Ka ardhur nga Italia në Tiranë për të qenë pjesë e koncertit të parë të festivalit “Different Trains” 2019 që u dha mbrëmë në Kishën Katolike ” Zemra e Krishtit” në Tiranë. Violinistja Fatlinda Thaçi jeton dhe ushtron aktivitetin si instrumentiste në Itali dhe është prej kohësh spala e violinave të para e Orkestrës “I Pomeriggi Musicali.” Ajo ka studiuar fillimisht me të mirënjohurin Robert Papavrami për të filluar studimet më pas në Konservatorin e Milanos si dhe me Akardon në Kremona. Në vitin 1996 studion në “Chigiana” me Brengolën. Fatlinda është fituese e shumë çmimeve të para ndër të cilat edhe konkursin e Muzikës së Dhomës në Grosseto me pianisten Elda Laro. Nga vitet 1996 – 1999 ajo është spala e violinave të para në Orkestrën Simfonike të Milanos “G. Verdi” e gjithashtu zhvillon një aktivitet të pasur në muzikën e dhomës.
Fatlinda, ku e zhvilloni karrierën tuaj aktualisht?
-Unë jetoj në Milano dhe jam duke punuar në me Orkestrën Simfonike të Milanos. Prej vitesh jam atje koncertmaestër. Në milano tashmë jetoj edhe me familjen time. Pas shumë përpjekjeve tani jam shumë mirë atje.
Shkollimin e parë ku e keni kryer?
-Shkollimi im i parë ka qenë këtu në Tiranë, në Liceun Artistik dhe më pas nisa të studioja në Konservatorin e Milanos.
Fatlinda Thaçi
Në Itali ka shumë instrumentistë shqiptarë, sa mbresëlënës janë ata kur shkojnë nga shkollat shqiptare në ato italiane?
-Janë të jashtëzakonshëm, jo vetëm si talente në shkollë, por edhe në skenat italiane. Dua ta theksojë se ky shkëlqim vjen nga fakti se keni një shkollë shumë të mirë muzike në Tiranë. Të gjithë shqiptarët instrumentistë që shkojnë jashtë, pra të gjithë që unë i njoh janë shumë të mirë dhe i respektojnë të gjithë.
Më duhet të bëjë një pyetje, a e ke pasur të lehtë integrimin. Dhe këtë pyetje e bëj jo aq për diferencat mentale, sesa për ato ekonomike, për ju që shkoni nga nj vend shumë i varfër në Itali?
-Vështirësitë kanë qenë dhe këtë nuk mund ta mohoj. Kur shkova në Itali, së pari unë përjetova një tronditje psikologjike, që u largova nga familja ime, domethënë u çrrënjosa nga vendi im. Por atje më kanë ndihmuar shumë edhe profesorët italianë, edhe miqtë. Italianët nuk ndryshojnë shumë nga ne dhe të krijojnë një atmosferë miqësore, shumë alegri, dhe janë shumë të komunikueshëm e të bëjnë të mos ndihesh e veçuar. Unë dua të theksoj edhe ndihmën që më është dhënë nga profesor të shquar italianë si Umberto Olivetti, që më ka ndihmuar shumë, e shumë e shumë të tjerë. Kështu, unë gradualisht jam integruar në jetën italiane që nuk është shumë e ndryshme nga jeta jonë. Tani jam shumë mirë, por nuk ka qenë kështu në fillimet e mia. Ato kanë qenë fillime të vështira si për të gjithë shqiptarët që kanë sukses në skenat italiane.