Fact-checking/ 31 thirrjet për dialog të ambasadorit Soreca, që përgënjeshtrojnë akuzat e Metës

6 Korrik 2019, 08:46| Përditesimi: 6 Korrik 2019, 12:25

  • Share

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, më 3 korrik iu drejtua me 10 pyetje “retorike” ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, duke e akuzuar diplomatin se nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të nxitur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës politike para zgjedhjeve të 30 qershorit. “A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më pare, z.Ambasador?” deklaroi presidenti Meta. Shqiptarja.com ka bërë një investigim (fact-checking), i cili, ndryshe nga kritikat e presidentit, zbulon një intensitet jo të zakonshëm të prononcimeve publike të ambasadorit Luigi Soreca, ku ai u ka bërë thirrje palëve të orientohen drejt dialogut. Rezulton se, që nga shkurti i këtij viti e deri në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ambasadori Soreca ka bërë thirrje për dialog në 2 fjalime, 7 evente publike, 7 intervista mediatike, 7 deklarata zyrtare dhe 8 postime në Tëitter. Faktet tregojnë se pretendimet e presidentit janë të pabaza. Apeli për dialog mes palëve për avancimin e reformave integruese ka qenë kryefjala e 31 reagimeve publike të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Nuk duhet të harrojmë që vetë presidenti i Republikës për herë të parë ka thirrur Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për një dialog në Presidencë vetëm tri ditë para zgjedhjeve.

Le t’i marrim një pas një thirrjet e ambasadorit Soreca për dialog.

Shtatë intervista

Në formën e intervistave, ambasadori Soreca është shprehur disa herë për nevojën e dialogut. Kështu, duke folur për radion gjermane Deutsche Welle më 14 shkurt 2019, ai ka thënë se BE bën thirrje për protesta paqësore, por jo dhunë në manifestimin e planifikuar nga opozita për datën 16 shkurt. “Shqipëria duhet të fokusohet te detyrat që ka përpara dhe të gjitha palët duhet të bashkëpunojnë. Nuk ka kohë për të humbur, është koha për të shprehur mendime dhe pastaj të mendojmë për të mirën e të gjithë shqiptarëve”, theksoi ai.

ME 19 shkurt pason intervista e tij dhënë televizionit Top Channel, ku Soreca është shprehur se Parlamenti nuk duhet të bojkotohet dhe për të zgjidhur problemet nevojitet dialog. Ai tha se “largimi nga Kuvendi nuk e çon vendin në drejtimin e duhur. Në të kundërt, bie ndesh me interesat e qytetarëve. BE i kërkon mazhorancës dhe opozitës të dialogojnë dhe të ulin tensionet”.

Në intervistën për Radiotelevizionin publik shqiptar më 2 prill deklarata e radhës ishte ajo se “unë besoj fuqimisht se kultura e kompromisit duhet të bëhet një tipar integral i jetës politike në Shqipëri. Është koha që dy palët politike të ulen sëbashku për të mirën e vendit dhe në prag të eventit të rëndësishëm të qershorit. Tani është koha”.

Sërish për Deutsche Welle-n më 7 maj: “Dialogu është në interes të qytetarëve shqiptarë të cilët dëshirojnë që ky vend të ecë përpara”.

Ndërkohë, pas bërjes fakt të largimit të opozitës nga Kuvendi dhe braktisjes së mandateve të deputetëve të saj, Soreca tha për televizionin Ora News më 10 maj se “ne respektojmë lënien e mandateve, por opozita duhet të dialogojë”.

Duke shtuar më 30 maj për televizionin Vizion Plus se partitë duhet të ulen sa më shpejt që të jetë e mundur në një dialog pa kushte.

Kjo ide është shprehur edhe në intervistën dhënë rrjetit televiziv Euronews më 7 qershor 2019, kur diplomati evropian thekson: “Është moment që politikanët shqiptarë të vendosin si përparësi të tyre dëshirat e qytetarëve”.

Shtatë evente publike

Ambasadori Soreca është shprehur publikisht edhe në shumë evente publike lidhur me nevojën e dialogut midis partive politike. Në të gjitha rastet, fjala e tij është transmetuar nga të gjitha kanalet televizive shqiptare. Kështu, më 20 shkurt, pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ai ka deklaruar se “unë i thashë Bashës se është shumë e rëndësishme të dialogohet”.

Më 22 shkurt, nga Korça ai tha se “nuk mund të ketë integrim në Bashkimin Evropian pa një dialog të mazhorancës me opozitën”.

Vijon deklarata e datës 26.02.2019: “Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në një dialog konstruktiv”.

Më pas, më 3 mars: “Ne kemi bërë thirrje për dialog. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor”.

Më 8 prill, vjen prononcimi i radhës, ku Soreca shprehet se “tani është koha për kompromis; qeveria dhe opozita duhet të takohen në mes të urës. Mendoj se kjo urë ekziston, duhet vetëm të gjendet se ku është ajo”.

