Pas rinovimit të traktatit të ekstradimeve me SHBA-në, Shqipëria ka firmosur marrëveshjen e ekstradimit edhe me Spanjën. Marrëveshja u firmos një ditë më parë nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Report Tv mëson ekskluzivisht se mes dy vendeve do të aplikohet ekstradimi i ndërsjellë në fazën e hetimit dhe gjykimit, përfshirë edhe krimet qe lidhen me korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Pengesë deri më tani për ekstradimet ka qene kodi penal spanjoll, që nuk njeh dënimet dhënë në mungesë, por ngërç që u kalua.
Pjesë e marrëveshjes mes dy vendeve është edhe transferimi i të dënuarve shqiptarë në Spanjë dhe anasjelltas. Transferimet do të kryhen mbi bazë të pëlqimit të të burgosurve dhe jo me detyrim.
Vendimi për marrëveshje ne ekstradimit me Spanjën u mor në mbledhjen e qeverisë më 29 shtator.
"Nëpërmjet kësaj marrëveshje të re me Spanjën. Eliminojmë një pengesë ligjore mes dy vendeve, që ka të bëjë me rezervën ligjore me të cilën Shqipëria ka ratifikuar për moslejimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas. Eliminohet kjo. Me Spanjën, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin e shqiptarëve drejt Spanjës dhe anasjelltas. Një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar që kryen një krim në Spanjë nuk gjen strehim në Shqipëri, apo një spanjoll që bën krim në Shqipëri, nuk mund të strehohet në Spanjë. Nuk një shifër të saktë në këtë drejtim, sepse marrëveshja e ekstradimit që i hapëm rrugë sot përfshin gjithë zinxhirin e bashkëpunimit në fushën penale, si hetimin paraprak edhe të dënuarit me vendim të formës së prerë’’, tha ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, pas mbledhjes së qeverisë.