Foto ilustruese

Fatos Çoçoli: Kërpi mjekësor 150 milionë euro

12 Korrik 2023, 14:19| Përditesimi: 12 Korrik 2023, 22:07

  • Share

Bima e kërpit(emri shkencor “Cannabis Sativa”) është fibra më e vjetër e kultivuar në Shqipëri. Për dekada e madje shekuj me radhë, kjo bimë është rritur në shumicën e vendeve të botës për prodhimin e veshjeve, letrës, litarëve, rrjetave të peshkimit, ilaçeve dhe lëndës djegëse.

Deri në kohën kur nafta u bë një burim lënde djegëse(fillimi dhe mesi i shekullit të 20-të), shumica e llambave përdornin vaj të prodhuar nga farat e kërpit. Në këshillimin e tij publik, kryeministri këto ditë ka hedhur në diskutim me qytetarët (në formën e pyetjes 5 në pyetësor) idenë për mundësinë për të liberalizuar prodhimin dhe tregtimin e kërpit, thënë ndryshe, kanabisit, vetëm për qëllime mjekësore.

Do ia dalim me legalizimin e kanabisit mjekësor?

Një vend fqinj dhe shumë i ngjashëm me ne, Maqedonia e Veriut, e ka lejuar prodhimin dhe eksportin e kërpit për qëllime mjekësore që në vitin 2016. Edhe pse ky vend, njëlloj si ne, përpara këtij viti, kishte probleme me trafikimin e drogës së lehtë(hashashit), në vitet pas liberalizimit, nuk njohu rritje të dukshme të përdorimit dhe tregtisë së paligjshme të marihuanës. A duhet të ndjekim ne të njëjtën këtë rrugë? Prodhimi i kanabisit të ligjëruar(kryesisht për qëllime mjekësore) ka njohur një rritje spektakolare gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë pandemisë dhe dy viteve të tjera 2021-2022. Tregu botëror u rrit me 50.4% vetëm gjatë vitit 2020. Parashikimet janë që tregu mund të dyfishohet brenda më pak se një dhjetëvjeçari, deri në vitin 2031.

Tabela 1. Prodhimi i kanabisit mjekesor ne bote
-          2020:             6.82 miliarde USD
-          2021:             7.99 miliarde USD
-          2022:             9.88 miliarde USD
-          2023:             12.24 miliarde USD (parashikim)
-          2024:             15.62 miliarde USD (parashikim)
·         39 nga 51 shtetet e SHBA-ve e kanë liberalizuar kanabisin

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 39 shtete e kanë ligjëruar përdorimin e kërpit për qëllime mjekësore dhe 13 prej tyre edhe për qëllime vetjake. Në Bashkimin Evropian, janë 18 shtete anëtare që e kanë legalizuar kanabisin për produkte mjekësore.

Xhiro vjetor e kërpit mjekësor në BE llogaritet në disa miliardë euro.

Tabela 2. Prodhimi i kanabisit mjekesor ne BE
·         2020:     0. 88 miliarde euro
·         2021:     1.04 miliarde euro
·         2022:     1.28 miliarde euro
·         2023:     1.56 miliarde euro (parashikim)
·         2024:     2.16 miliarde euro (parashikim)
·         18 nga 28 shtete te Bashkimit Evropian e kane liberalizuar kanabisin per perdorim mjekesor

 Në Ballkan, e para që lejoi përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore ishte Kroacia, në vitin 2015.

Tabela 3. Prodhimi i kanabisit mjekesor ne Ballkan 2022
-          Kroacia                                 287 mln euro
-          Maqedonia e Veriut        122 mln euro
-          Greqia                                    98 mln euro 

Shembulli maqedonas

U ndoq menjëherë një vit më vonë nga Maqedonia e Veriut. Në shtetin fqinj, liberalizimi erdhi përmes ndryshimeve në Ligjin e Kontrollit të Barnave dhe Substancave Psikotrope. Me ndryshimin ligjor, vaji i kanabisit dhe disa medikamente të tjera më përqëndrim të lartë marijuane mund të merren në farmaci me anë të një recete mjekësore. Vetëm neurologët, radiologët, specialistët e sëmundjeve infektive dhe onkologët mund të prodhojnë receta për blerjen në farmaci dhe përdorimin e marijuanës mjekësore për pacientët.

Deri tani, në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 60 liçenca dhe janë 85 kompani që kultivojnë dhe përpunojnë kërpin, ose bimën kanabis sativa. Kultivimi bëhet në plantacione të rrethuara nga mure të larta me tela me gjëmba, me ndriçim natën dhe me roje të shumta sigurie.

Që nga legalizimi në shkurt 2016, industria e kanabisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut është rritur në një vlerë mbi 122 milionë euro. Kjo shifër pritet të dyfishohet brenda 3 viteve 2024-2026.

Ka dhe raste dhe kompani ku punët nuk kanë shkuar mirë. Gazetari investigativ  shqiptar Xhelal Neziri tregon nga Shkupi se “Projeksionet e kompanive ishin që brenda një viti kanabis të sillte një fitim të pastër prej 100 mln euro. Kishte një eufori në mesin e investitorëve dhe një pjesë e madhe e tyre vendosën të investojnë në këtë degë të re të biznesit në Maqedoninë e Veriut. Tani, 7 vite më pas, mund të them se pjesa më e madhe e tyre janë të dëshpëruar, pasi nuk kanë arritur të kthejnë as për së afërmi investimin. Është një aktivitet që ende nuk po lulëzon si duhet”.

Po tek ne, në Shqipëri?

Lind pyetja: po tek ne, në Shqipëri, tani që po liberalizohet kanabis, si do të shkojë? Për këtë duhen pyetur kompanitë e suksesshme shqiptare të bimëve mjekësore e aromatike, që kanë eksportuar vitin e kaluar 2022 një shifër rekord prej 60 milionë dollarësh. Një rritje të tregut në këtë sektor me rreth 23 përqind, në krahasim me një vit më parë. Gjithshka për shkak të pandemisë.

Vetëm këto kompani do të mund të thonë me vërtetësi sa janë gjasat që të përfitojmë nga kultivimi dhe tregtimi i kërpit si vaj mjekësor dhe koncentrat lulesh. Edhe pse ende nuk janë pyetur në publik, një pjesë e sipërmarrësve me eksperiencë gati 30 vjeçare në eksportet e sherebelës, rigoni i bardhë, trumzës së maleve, rozmarinës, dëllenjës së zezë, mërsinës, lulebasanit, etj., shprehen se nese merren vendimet e duhura dhe sigurohet ndihma dhe investimi fillestar nga buxheti i shtetit, prodhimi dhe tregtimi i kanabisit mjekësor dhe industrial tek ne mund të ngrejë në dy-tre vite një vëllim xhiro rreth 150 milionë euro.

Si dhe të hapë 8-10 mijë vende të reja pune në zonat e thella malore. Qeveria duhet ta ketë një plan për liberalizimin e kësaj bime tradicionale dhe me reputacion të tmerrshëm, për shkak të tregtisë së paligjshme të hashashit. Plan të cilin, pas tërheqjes masive të mendimit të qytetarëve(na kanë ardhur zarfat me pyetje tek shtëpia, me  një zarf më të vogël brenda, për ta postuar përgjigjen pa para në postë dy vite më parë), qeveria duhet ta bëjë sa më shpejt publik dhe të nisë hapat e menjëhershëm të zbatimit. Ligji përfaqëson hapin e parë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 13/07/2023 11:04

    duhet kontroll i forte nga qeveria me struktura perkatese

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?