Sali Berisha dhe Lulzim Basha

'Finalja' Berisha-Basha për selinë më 8 janar, gozhda e fundit në ‘arkivolin’ e PD!

6 Janar 2022, 19:08| Përditesimi: 6 Janar 2022, 19:09

  • Share

Tashmë janë kthyer në një ritual të përditshëm vizitat e një grupi nga mbështetësit e Sali Berishës tek selia e PD. Madje dhe përballja me dyert e kyçura mirë e mirë nga ekspertët e Lulzim Bashës, është kthyer në një objekt barcaletash dhe “meme”-sh ditë pas dite.

E kanë mësuar përmendësh dhe shqiptarët se si grupi i Berishës vijon ritualin me leximin e një deklarate kundër “bunkerizimit PD” nga Lulzim Basha, duke paralajmëruar se dita e nxjerrjes së Lulit, Gazit, Ervinit etj, është 8 janari. Pra, afati i fundit i “skandencës” së ultimatumit të Berishës për Bashën që të lëshojë zyrat e PD.

Një ditë më parë deklaratën e bëri Flamur Noka, i cili u tregonte gazetarëve se të gjitha dyert e PD ishin mbyllur nga Lulzim Basha, duke e kthyer sipas tij këtë parti jofunksionale dhe që është bërë qesharake me Bashën e Bardhin me çelësa në qafë.

Sot e kishte radhën Aldo Bumçi bashkë me Gent Strazimirin të shkonin në mesditë në selinë bosh të PD, që sikurse tha Bardhi një ditë më parë është në rikonstruksion të plotë, ndaj është e mbyllur me brava e çelësa të cilësisë së parë.

Hajde e merre vesh se nga hyjnë punëtorët që po bëjnë rikonstruktimin, pasi nga tarraca sipër nuk është parë ndonjë helikopter që t’i hedhë nga lart. Apo ku kanë takuar sot numrin dy të ambasadës amerikane në Tiranë. Por kjo është punë e PD.

Megjithëse dhe për ne si shqiptarë, na dhemb shumë teksa shohim se sa qesharake është kthyer partia më e madhe opozitare në vend, që në një vend normal aspiron për të qënë alternativë qeverisëse dhe pse jo dhe nesër në pushtet. Gjë që duket se është një utopi tashmë për PD-në!

Palët në konflikt në PD kanë “ngecur” në kauzën e vetme të përballjes, atë të “pushtimit” të selisë së PD, a thua se kjo do të shënojë dhe ardhjen në mënyrë automatike në pushtet të partisë së dytë më të madhe në vend.

Sali Berisha qëndron në idenë e tij se “grupi i rithemelimit” i dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit të vitit të kaluar dhe i zhvilluar në stadiumin “Air Albania” ka të drejtën e drejtimit të kësaj partie deri më 22 mars kur të zhvillohet kuvendi që do zgjedhë strukturat e forumet drejtuese të PD.

Për këtë arsye, Berisha e ka bërë të qartë se mbi 44 mijë “përmbaruesit” sipas tij, anëtarësia e PD që vendosi me referendumin e 18 dhjetorit “shkarkimin përfundimtar të Bashës nga drejtimi i partisë”, ka të drejtën e “pushtimit” dhe të qëndrimit në zyrat e slisë qëndrore të PD. Ndërsa e ka cilësuar luks të tepërt qëndrimin me zyrë më vete në selinë e PD të “deputetit Lulzim Basha”.

Për këtë arsye Berisha e “grupi i rithemelimit të PD” ia kanë lexuar që në fund të vitit që sapo mbyllëm ultimatumin Bashës te dera e selisë, që të lirojë zyrën më 5 janar, ndërkohë që e kanë kërcënuar se më 8 janar anëtarësia e PD do futet në seli.

Një ultimatum që me sa duket kanë vendosur t’ia lexojnë çdo ditë, deri të shtunën më 8 janar ora 12.00 kur të bëhet një protestë e madhe, kundër qeverisë në dukje, por që në të vërtetë është për dëbimin e Bashës dhe mbështetësve të tij pa asnjë “biletë kthimi” nga selia e PD.

Basha nga ana e tij i është përgjigjur kërcënimeve të Berishës me deklaratën se është gati dhe i përgatitur për gjithçka për të përballuar agresionin e së shkuarës. Njëherësh ka garantuar se nuk do lejojë që PD të mbetet më peng i interesave personale të një njeriu të shpallur “non grata” nga SHBA.

Të gjithë keto deklarata i ka shoqëruar me ndryshimin e bravave, kujtojmë se një pjesë e mbështetësve të Berishës kanë qënë funksionarë të lartë të PD dhe kishin çelësat e zyrave dhe të hapësirave të selisë së PD ndaj janë ndryshuar bravat, si dhe janë bërë disa ndryshime dhe rregullime në selinë qëndrore.

Ky ka qënë  argumenti i mbylljes së derës së selisë së PD, duke lënë jashtë ata që Basha i ka përjashtuar në Kuvendin e 18 dhjetorit, të organizuar prej tij në Pallatin e Kongreseve, në krye të cilëve është Sali Berisha.

Teksa përplasen mes tyre për selinë e PD, duke treguar qartë se kauza e vetme që u ka mbetur tashmë është mbajtja ose pushtimi i godinës, ia vlen të nënvizojmë dhe elementët bazë të kësaj “sfide” mes Berishës dhe Bashës.

