Konferenca për shtyp pas Samitit të Procesit të Berlinit

Fatos Çoçoli: Berlini dhe Ballkani i Hapur: dy vëllezër siamezë!

3 Nëntor 2022, 22:43| Përditesimi: 3 Nëntor 2022, 22:47

  • Share

Sot në Samitin e Berlinit, në praninë e kancelarit gjerman Olaf Schulz dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, drejtuesit e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovines, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë firmosën Marrëveshjen mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor, Marrëveshjen mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Europën Qendrore.

Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me një fond disa qindra milionë euro, i cili do të livrohet menjëherë, për të përballuar emergjencën e furnizimit me energji elektrike në këtë dimër shumë të vështirë 2022-2023. Shqipëria do të marrë 80 milionë euro, ndërsa Kosova 75 milionë euro.\

Ç’është Procesi i Berlinit?

Qëllimi i Samitit të sotëm, sipas zyrtarëve të lartë të qeverisë gjermane, është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen edhe me shume anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky proces ka nisur në vitin 2014, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Nën udhëheqjen e Merkel, në gusht 2014, u organizua në Berlin një Konferencë e Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor. Konferenca synonte të tregonte angazhimin e palëkundur politik të Bashkimit Evropian për zgjerimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor.

Konferenca e Berlinit ishte pika fillestare e krijimit të të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit”. Nisma ka për qëllim përmirësimin e qeverisjes së përbashkët ekonomike rajonale - në kuadër të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor – duke hedhur themelet për një rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme.

Procesi ka provuar të kontribuojë në forcimin e një mjedisi të shëndoshë ekonomik dhe të strukturave të besueshme politike, ligjore dhe shoqërore në këto vende. Ai ka një axhendë – të njohur si “Agjenda e Berlinit” –, e cila fokusohet kryesisht në qeverisjen ekonomike dhe projektet e ndërlidhjes infrastrukturore.

Axhenda përdor programet ekzistuese të financimit, si Kuadri i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, institucione dhe mekanizma si Komiteti Kombëtar për Investimet, Grupet Sektoriale të Punës, Lista e Vetme e Projekteve Prioritare Strategjike, etj., për të identifikuar, përzgjedhur dhe mbështetur financiarisht nismat rajonale, përfshirë këtu dhe projektet infrastrukturore dhe “masat e buta”. Agjenda e Berlinit është e harmonizuar me politikat përkatëse të BE-së, nëpërmjet nismave ekzistuese si TEN-T, SEETO ose PIKE.

Ndër qëllimet kryesore të këtij procesi janë përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Procesi përqëndrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Ç’është Ballkani i Hapur?

Nisma për krjimin e Ballkanit të Hapur, ose njohur ndryshe si Mini-Schengen, është propozuar për herë të parë nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano në fillim të viteve 1990. Kjo iniciativë synonte përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike mes vendeve të rajonit.

Planet konkrete për krijimin e Open Balkan u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë. Më pas pati dy takime të tjera të drejtuesve të Serbise, Shqiperise dhe Maqedonise se Veriut,  më 11 nëntor 2019 në Ohër dhe më 12 dhjetor 2019 në Tiranë. Më 29 korrik 2021 në Ohër, Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan marrëveshjen për liberalizimin e qarkullimit të mallrave, unifikimin e tregut të punës dhe bashkëpunimin kundër katastrofave. Deri tani, pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm këto tre vende ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen.

Tabela 1. Ballkani i Hapur: ç’fitojmë?

Nr.

Veprimi

Viti i ndodhjes

Cilesim

1

Shengeni i madh

Më 14 qershor 1985, në qytetin e Shengenit(Schengen) në Luksemburg, Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) nënshkruan Marrëveshjen për Qarkullimin e Lirë të qytetarëve të tyre. Kjo dakordësi u quajt Marrëveshja e Shengenit.

 

1985-2022

- Në 37 vjet, anëtarët janë rritur me pesë herë! Janë 28 shtete anëtare(mes tyre edhe Zvicra!)

- Në 37 vjet, ekonomia e secilit shtet anëtar të Shengen është rritur me 0.2-0.4% në vit, nga qarkullimi i lire. Totali i përfitimit: 189 miliardë euro

 

2

Ballkani i hapur (Shengeni i vogel), me tregti të lirë, pa pengesa burokratike, do të thotë një treg 18 milionë vetë! Fitojmë në:

a)      Tregti më shumë me njeri-tjetrin

b)      Investime më shumë tek njeri-tjetri

c)       Investime të huaja më shumë.

2020-2022

-Arritja më e madhe në Samitin e Tiranës 19-20 dhjetor 2021: BE njeh dhe përshëndet Ballkanin e Hapur

- Nëse të 6 ekonomitë e Ballkanit JugPerëndimor bëjnë “Shengenin” e tyre, rritja ekonomike mesatare për seicilin vend shtohet me 0.7% çdo vit

- Në tregun 12 milionë banorë të tre vendeve anëtare të Ballkanit të Hapur sot, rritja ekonomike shtohet me 0.4%

- Totali i përfitimit për vitin 2022: 78 milionë euro

 

Në dhjetor 2021, në Samitin e Ballkanit të Hapur në Tiranë, Bashkimi Evropian, në personin e Komisionerit (Ministrit) të Fqinjësisë dhe Zgjerimit të BE-së, Oliver Varhelyi përshëndeti, njohu dhe mbështeti nismën “Ballkani i Hapur”. Deri në atë kohë, përfaqësues të ndryshëm të rëndësishëm të Evropës së Bashkuar kishin folur për integrimin rajonal dhe Procesin e Berlinit, duke thënë se çdo iniciativë që ndihmonte këtë proces ishte e mirëpritur, por pa e përmendur në emër “Ballkanin e Hapur”.

