Kronikë

Fatmir Mediu në dorë të SPAK, zbardhet vendimi i GJKKO: Nuk është çështje e gjykuar, heqja e imunitetit i hap rrugë procesit

12 Tetor 2021, 12:54| Përditesimi: 12 Tetor 2021, 15:47

  • Share

Përmes një vendimi të marrë më 24 shtator, GJKKO ka rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda për gjykim të Fatmir Mediut. Vendimi është marrë në apelin e GJKKO e cila ka rrëzuar një vendim të mëparshëm të shkallës së parë.

Sot ky vendim është zbardhur i plotë dhe është publikuar, ndërsa brenda javës  pritet që çështja të merret në shqyrtim nga GJKKO

Në vendim thuhet se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.

“Nuk është gjë e gjykuar. Afatet e parashkrimit janë respektuar se është marrë i pandehur që në vitin 2009. Pengesa e imunitetit ishte përkohshme. Rënia e kushtit për pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Në lidhje me afatin e parashkrimit të çështjes, GJKKO sqaron në vendimin e saj se brenda afatit 10 vjeçar që duhet për të parashkruar një çështje, Mediu është marrë në cilësinë e të pandehurit në 2009.

“Neni 66 i Kodit penal, dispozitë e cila për rastin konkret, në mënyre eksplicite parashkruan se ‘nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së përsipër si të pandehur kanë kaluar 10 vjet nga krimet që parashikojnë dënimin nga 5-10 vjet burgim. Ndjekja penale ndaj Fatmir Mediut nuk është shuar, pasi brenda afatit kohor 10 vjeçar nga kryerja e veprës penale ai mori cilësinë e të pandehurit në gjykim penal të ngritur përkundrejt tij”, thuhet në vendim e GJKKO.

GJKKO ka rikthyer sot për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 13 vite pas tragjedisë, familjet e viktima sot iu rikthyer shpresa mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre. Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

Çfarë parashikon neni 66 i Kodit Penal

Neni 66

Parashkrimi i ndjekjes penale

Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si

të pandehur kanë kaluar:

a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër

më të rëndë;

b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;

c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;

ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;

d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?