Lulzim Basha kërkon ta mbajë me çdo kusht selinë e PD me argumentin se ai është kryetari real i kësaj partie, dhe vetëm me një vendim gjykate mund të nxirret prej saj, qoftë dhe me përmbarim. Dhe këtu Basha është në të gjithë drejtën e Zotit, pasi deri më tani gjykata nuk është shprehur për rregullsinë apo parregullsinë e dokumentacionit të të dy Kuvendeve të PD. Ndaj do ishte normale të pritej deri sa gjykata të shprehej, për të vepruar sipas vendimit të saj. Megjithëse për hir të së vërtetës Basha vetëm çelësat e selisë ka, pasi bazën e partisë e ka ish kryeministri demokrat!

Por Berisha e ka ngutje pushtimin e selisë së PD, për të certifikuar sipas mënyrës së tij, vendimin e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit e referendumit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar ku shkarkuan Bashën dhe shkrinë sekretariatin dhe forumet drejtuese të PD deri më 22 mars të këtij viti, kur zhvillohet sipas Berishës Kuvendi zgjedhor.

Berisha kërkon të tregojë se u shkon të gjitha nismave në fund, për këtë arsye ka “thithur” dhe mbështetës më shumë se Basha në PD, dhe një dështim i akomodimit të tij në seli më 8 janar do ishte një dështim total i filozofisë së tij të marrjes me forcë të asaj që mendon se është e tija.

PD-në e quan pronë të tij, dhe nëse nuk do të dëbojë Bashën me 8 janar nga selia e partisë buzë Lanës, bashkë me këtë dështim do rrëzohej dhe miti i krijuar në PD se ai mund të bëjë çfarë të dojë. Gjithnjë duke e ilustruar me justifikimin se ka shumicën e PD-së me vete!

Prandaj Berisha është gati ta marrë dhe me forcë selinë e PD, pasi nuk ka çfarë humb më. Person “non grata” është shpallur nga SHBA, me shumë gjasë do t’i konfiskohen dhe pjesët e dukshme të pasurisë së tij, apo dhe mund të përballet familjarisht me drejtësinë e re, SPAK dhe Gjykatën e Posaçme. Fundja një pjesë të organit të akuzës së re SPAK i ka “shokë lagjeje”, aty ku kanë shtëpinë në Gjirin e Lalzit e shpreson të gjëjë “pipëzat” me ta për të “kaluar lumin” përkohësisht. Gjithnjë nëse i shpëton “mbulimit” të SHBA, që monitoron rreptë drejtësinë e re shqiptare!

Berisha është në rolin e atij plakut të moçëm që thoshte se: “puna ime ka një të keqe dhe një të mirë. E keqja është se nuk më pyet më askush dhe kjo dhemb. Por ngushëllohem me të mirën që ka kjo punë, se as unë nuk pyes për askënd”! Dhe e keqja më e madhe është se “plaku Berisha” ka më shumë ndjekës në PD se “rioshi Basha”, i cili madje ka alergji nga takimet me bazën e PD.

Ndaj ajo që mund të themi është se Berisha e ka përllogaritur qartë, që më 8 janar me zor apo me hatër do fusë njerëzit e tij në selinë e PD për ta “pushtuar”, duke sjellë në këtë rast dhe dëbimin e Bashës e mbështetësve të tij nga kjo seli. Shoqëruar dhe me ndërrim bravash kuptohet. Nuk përjashtohen dhe përplasjet, të paralajmëruara nga njerëzit e Berishës ditë pas dite, në përpjekje për t’ia lënë këtë “faturë” Bashës. Duke postuar dhe foto të fortësh dhe “kapuçinësh” që sipas Berishës dhe mediave afër tij, janë instaluar nga Basha brenda selisë së PD. Por i dërgon mesazhe kërcënuese dhe kryeministrit Rama, kuptohet, për të mbajtur larg organet ligjzbatuese.

Ndërsa degradon në këtë far feje partia më e madhe opozitare në Shqipëri, ajo që mund të themi është se si me Berishën brenda selisë ashtu dhe jashtë saj, apo Bashën të akomoduar në zyrat e reja të ristrukturuara bukur dhe me xhama që pengojnë pamjen nga jashtë brenda apo të dëbuar për në Holandë, PD ka marrë fund. Kauza e saj ka degraduar në çështje godine e selie, dhe përplasjesh për çështje ordinere.

Hyrja e Sali Berishës, me dhunë ose me tinguj muzike në selinë qëndrore buzë Lanës më 8 janar, është gozhda e fundit në “arkivolin” e PD. Vajtje-ardhjet e mbështetësve të tij nga data 5 janar e deri më 8 janar, janë thjeshtë kortezhet e ceremonisë së “vdekjes” politike të partisë së parë opozitare dhe më të madhe aktualisht në vend.

Kjo nuk ndalet më, pasi situata ka degraduar deri në elementin më të fundit dhe në mënyrë të pakthyeshme, pasi Basha s’ka fuqi, ndërsa Berisha ka fuqinë, por negative dhe të dëmshme për PD dhe për shqiptarët, fuqi të cilat ndonëse të “karantinuara” për momentin nga “non grata” amerikane, do kenë efekte në të ardhmen jo fort të largët për opozitën.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?