FIRENZE - U desh java e pestë e Serie A që Raffaele Palladino të shijonte fitoren e parë në stolin e Fiorentinës. "Vjollcët" fituan 2-1 me përmbysje kundër Lazios, në një ndeshje me dy fytyra, shumë raste dhe të këndshme për t'u ndjekur.
Dueli në "Artemio Franchi" nisi në ekuilibër, me dy skuadrat që kërkonin të studionin skemat e lojës. Megjithëse me disa raste shënimi, goli i parë i ndeshjes u shënua na Gila i Lazios në minutën e 41-të.
Në zhvillimet e një këndoreje dhe pas një pasimi nga Tavares, mbrojtësi ia doli që me kokë të mposhtte De Gean dhe t'i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Me nisjen e fraksionit të dytë, Palladino hodhi në fushë Albert Gudmundsson më vend të Martinez dhe islandezit do i duheshin vetëm tre minuta për të shënuar golin e barazimit nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas rezultatit 1-1 të dyja skuadrat kërkuan golin e epërsisë, çka do vinte vetëm në minutën e 90-të. Sërish Gudmundsson nga penalltia u tregua i saktë dhe Fiorentina përmbysi 2-1 për të marrë fitoren e parë sezonale pas tre barazimeve dhe një humbjeje. Me gjashtë pikë skuadra nga Firenze ngjitet për momentin në vendin e dhjetë.
Ndërkohë Lazio pëson humbjen e dytë sezonale, teksa siglon edhe dy fitore dhe një barazim. Me shtatë pikë Lazio mban pozitën e shtatë.