Fatmir Mediu dhe shpërthimi i Gërdecit

Kronikë

Fakte dhe gjurmë/ Pse është tmerruar Fatmir Mediu nga hapja e dosjes së Gërdecit, implikimi dhe si veproi për llogari të Shkëlzen Berishës, provat që u injoruan në 2009  

4 Nëntor 2021, 16:52| Përditesimi: 4 Nëntor 2021, 18:56

  • Share

TIRANË- Ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu u shfaq dje i shqetësuar në një konferencë për shtyp, bashkë me avokatin e tij Ardian Visha, teksa sulmoi SPAK, Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe Gjykatën e Lartë për hapjen e dosjes së Gërdecit, krim i cili sipas Mediu është gjykuar një herë. Mediu e konsideroi hapjen e dosjes si të nxitur politikisht, ndërsa deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me përfituesit nga demontimi i municioneve në Gërdec, biznes i cili, për shkak të korrupsionit të lartë shtetëror, prodhoi 27 viktima, 300 të palosur dhe qindra shtëpi dhe biznese të rrafshuara.  

Po si qëndron e vërteta e rolit të Fatmir Mediut në biznesin e vdekjes në Gërdec? 
Një grup faktesh dhe provash, të cilat do t’i rendisim më poshtë dhe që janë injoruar nga Prokuroria në vitin 2009 për shkak të presionit të Sali Berishës, konfirmojnë se Fatmir Mediu ishte zbatuesi i skemës së korrupsionit në Gërdec, pas të cilës qëndrojnë Sali Berisha me të birin, Shkëlzen Berisha, që të dy të pa hetuar asnjëherë nga organi i akuzës. 

Deri më sot nuk ka prova që Mediu të ketë përfituar personalisht të ardhura nga biznesi i demontimit të municioneve në Gërdec, por ka fakte se ka vepruar për llogari të interesave të djalit të ish-kryeministrit, i cili edhe në këtë histori del si sekser mes kompanive të demontimit dhe Mediu, i cili kishte si shef babanë e Shkëlzenit, Sali Berishën. 

Kjo ndoshta është edhe arsye se pse Fatmir Mediu, për 12 vite me radhë, i është shmangur gjykimit për përgjegjësinë e tij, herë duke e fshehur pas imunitetit dhe herë pas manovrave procedurale. Edhe pse dosja e prokurorisë ndaj tij ishte gjysmake, ai kurrë nuk pati guximin për të pranuar shqyrtimin e rolit të tij nga trupë gjykues, edhe pse drejtësia, deri në vitin 2018, ka qenë nën influencën e Berishës. 

Po cilat janë provat konkrete që konfirmojnë se Mediu ka vepruar për llogari të Shkëlzen dhe Sali Berishës?! 
1. Shkëlzeni hyn dhe del shpesh në zyrën e Mediut 
Para përgatitjes së dokumentacionit për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec jashtë çdo kushti sigurie, në zyrën e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut ka hyrë dhe dalë shpesh Shkëlzen Berisha. Gjatë hetimit pas tragjedisë, prokuroria ka sekuestruar blloqet e shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut, ku shënoheshin emrat e njerëzve që takonin ministrin. Në këto fletë blloqesh del emri i Shkëlzen Berishës, i cili ka takuar Mediun në datat 18 mars 2007 si dhe në datat 17, 18, 19 dhe 20 korrik 2007. Takimi i parë i dokumentuar është zhvilluar dy muaj para se Mediu të firmoste urdhrin për t’i hapur rrugë demontimit.  

Ç’punë kishte Shkëlzen Berisha në zyrën e Fatmir Mediut? 

Prej 12 vitesh, Mediu dhe Shkëlzeni nuk i janë përgjigjur kurrë kësaj pyetje. As prokuroria në 2009 nuk e pyeti Shkëlzen Berishën se përse shkonte në zyrën e Mediut. Kësaj pyetje mund t’i japë përgjigje vetëm SPAK. 

2. Mediu nis lëvizjet për ngritjen e fabrikës së vdekjes
Teksa Shkëlzen Berisha frekuentonte shpesh zyrën e tij, Fatmir Mediu kishte çuar në qeveri propozimin për t’i dhënë kontratën e demontimit kompanisë, pronari i të cilës kishte lidhje të tërthorta me  Shkëlzen Berishën. Ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve do ta bënte kompania e Alba Demil e Mihal Delijorgjit, i cili kishte lidhje me Shkëlzen Berishën, lidhje kjo e provuar nga tabulatet telefonike. Mediu synonte të kontraktonte drejtpërdrejt kompanitë e lidhura me Shkëlzenin për këtë proces, duke evituar një garë tenderuese, e cila mund t’u hapte punë. 

3. Mediu debaton me Boden në qeveri 
Një procesverbal i mbledhjes së qeverisë Berisha, i datës 17 shkurt 2007, konfirmon angazhimin dhe zellin e Fatmir Mediut për të finalizuar sa më shpejt ngritjen biznesit të demontimit të municioneve në Gërdec nga kompanitë që kishte në kokë. Ridvan Bode, në atë kohë ministër Financash, i kërkon Mediu se duhet të zhvillojë një tender për këtë proces. 

