritshmëritë, të largohet frika dhe të shpërblehet veprimi pozitiv. Kjo hedh dritë mbi rëndësinë që ka ripërtëritja e përkushtimit të BE-së në Rajon dhe më konkretisht shtysa e re e Procesit të Zgjerimit.

Pothuaj një vit më parë Italia dhe 12 Shtete të tjera Anëtare ranë dakord mbi një sërë mesazhesh të rëndësishme duke kërkuar vijimësinë e procesit. Bëmë thirrje për një veprim më të fuqishëm politik dhe shfrytëzim maksimal të paketës së mjeteve të vëna në dispozicion nga metodologjia e përforcuar e zgjerimit, duke e përkufizuar anëtarësimin e plotë të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, një “investim gjeostrategjik”.

Në kontekstin e krizës së tanishme, mesazhet tona kryesore janë sot po aq të rëndësishme, ndoshta edhe më shumë, krahasuar me një vit më parë. Ashtu siç ka deklaruar së fundmi në Parlamentin Evropian Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, integrimi i plotë i Vendeve që shfaqin aspirata evropiane nuk përbën kërcënim për stabilitetin e projektit evropian; përkundrazi, ai është pjesë e realizimit të atij projekti. Italia mbështet fuqishëm çeljen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në përputhje me Vendimin e Këshillit Evropian të marsit 2020. Po ashtu, ne duam që të sigurohet vëmendja maksimale ndaj pritshmërive legjitime të Shteteve të tjera të Rajonit dhe t’u jepet një shtysë e re këtyre negociatave. Italia mbështet anëtarësimin e të gjitha Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është shumë e interesuar për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin drejt anëtarësimit, që kemi ndërmarrë tashmë, por dhe të veprojmë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në rast se do të lejojmë të krijohet boshllëk, atëherë ky boshllëk do të mbushet nga aktorë të tretë. BE-ja duhet të shprehë solidaritet dhe të njohë vështirësitë me të cilat përballen partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor. Kjo mund të bëhet duke u ofruar këtyre Vendeve, menjëherë, paketa mbështetëse ekonomike e financiare, me qëllim fuqizimin e ekonomive të cilat janë prekur ndjeshëm nga ky konflikt dhe që varen nga furnizimet ruse të energjisë por nuk përfitojnë nga masat kompensuese të vlefshme vetëm për Vendet anëtare të BE-së. Në të njëjtën kohë, është tejet e rëndësishme mbështetja, ndaj rajonit, për diversifikimin e burimeve të tij energjetike dhe për realizimin e tranzicionit të gjelbër. Duke përshëndetur mbështetjen financiare të akorduar nga fondet IPA dhe EIP, ne duhet gjithashtu të mendojmë përtej tyre. Situatat e pazakonta kërkojnë dhe zgjidhje të pazakonta.

Bashkimi Evropian duhet menjëherë të rifitojë rolin e tij si ofrues e lëvrues stabiliteti duke dërguar një mesazh të fuqishëm politik me anë të të cilit të konfirmojë përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit në rajon. Ky proces ka një forcë të madhe transformuese, duke qenë se nxit reformat dhe përqafimin e vlerave të përbashkëta. Duke i dhënë shtysë të re rrugës drejt anëtarësimit në këto orë dramatike të historisë së Evropës, do të donim të jepnim një mesazh të fuqishëm, brenda dhe jashtë Ballkanit Perëndimor, për t’u dhënë një frymëmarrje dhe forcë të re të gjitha Vendeve të rajonit të cilat të ardhmen e tyre e shohin në Evropë. Ka ardhur koha të mirëpresim Shqipërinë, dhe Vendet e tjera të rajonit, në familjen evropiane: le ta kapim dhe ta shfrytëzojmë këtë moment.

Editorial i ambasadori të Italisë në Tiranë Fabrizio Bucci

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?