Pse BE mbështet Ballkanin e Hapur?

Nga dhjetori 2021, mbështetja e Bashkimit Evropian për nismën është realitet. Merr kështu kurajë dhe forcë ideja dhe planet për krijimin e tregut të përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Pra, të krijohet një zonë e bashkuar ekonomike. 36 vjet më parë, më 14 qershor 1985, në qytetin e Shengenit (Schengen) në Luksemburg, pesë shtete të Bashkimit Evropian (Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) nënshkruan marrëveshjen për qarkullimin e lirë të qytetarëve të tyre. Kjo dakordësi u quajt “Marrëveshja e Shengenit”. Në atë kohë, Bashkimi Evropian ishte i përbërë nga vetëm dhjetë shtete dhe të pesë shtetet e tjera (mes të cilave Italia me paqartësitë e saj qeverisëse të kohës, Greqia që sapo e kishte marrë veten nga “marrëzia”e kolonelëve në vitin 1974, Danimarka, etj.) i shikonin të pesë shengenistët me dyshim, duke ju frikësuar hegjemonizmit gjermano-francez. Pastaj këto frikëra nisin të davariten e të bien vetiu, sidomos pasi erdhën përfitimet e para dhe shumë të dukshme nga qarkullimi i lirë i qytetarëve, ndërkohë që tregu i përbashkët i kapitaleve, mallrave e shërbimeve funksiononte normalisht. Që nga zbatimi i marrëveshjes Shengen, vendet anëtare të saj e kanë parë prodhimin e tyre kombëtar të rritet mesatarisht me nga 2-3 përqind në vit.

Të ardhurat mesatare për frymë për një qytetar të zonës Shengen janë rritur me 3 mijë euro në 20 vitet e fundit. Nga viti 1985 e deri në vitin 2009, kur ia bashkua zonës Shengen edhe Zvicra, janë 28 shtetet nënshkruese të marrëveshjes, 25 shtete të Bashkimit Evropian dhe tre shtete jashtë BE-së.

Stepjet e sotme dhe kritikat e shigjetimet ndaj “Ballkanit të Hapur” të kujtojnë frikërat nacionaliste apo edhe politike të 36 viteve më parë të vetë Europës së Bashkuar. Evropa e Bashkuar pothuajse ka shpëtuar e tëra nga nacionalizmi i sëmurë sot. Për fat të keq, ai mbijeton ende në rajonin tonë, duke konsideruar tradhti shtrirjen e dorës dhe bisedimet për bashkëpunim rajonal, ose duke e kushtëzuar atë me kërkesa politike.

Tabela 2. Ballkani i Hapur: sfidat

Nr.

Lloji i sfidës

Cilësim

1

Sfida (edhe politike) numër Një:

* Rezistenca nga nacionalizmi i sëmurë

 

* Mosbesimi dhe frika nga dominimi serb

 

 

* Më shumë besim tek procesi

-Ndrojtja nga një dominim serb në rajon iu ngjan frikërave për dominimin gjermano-francez në vitin 1985 në BE. Morën kohë të largoheshin.

- Evropa e Bashkuar pothuajse ka shpëtuar e tëra nga nacionalizmi i sëmurë sot, për shkak të përfitimeve nga qarkullimi i lirë i njerëzve dhe kapitalit.

- E para që duhet të shërohet nga nacionalizmi i sëmurë dhe ndjesia se mos si-vëllezërit shqiptarë të Shqipërisë e kanë tradhëtuar me futjen në integrimin e Ballkanit të Hapur, është Kosova dhe qeveria e saj.

2

Sfida ekonomike numër Një:

Rrezik  real dëmtimi të sektorëve të ndryshëm të industrisë (p,sh. industria e miellit, e bulmetrave tek ne), etj.

- Kërkon politika të kujdesshme dhe të vendosura mbrojtjeje të përkohshme

Për këtë ndjenjë të devijuar, gjasat që qytetarët e gjashtë shteteve tona: Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë të punësohen ku të dëshirojnë në rajon, si dhe të udhëtojnë pa viza dhe kontrolle kufitare, nuk kanë rëndësi ose janë të dorës së dytë. Tregu i përbashkët dhe lëvizja e lirë e qytetarëve kanë luajtur në 37 vitet e fundit për Bashkimin Evropian rolin e motorëve të mirëfilltë të zhvillimit. Ja përse nisma e lëvizjes së lirë të qytetarëve në gjashtë vendet tona dhe e tregtisë së përbashkët pa pengesa doganore dhe burokratike është e destinuar të mos mbytet që në djep.

Ballkani i Hapur tashmë është realitet i prekshëm. Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur janë dy vëllezër siamezë, dy zhvillime gati identike që shkojnë në të njëjtin drejtim. Ndryshimi i vetëm qëndron që, tek i pari janë që të gjashtë vendet e Ballkanit. E mira absolute për rajonin do të ishte edhe pjesëmarrja e Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës edhe në “vëllain siamez”, të quajtur Ballkani i Hapur.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?