Nga ana e tij, Fatmir Mediu shfaqet nervoz, pasi vendimi i tij po diskutohej gjatë në drejtorinë juridike të qeverisë. Në një moment, i nervozuar nga ndërhyrja e Bodes, Mediu ‘kërcënon’, duke thënë “Ore shtyjeni, doni ta lini! Lëreni fare!”. 

Gjatë kësaj mbledhje, Mediu shprehet se “E kam parë unë këtë, që ministria e bën vetë, por ka tri javë që diskutohet me drejtorinë juridike në Këshillin e Ministrave. Ju i bëri sot për një sekondë, kur ka tri javë që diskutohet. Kompania ka një muaj që ka ardhur dhe ka paraqitur ofertën, ka diskutime, dmth intensive me juristë të Këshillit të Ministrave, me juristët tanë për të gjetu4r zgjidhjen. Kjo është zgjidhja që na kanë ofruar të dyja palët. Ridvani bën juristin dhe financierin. Të kthej përgjigje me shkrim. Të bëhet ballafaqimi...”. 

Ky qëndrim nuk lë shumë vend për dyshime: Fatmir Mediu e ka përcaktuar kompaninë që do të kryejë demontimin dhe kërkon finalizimin sa më parë të procesit. Ndoshta Bode nuk e dinte se pas qëndronte Shkëlzen Berisha! 

4. Maj 2007, Mediu urdhëron ngritjen e biznesit të vdekjes  
Mediu i bën presion qeverisë për të miratuar kontratën pa tender me kompanitë e lidhura me Shkëlzenin. Berisha edhe pse në dijeni, bën të paditurin. Kërkesa kundërshtohet nga ministri Bode dhe zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, që të dy të ndëshkuar më pas nga Berisha. Në këto rrethana, qeveria autorizon Ministrinë e Mbrojtjes, disa ditë më pas me vendimin nr. 138. Me 
urdhrin nr. 550, datë 25.04.2007, Mediu i hap rrugë demontimit në Gërdec, ndërkohë që takimet me Shkëlzenin i kishte nisur që në mars 2007.  Terreni do të përgatitej nga Mihal Delijorgji dhe vajza e Fahri Balliut, ndërsa demontimi do të bëhej nga i kompania amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila lidh një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec. Kompania përfaqësohej nga Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës. Pra, lidhjet e Shkëlzenit nisin dhe bëhet të shumëfishta. 

5. Mihal Delijorgji nisi punën në Gërdec para urdhrit të Mediut 
Përfituesit nga demontimi i paligjshëm në Gërdec e kishin konsideruar si një proces të mbyllur çështjen e miratimit të procedurës për ngritjen e fabrikës së demontimit. Kompania e  Mihal Delijorgjit kishte nisur punimet për përgatitjen e terrenit në Gërdec, para miratimit të urdhrit nga Mediu në 25 prill 2007. Beqir Prini ishte rojë në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Pini ka dëshmuar se ka nisur punë në fabrikë që në shkurt, atëherë kur nuk kishte asnjë vendim qeverie dhe asnjë urdhër të ministrit të Mbrojtjes për të nisur punë fabrika e demontimit.

6. Ushtarakët denoncojnë veprimet e paligjshme, Mediu hesht 
Komandanti i Policisë Ushtarake, Astrit Jaupi, denoncoi tek Fatmir Mediu dhe ish-shefi i Shtabit, Luan Hoxha, prishjet e paligjshme të godinave ushtarake në Gërdec nga kompania e Delijorgjit, për të ndërtuar fabrikën e vdekjes. Kjo shkresë, e cila u injoruar, tregon se gjithçka po bëhej në mënyrë jo të rregullt dhe nën ndikimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila në këtë rast punonte për një biznes, për të cilin ishte interesuar Familja Berisha. Mediu, edhe pse është njohur me këtë shkresë, nuk ka marrë asnjë masë, pasi kishte punuar që ky proces të zhvillohej në këtë mënyrë. 

7. Mediu favorizoi kompanitë e lidhura me Shkëlzenin 
Ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka favorizuar në mënyrë flagrante kompanitë private SAC-Alba Demil, duke u paracaktuar në tavolinë dy kompanitë për demontimin dhe duke u garantuar atyre fitim maksimal. Urdhri Mediu për t’i hapur rrugë demontimit ka shpërfillur rregullat bazë të sigurisë, duke pasjellë shpërthimin me pasoja katastofale. I vetëdijshëm për këtë përgjegjësi, Mediu ka zgjedhur rrugën e shmangies së drejtësisë me procedura. 

