Elbasan- Prej 3 dekadash fermeri, Osman Sula, nga fshati Jagodinë i Elbasanit merret me kultivimin e perimeve në sera. Sot ai ka dy hektarë sera, dhe është e punësuar gjithë familja.
Ka investuar në kultivimin e lakrës dhe tashmë që është koha e vjeljes shprehet i pakënaqur me çmimin e shitjes. Fermeri 60-vjecar thotë se tregtarët e marrin lakrën me 30 lek për kg, çmim që nuk justifikon mundin dhe shpenzimet e shumta, si plehrat kimike, fidanët, etj. Në këto kushte thotë ai rrezikoj falimentin.
“Ka rënë çmimi i lakrës së Brukselit. Ne nuk justifikojmë mundin as shpenzimet”, tha fermeri Osman Sula.
Tjetër shqetësim për fermerin nga Jagodina është mungesa e krahut të punës.
“Punëtorë nuk gjejme, ata pak të rinjtë që kanë mbetur nuk vijnë se duan paga të larta”, shprehet ai.
Fermeri kërkon nga shteti të ndalë abuzimin e tregtarëve të medhenj, ndryshe grumbulluesve që blejnë me çmime të lira tek fermret dhe shesin shtrenjtë tek konsumatorët.
“Tregtarët e mëdhenj duhet t’i kontrollojë shteti, sepse ne dalim me humbje, ndaj duhet të gjejë një zgjidhje”, tha me tej.
Zona bujqësore e Jagodinës njihet ndryshe si “Myzeqeja e Elbasanit”, por nuk ka pika grumbullimi ndaj fermerët i dërgojnë perimet në Lushnje. Transporti është një tjeter kosto e shtuar për ta.