Është 23 vjeç, por Angelo Tafas duket sikur ka një jetë mes shtyllave. Portieri shtatëlartë i ka dhënë lamtumirën Kukësit pas katër vitesh në klub dhe mbajtjes së shiritit të kapitenit.
Me verilindorët që sezonin e ri do jenë pjesë e Kategorisë së Parë, tanimë kanë nisur edhe "firot" e para. Kapiteni dhe një ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, Tafas nuk do jetë më pjesë e klubit duke i falenderuar të gjithë për katër vitet e kaluara në ekip.
"Dua t’ju informoj të gjithëve se nuk jam më pjesë e F.K Kukësit. Kisha nderin dhe kënaqësinë këto 4 vite të isha lojtar dhe kapiten i kësaj skuadre. Dua të falënderoj F.K Kukësi dhe familjen Gjici për besimin e dhënë dhe të gjithë tifozët për përkrahjen gjatë kësaj kohe. Falënderime për trajnerët, bashkëlojtarët dhe bashkëpunëtorët e tjerë në klub", thotë mes të tjerash 23-vjeçari.
I lindur në Athinë, Tafas u bashkua në 2020 me Kukësin nga grekët e Ionikos Nikeas, për t'u bërë pikë fikse e formacionit. Tanimë ai do jetë në fokusin e shumë klubeve, për vetë sigurinë dhe cilësitë e treguara në portë. 40 ndeshje luajti Tafas sezonin që lamë pas për verilindorët, duke theksuar se ka qenë pesë herë mes shtyllave edhe për Kombëtaren U-21.