Policia e Lushnjës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy tifozët e Tiranës pjesë e "Tirona Fanatics", të cilët të mërkurën hodhën në fushën e "Roza Haxhiut" flakadanë dhe mjete piroteknike, të cilat sollën lëndimin e tre lojtarëve të Vllaznisë në momentin që këta të fundit po festonin golin e katërt.
Pas lëndimit, Mala mori ndihmë të specializuar në spitalin e Lushnjës, ndërkohë që Vllaznia reagoi më vonë duke thënë se pati probleme me dëgjimin. Sipas njoftimit të policisë, tifozët janë dy 19-vjeçarë.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë/Hodhën lëndë piroteknike në stadiumin "Roza Haxhiu", gjatë një ndeshje futbolli, procedohen penalisht 2 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për një rast të hedhjes së lëndëve piroteknike në stadiumin "Roza Haxhiu", gjatë ndeshjes së futbollit “Tirana-Vllaznia”, të zhvilluar ditën e djeshme, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. M., 19 vjeç dhe K. Ll., 19 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga hedhja e lëndës piroteknike u dëmtua lehtë, një futbollist i ekipit të Vllaznisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.