8. Mediu u alarmua nga investigimi i gazetarit të New York Times
Një reporter i New York Times erdhi në Tiranë në vitin 2008, para shpërthimit, pasi Kosta Trebicka kishte folur për aferën. Kosta Trebicka ishte kontraktuar fillimisht nga kompania tjetër amerikane AEY e Efraim Diverolit, për paketimin e fishekëve. Diveroli do të blinte fishekët për 2 cent, duke ia shitur ushtrisë amerikane për 4 cent. Meqenëse ishin kinezë, fishekët ripaketoheshin. Ushtria amerikane e kishte të ndaluar të blinte fishekë kinezë.

 Kur Kosta Trebickën e nxorën jashtë loje, ai nisi të fliste. Trebicka foli për media ndërkombëtare për aferën, ndërsa akuzoi Shkëlzen Berishën se e kishte nxjerrë jashtë loje, për t’i dhënë ripaketimin mikut të tij Delijorgjit. 

Për të investiguar më tej, në Tiranë zbarkoi një gazetar i Neë York Times, i cili kërkoi që të intervistonte Mediun. Për këtë rast, gazetari amerikan Guy Laëson, në librin e tij për Gërdecin “Armët dhe çunat” shkruan se “Ministri Mediu e pa çuditshëm, bërtiti e ulëriti. E gjithë kjo është filmuar nga një kameraman i ri shqiptar që punonte në Ministri. Atë natë Mediu, kërkoi një takim me ambasadorin Ëithers. Ajo që ndodhi në atë takim është subjekt i disa polemikave, por e sigurt është se ndodhi një gjë; Mediu urdhëroi që të gjitha municionet e kalibrit të vogël AK-47 në aeroportin e Tiranës të zhvendoseshin, në mënyrë që kur gazetari i Neë York Times të shkonte të nesërmen, të mos i gjente”. 

Me gjithë përpjekjet e Mediu për ta ndaluar, në Neë York Times u publikua artikulli për Gërdeci. Sali Berisha e konsideroi gazetën ‘letër higjenike’. Të gjithë këto rrethana konfirmojnë se Mediu dhe Berisha ishin në dijeni deri në detaje për korrupsionin në Gërdec, madje janë përpjekur që ta fshehin. 

9. Tabulatet, Mediu i telefonon Shkëlzenit pas shpërthimit 
Një tjetër provë e pakontestueshme, e injoruar nga prokuroria, janë veprimet e Fatmir Mediut pas shpërthimit të Gërdecit, një tragjedi e paralajmëruar. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Telefonatën e parë, Mediu e bën me Shkëlzenin në orën 14.08 minuta. Në orën 16.31 minuta, Mediu ka folur sërish 37 sekonda me Shkëlzen Berishën. 10 minuta më pas ka follat përsëri 32 sekonda. Atë ditë Mediu ka zhvilluar një bisedë të katërt me Shkëlzenin, në orën 5 të pasdites dhe ka zgjatur 56 sekonda. Për 13 vjet më radhë, Mediu dhe Shkëlzeni nuk kanë folur kurrë për këto telefonata dhe as nuk janë pyetur nga drejtësia. Pse Mediu duhej t’i telefononte Shkëlzenit pas shpërthimit?! Edhe kjo pyetje deri më sot nuk ka marrë përgjigje. 

 Blloku i shënimeve të sekretares së Fatmir Mediut për takimet me Shkëlzenin

 Procesverbali i qeverisë, Mediu kërkon miratimin e vedimit për punishten e demontimit dhe debaton me Ridvan Boden
Ushtarakët denoncojnë veprimet e arbitrare të Deliorgjit në Gërdec 
 

Tabulatet, telefonata e Mediut me Shkëlzenin 

 Pushimi me procedurë i çështjes ndaj Mediut në 2009 

Vajza e Fahri Balliu, aksionere në kompaninë që ndërtoi fabrikën në Gërdec

Shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari përfaqësues i kompanisë së demontimit

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mala: 05/11/2021 12:08

    Shkurt e shqip.Nuk ka asnje kuptim logjik,juridik,politik e kombetar e njerezor qe, ngjarja ne Gerdec me gjithe ate shkatrrim te vlerave material dhe humbjeve dhe demtimeve njerezore nje kabinet qeveritare me Kreyeminsiter dhe gjithe minsitrat,ate te drejtesise,te mbrojtjues dhe puneve te mbredeshme e te mos hulumtoh et,gjendet shkaku dhe af jatri i kesaj katrah ure ne mjedis te dites me diell dhe ende te heshtet e mbyllen gjerat qe popullit i ka kushtuar me fatalitet.

    Përgjigju
  • Iris: 05/11/2021 02:04

    E tere kjo histori eshte plot probleme.Thjesht pse Shkelzeni e ka vizituar shpesh Mediun para se te behej kontrata,dhe thjesht pse ka folur ne tel.menjehere pas shperthimit disa here,keto, avokatet kane per t'i konsideruar si rastesi.Nuk eshte e thene se patjeter qellimi i takimeve dhe telefonatave ishte Gerdeci.Duhet gjetur kush i mori parate,duhet gjetur nese ka dicka te shkruar qe i lidh te gjitha fijet.Urdhera jane dhene,vendime jane marre,por duket qe te interesuarit i kane bere keto gojazi,shqiptarce le te themi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?