Ministrat e Bashkimit Evropian pritet që të mbështesin pezullimin e një marrëveshjeje të vitit 2007 me Moskës, që i jep trajtim preferencial kërkesave të rusëve për viza, raportoi Financial Time, duke cituar zyrtarë anonimë të përfshirë në bisedime.
Këto raportime më 28 gusht vijnë teksa shtetet lindore të bllokut kanë kërcënuar se në mënyrë të njëanshme do të mbyllin kufijtë për turistët rusë, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po vazhdon. Ministrat e BE-së pritet të japin mbështetjen e tyre politike për marrëveshjen për lehtësimin e vizave BE-Rusi gjatë takimit dyditor në Pragë, që nis më 30 gusht, thanë për Financial Times tre zyrtarë të përfshirë në bisedime.
“Është e papërshtatshme që turistët rusë të bredhin nëpër qytetet tona, në portet tona”, tha një zyrtar i lartë i BE-së, i përfshirë në bisedime.
“Ne duhet të dërgojmë një sinjal te populli rus se lufta nuk është në rregull, nuk është e pranueshme”.
Pjesë të marrëveshjes për lehtësimin e vizave të vitit 2007 me Moskës që lidhen me lëvizjen e lirë të zyrtarëve qeveritarë dhe biznesorë, janë pezulluar pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Financial Times raportoi se një pezullim më i gjerë i marrëveshjes do të hiqte trajtimin preferencial për rusët që aplikojnë për të gjitha vizat e vendeve të BE-së. Rusët më pas do të duhej të ofronin dokumente shtesë, duke i bërë vizat më të kushtueshme dhe duke e rritur edhe periudhën e pritjes për marrjen e vizës, raportoi FT.
“Ne jemi në një situatë të jashtëzakonshme që kërkon hapa të jashtëzakonshëm. Ne duam të shkojmë përtej pezullimit të lehtësimit të vizave”, tha një zyrtar i lartë i BE-së për FT, duke shtuar se ashpërsimi i kritereve për marrjen e vizave do të prezantohej në fund të vitit.
Disa shtete anëtare kanë kërkuar veprime që do t’iu pamundësonin rusëve të zakonshëm që të udhëtonin në BE me viza turistike. Këto masa janë kërkuar me qëllim të ndëshkimit të Moskës. Republika Çeke dhe Polonia ndaluan lëshimin e vizave për turistët rusë pak kohë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës. Këto dy shtete kanë qenë të zëshme në kërkesën që BE-ja të prezantojë një ndalesë të plotë, diçka që edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga blloku evropian. Polonia dhe shtetet e Baltikut që kufizohen me Rusinë kanë sugjeruar se janë të gatshme që të ndalojnë rusët e pajisur me viza turistike që të hyjnë në territoret e tyre, duke u thirrur në përjashtimet e sigurisë kombëtare që përmban marrëveshja e Shengenit.
Finlanda – që ndan një kufi prej 1.335 kilometrash me Rusinë – gjatë këtij muaji tha se nga 1 shtatori do të reduktojë për 90 për qind vizat që do të lëshojë për turistët rusë.
“Vizat turistike nuk do të ndalohen plotësisht, por numri i këtyre llojeve të vizave që do të lëshohen, do të reduktohet ndjeshëm”, tha për gazetarët, ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto.
“Kjo nënkupton se llojet e tjera të vizave – vizat për familjarët, vizat për vizita të familjarëve, për punë dhe studime – do të duhet më shumë kohë dhe kritere që të lëshohen”, tha ai.
Sipas transmetuesit publik, Yle, Finlanda shqyrton rreth 1.000 aplikime për viza nga rusët në ditë.
Megjithatë, nuk ka pasur konsensus në mesin e 27 shteteve anëtare për këtë çështje dhe disa shtete kanë vazhduar të lëshojnë viza turistike, duke iu mundësuar rusëve që të udhëtojnë në gjithë zonën Shengen. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është pajtuar se është e rëndësishme që të sanksionohen personat e afërt me presidentin rus, Vladimir Putin. Por, ai ka thënë se evropianët “duhet ta kuptojnë se ka shumë njerëz që po largohen nga Rusia sepse ata nuk pajtohen me regjimin rus”. Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, tha se “mezi pres që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët evropiane lidhur me atë se si të kufizojmë numrin e turistëve rusë në Evropë”.
“Por, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje e përbashkët, ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e ndonjë marrëveshjeje rajonale midis shteteve që janë më të prekura nga numri i madh i turistëve rusë që abuzojnë me mikpritjen evropiane”./REL