I njëjti mesazh përcillet më 18 prill (“tani është moment për dialog”).

Ndërsa më 29 maj ai deklaron se “partitë duhet të lenë mënjanë ato çka i ndajnë”.

Tetë postime në Twitter

Vijojnë postimet në Twitter. Më 14 shkurt ai ka shkruar se “Shqipëria ka nevojë të përqendrohet tek detyrat që ka përpara dhe palët duhet të bashkëpunojnë. Po të flasësh pa dhunë, zëri yt ka për t’u dëgjuar”.

27 shkurt: “Takimi i parlamentarëve evropianë me liderët e opozitës; të angazhohemi në diskutime konstruktive për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale politike”.

Më 5 prill ai shkruan se “është momenti që dy palët politike të ulen së bashku për të mirën e vendit. Drejtorja Calavera Cruz takoi përfaqësuesit e partive opozitare për të shkëmbyer mendime mbi situatën politike në Shqipëri në perspektivën e Raportit Vjetor të Komisionit për vitin 2019.

Ndërkohë, po atë ditë ai përsërit postimin e zonjës Calavera se “ne presim që të rinisë një dialog konstruktiv ndërpartiak, shumë i rëndësishëm që qeveria të ecë pa probleme drejt zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it”.

Ndërsa më 11 prill ai ka bërë thirrje për një përpjekje më të madhe të të gjitha palëve që të sigurojnë zbatimin e rekomandimeve të tjera të OSBE/ODIHR-it.

Më 30 maj, në Twitter Soreca deklaron se “Parlamenti është vendi ku të kapërcehet polarizimi i palëve të përçara dhe ku të gjehet një konsensus i fuqishëm kombëtar për përparësinë kryesore të integrimit në BE. Një përpjekje kolektive për të bashkuar të gjitha palët për këtë objektiv aq të rëndësishëm për popullin”.

Më 18 qershor postimi i përfaqësuesit diplomatik të Bashkimit Evropian në Shqipëri bën thirrje që “të rifillojë sa më shpejt dialogu mes të gjitha palëve dhe të kapërcehet situata aktuale politike, që t’i jepet mundësia Shqipërisë të vazhdojë rrugën e saj drejt BE. Nuk ka më kohë për të humbur”.

Dhe, në prag të zgjedhjeve, më 28 qershor, ai rithekson se “është momenti të tregohet një vullnet dhe shpirt kompromisi për përfitimin afatgjatë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”.

Dy fjalime dhe 7 deklarata publike

Në fjalën e tij në konferencën “Të përgatitim dhe mbështetim Shqipërinë në procesin e aderimit në BE”, më 28 shkurt, Luigi Soreca deklaronte se “mesazhi ynë dhe europarlamentarëve që vizituan Tiranën është që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive. Palët duhet të ecin së bashku në interes të shqiptarëve”.

Ndërsa me rastin e prezantimit të Progres Raportit 2019, më 29 maj, ai theksoi se “kërkohet që palët të gjejnë një konsensus të fuqishëm kombëtar, të kapërcejnë polarizimin dhe të tregojnë vullnet politik përtej dasive partiake”. Me të njëjtën frymë ai është shprehur edhe në shtatë raste të tjera të deklaratave publike nga 21 shkurti në 28 qershor.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Hinglateri: 06/07/2019 09:17

    Meta eshte bere si qente e rruges te gjithe se pje... te gjithe e perbuzin

    Përgjigju
  • tori: 06/07/2019 09:16

    Eshte e vertete qe ka kerkuar dialog ne nje vije me Ramen qe data 30 qershor nuk negociohet.Per cfar tjeter duhej dialogu?

    Përgjigju
  • Erik: 06/07/2019 09:02

    Meta si skuth qe eshte organizonte vizita idiote jashte shtetit ne ditet e protestave dhe dikur kur agravonte situata bente ndonje status per qetesi dhe vetpermbajtje pa denuar asnjehere dhunen e protestuesve. Asnje thirrje per dialog, asnje perpjekje per t'i ulur palet. Vetem kur e pa sa i pafuqishem ishte per te ndalur 30 qershorin, i dergon Rames nje ftese per te lare gojen shoqeruar me nje leter per reflektim nga ana e Rames. Teper vone z. President, loja jote kishte marre fund. Ne 21 janar 2011 i quajti ata qe protestonin kokepalare, ndersa kesaj rradhe qe ishte vete organizator, foli vetem per dhunen e uniformave blu me gaz lotsjelles, sepse molotovet dhe fishekzjarret i dukeshin pjese e argetimit. Burre palaço qe do hyj ne historine e Shqiperise si hajdut, skuth dhe ne fund si budalla qe iu vu perballe partnereve nderkombetar si nje Don Kishot tipik ballkanas.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?