Festat e fundvitit/ Report Tv vëzhgim në tregjet e Kukësit dhe Gjirokastrës! Tregtarët: S’ka blerës! Tkurret edhe numri i shitësve

Produktet kryesore për tryezën festive në tregun agro-ushqimor të Kukësit nuk janë rritur siç ndodh rëndom në prag festash, po gjithsesi fuqia blerëse mbetet e ulët. Shkak, sipas tregtarëve është emigrimi, ndërsa ata që kanë mbetur në Kukës, shumica janë të papunë.

“Çmimet më të lira se çdo herë tjetër! Mandarinat me 500 lek për kg, qepa 400 lek për kg, lakra 200 lek/kg, por nuk ka konsumatorë”. Ka ikur rinia kanë mbetur vetëm pleqtë”, thanë tregtarët.

“Pensioni më i lartë shkon 250 mijë lek në muaj dhe pensioni mesatar 150 mijë lek në muaj. Ne jemi këtu se të rinjtë janë në emigrim, edhe mua po të më jepet mundësia iki tek fëmijët”, tha një i moshuar, ndërsa një tjetër shprehet se “shitësit e blerësit tregojnë nivelin ekonomik të qytetit”. Sipas tij “këtë vit s’vjen era festa fare”.

Rënia e fuqisë blerëse ka sjellë dhe reduktimin e tregtarëve. Para 15 viteve në tregun më të madh të qytetit ishin 150 tregtarë ndërsa tani janë rreth 50, ç’ka tregon se hendeku i varfërisë po thellohet në qytetin verilindor.

E njëjta panoramë e zymtë është dhe në skajin jugor të vendit. Nga vëzhgimi i Report tv në tregun e fruta- perimeve të Gjirokastrës vihet re numri i ulët i blerësve. 

Tregtarët thanë se kanë më pak shitje se vitet e kaluara, ndërsa qytetarët ankohen se çmimet ditët e fundit kanë pësuar një rritje nga 20 deri në 30 lek për kg.

“50 mijë lek na dha qeveria shpërblim, mirë ishte të na jepte më shumë se pensionet i kemi ulëta. Megjithatë do marr një pulë e do e hamë bashkë me plakën për vit të ri”, tha një i moshuar. Ndërsa një tjetër shprehet se “çmimet e frutave në Pazar nuk janë shtrenjtë, ndërsa në markete janë rritur ndjeshëm ushqimet dhe bulmeti”.

Në tregun e fruta-perimeve të Gjirokastrës ka patur mbi 80 tregtarë ndërsa tashmë kanë mbetur rreth 20 të tillë, pasi pjesa më e madhe janë larguar nga vendi.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?