Për periudhën 1 korrik-10 gusht 2022, kemi patur mbi 1 milionë turistë me pashaportë jo-shqiptare(pra vizitorë të huaj safi) të hyrë në vend gjatë sezonit. Në Tiranë, këto ditë të vapës së gushtit, të qëllon të shohësh në rrugët e qytetit më shumë turistë se sa qytetarë të Tiranës. Vizitorët e huaj kanë fjalë të mira për shërbimet hoteliere, çmimet e arsyeshme dhe sigurinë ne destinacionet tona turistike.
2019-a u kalua si viti më i mirë turistik
Nga bilanci i gjashtë muajve të parë të vitit janar-qershor 2022, kemi 412 mijë vizitorë të huaj më shumë se viti më i mirë turistik i yni, 2019-ta. Ose 16.5 përqind më shumë. Ndërsa në vitin 2019 patëm 6.2 milionë vizitorë nga jashtë vendit dhe 2.8 miliardë euro të ardhura, duke llogaritur edhe çmimet e rritura të dhomave të fjetjes dhe të ushqimit me të paktën mesatarisht 25 përqind, i bie që për këtë vit, të arrijmë diku aty tek 7 milionë vizitorë nga jashtë dhe tek 4 miliardë euro të ardhura nga turizmi dhe sektorët e lidhur me të, ai i transportit dhe i ushqimit e pijeve(restorantet dhe baret).
Burimi: INSTAT
4 miliardë euro nuk janë pak, por afro një e katërta(23.8 përqind) e prodhimit tonë kombëtar. Një lajm i mirë, madje shumë i mirë për ne.
Nga na vijnë më shumë turistë?
Kemi 40 përqind më shumë turistë nga Kosova, në krahasim me vitin 2019, një të katërtën më shumë(23 përqind) vizitorë nga Maqedonia e Veriut, në krahasim me vitin 2021, 2.2 herë më shumë vizitorë nga Italia, 2.6 herë më shumë nga Gjermania, 2 herë më shumë nga SHBA, e me rradhë.
Burimi: INSTAT
Pjesa e luanit-turizmi bregdetar
Turizmi bregdetar edhe këtë vit do të luajë pjesën e luanit në industrinë tonë turistike, me 83-85% të të ardhurave gjithsejt. Rritje kanë edhe turizmi i natyrës dhe aventurës, si dhe ai kulturor e arkeologjik, por jo në përmasat e turizmit të rërës dhe detit. Oferta jonë turistike ende vijon të luhatet tek dy muajt më të frekuentuar të verës, korrikun dhe gushtin, me përqëndrim të lartë në vetëm dy gjysma muaji, 15 korrik-15 gusht. Edhe pse shtimi i turizmit është më shumë spontan dhe jo aq i varur nga dhjetëra minutat më pak që të duhen për të arritur në destinacionet tona turistike, kryesisht në bregdet, akset e reja rrugore në jug duhen përshëndetur. Ndërsa shtimi cilësor, hapi tjetër që presim në turizmin tonë, do të mund të vijë vetëm nga shtimi i ditëve të qëndrimit të vizitorëve në destinacionet tona turistike dhe nga shtimi i shpenzimeve, si ato për sporte ujore, ture eksplorimi, vizita kulturore e arkeologjike, ndërsa janë duke pushuar në bregdet.
Tre sfidat e turizmit shqiptar
Kemi vërtet këtë vit vitin më të mirë në turizëm, por nuk duhet të harrojmë tre gjëra, ndërsa si qytetarë i gëzohemi shifrave të shtuara të turizmit. Së pari, 59 përqind e familjeve shqiptare nuk përballon dot një javë pushime në bregdet. Një vit më parë, ky numër familjesh ka përbëre 38 përqind të totalit. Pandemia dhe çmimet e rritura kanë bërë që më shumë se një e pesta e familjeve tona të hyjnë në këtë kategori dhe tregues të trishtë. Këtë e konstaton lehtë dhe kur ecën rrugëve të qyteteve tona në këto ditë të para të gushtit, ku numri i njerëzve me lëkurë të bardhë është me herë më i shumtë se 5 apo dhjetë vite më parë. Së dyti, nga politika skandaloze e çmimeve në zonat më të nxehta(Palasë, Dhërmi, Jalë, etj.), këto destinacione, edhe pse në kulmin e sezonit, nuk janë plot. Janë jo pak, por mbi 2.5 milionë shqiptarë që i janë larguar vendit në periudhën janar-qershor 2022. Një pjesë jo e vogël në qershor, ka refuzuar bregdetin tonë, pikërisht për çmimet jashtëzakonisht të larta dhe një shërbim jo në nivelin e çmimit. Familjet shqiptare me të ardhura të mesme që mund të përballojnë një javë pushim në bregdet, po orientohen gjithnjë e më shumë nga destinacionet turistike të Turqisë, Greqisë dhe Malit të Zi, që, krahasuar me Dhërmiun dhe Palasën, janë edhe më të lira në çmim. Kjo duhet të na shqetësojë shumë të gjithëve, jo vetëm komunitetin e veprimtarëve turistikë të vendit. Së treti dhe kryesorja. Shporja e zabtuesve nga tokat e zëna në bregdet duhet të jetë masive. Në vend të plazheve të paligjshëm privatë, qeveria duhet të krijojë kudo ku lirohen tokat, plazhe publike. Shembulli i Pemës së Thatë në Sarandë duhet të ndiqet në të 440 kilometrat e vijës sonë bregdetare. Nëse kjo shporje bëhet masive, të jemi të sigurtë se një pjesë e mirë e 59 përqind të familjeve tona që nuk kanë mundësi tani që ta shonin bregdetin për një javë, do të arrijnë ta shohin edhe për dhjetë ditë në vitet që do të vijnë!