Për t’i shpëtuar rënies në lumë, fëmijët janë të detyruar t’i dalin përballë një tjetër rreziku... makinave që kalojnë me shpejtësi në rrugë. Kjo është rutina e përditshme për qindra banorë të lagjes “1 Maji-Kodër” në Fier, mes tyre dhe fëmijët që shkojnë në shkollë.
Katër vite më parë, parmakët e urës u dëmtuan si pasojë e një aksidenti rrugor.
“Këtu kalojnë fëmijët, mosha jonë. Është për çdo njeri e rrezikshme kjo urë, jo vetëm për një e për dy”, thotë një zonjë
“Qytetarët kalimtarë janë. Bien fëmijët aty pengohen, tremben nga makina dhe bien poshtë, dhe ja u bë e keqja”, thonë banorët.
Siç shihet në pamjet e Report TV, ura nuk shërben vetëm për lëvizjen e automjeteve në rrugën nacionale Fier-Vlorë, por dhe si trotuar për lëvizjen e këmbësoreve.
“Ka kohë që është prishur. E rrezikshme është që kalojnë fëmijë këtu dhe pleqëri. Kjo është rrugë kryesore dhe ja nuk është marrë asnjë masë deri tani”, tha një tjetër banor.
Banorët kërkojnë që Autoriteti Rrugor Shqiptar të ndërhyjë sa më parë për riparimin e urës mbi Gjanicë, përgjatë aksit Fier-Vlorë.