Fizikantja shqiptare Eva Dyrnjaja sjell në shqip një libër që i dedikohet fizikantit austriak Erwin Shrëdingerit (Erwin Schrödinger) nga biografi John Gribbin. Në libër zbulojmë se si në “Revolucionin kuantik” të Shrëdingerit ndërthuren studimet e tij shkencore, njohja me Anjshtajnin dhe shkencëtarë të tjerë, jeta dhe dashuritë e tij të mëdha, që edhe në ditët e sotme duken histori të pabesueshme. Dyrnjaja në një intervistë për “ReportTV” rrëfen se ndonëse jetën e saj ia ka kushtuar shkencës së fizikës, duke qenë pjesë e një nga qendrave më të rëndësishme kërkimore në botë, Institutit Atomik në Austri, kësaj here ka vendosur të marrë rolin e përkthyeses, duke sjell në shqip librin “Ervin Shrëdinger dhe Revolucioni Kuantik”.
“Mua ky libër më pëlqeu shumë. E dashurova, sepse jeta e Shrëdinger-it ishte e jashtëzakonshme ashtu siç është dhe vepra e tij. Fizika kuantike apo revolucioni kuantik nuk mund të kuptohet pa kontributin e Erwin Schrodinger, Pol Dirak dhe Werner Heisenberg”, rrëfen fizikantja.
Më tej Dyrnjaja shton se Erwin Schrodinger dhe Anjshtanjeni fillimisht ishin miq, ndërsa me zhvillimin e mekanikës kuantike u bënë kundërshtar.
“Aq sa Shrëdinger thoshte, se: “Nëse do ta dija, nuk do ta zbuloja kurrë atë ekuacion të mallkuar”. Ndërsa, me ardhjen e Hitlerit në fuqi, emri i Shrëdinger dhe Albert Anjshtajnit u fshinë nga Akademia e Shkencave, sikur ata mos të kishin jetuar kurrë. Ai ndryshe nga Anjnshtanji nuk ishte hebre, por ishte antikoformist. U largua nga Vjena, se pati shumë peripeci. Kishte bashkëshorten, një të dashur me një vajzë, që duhet që t’u siguronte jetesën. Ato i mbështeti deri në momentin e fundit”, shpjegon fizikantja shqiptare.
Erwin Shrëdinger rrëfen më tej Eva Dyrnjaja kishte një personalitet të jashtëzakonshëm dhe figura e femrë në jetën e tij kishte një ndikim shumë të madh, jo vetëm në jetën personale, por edhe atë shkencore.
“Ai pretendonte në dorëshkrimet e tij, se gjatë gjithë kohës ishte i dashuruar. Nuk kishte se si mund të ndodhte ndryshe me një personalitet të tillë, që nuk i zbatonte rregullat. Ai nuk kishte nevojë të shfaqej, e njihte potencialin e tij edhe nuk kishte nevojë të dukej. Ai vinte nga një familje relativisht e pasur, por gjatë viteve ‘20 familja e humbet pasurinë. Ky ishte një moment prekës, sepse i ati duke parë suksesin e Shrëdinger-it, kërkonte që mos t’i futej biznesit, por të ndiqte karrierën akademike në universitet, sikundër edhe ndodhi”.
VIDEO/Intervista e plotë me fizikanten shqiptare Eva Dyrnjaja
Një nga pjesët interesante të librit është edhe përmbledhja e tij "Ç'është jeta"? Një studim që i përket biologjisë molekulare bërë 10 vite para zbulimit të strukturës se dyfishte të ADN-së.
“Edhe për mua kjo ishte surpriza! Edhe pse unë jam në institutin e Atomit në Vjenë, Erwin Shrëdinger dhe ekuacioni i tij është ‘bibla’ jonë, por nuk e dija këtë aspekt të jetës së tij, kontributin e tij në zbulimin e ADN-s James Watson, Francis Crick. Edhe ata vet në intervistat e shumta që kanë dhënë, ja dedikojnë veprës së Shrëdinger, “Ç’është jeta?”. Këtë e ka bërë kur ka jetuar në Dublin në Irlandë, ku jetoi për 18 vite duke i shpëtuar regjimit nazist. Edhe kjo është një anë, po aq brilante e jetës së tij, sepse ai u vu kundër regjimit të asaj kohe”.
Fizikanti austriak Erwin Shrëdingerit në vitin 1933 arriti të fitojë çmimin “Nobel”, por jo përmes eksperimentit me “Macen në kuti”.
“Ky është një eksperiment imagjinar, sepse në të vërtetë s’ka ndodh kurrë, por ka marrë çmimin Nobel për ekuacionin e tij të valës, që i bashkëngjitet grimcës, bashkë me Pol Dirak dhe Werner Heisenberg. Këta dy të fundit vinin me teorinë e matricave, ndërsa ky me ekuacionin e valëve”.
Eva Dyrnjaja rrëfen edhe jetën se saj si fizikante, jetën me bashkëshortin shkencëtar Peter Kregsamer dhe lidhjen e saj me gjuhën shqipe.
“E dashuroj punën që bëj edhe fizikën, e quaj veten me fat, që m’u dha mundësia të studioj në një nga universitete më të mira të Vjenës, ku edhe vet Erwin Shrëdingerit ka dhënë kontribut. Peter Kregsamer vjen nga një fizikë tjetër, e rrezeve x. Në këtë aspekt kemi fizika të ndryshme. Gjuhën e ka ruajtur deri më sot, sepse këtu kam prindërit edhe shumë njerëz të dashur, që më bëjnë ta dua këtë vend, të dua edhe gjuhën shqipe. Do të ishte e pafalshme për mua, që mos të isha në gjendje që të flisja gjuhën shqipe”.
Fizikantja shqiptare përfundon se lexuesit përmes biografisë së shkruar nga John Gribben do të arrijnë që të shkojnë në zemër të revolucionit kuantik, që jo vetëm shpjegon botën mahnitëse të mekanikës kuantike, por që është themel në të gjithë shkencën moderne.