Supersfida e Kategorisë së Parë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit, dy skuadrave me shumë emër në futbollin shqiptar është mbyllur pa fitues, me rezultatin 1-1. Në Korçë të dy golat erdhën në pjesën e dytë, fillimisht vendasit me Temitope, ndërsa miqtë nga Vlora barazuan me Erik Flores. Për pasojë në fund pati zhgënjim te Skënderbeu, që vijon të renditet i pesti me 13 pikë.
“Nëse do flasim me statistika ne kemi bërë më shumë gjuajtje në portën kundërshtare. 2 kanë bërë ata, ndërsa ne 7, por në goditje ata shënuan gol dhe kjo më erdhi keq. Gjithsesi djemtë u përpoqën dhe duhen komplimentuar se bënë ndeshje të mirë,”-u shpreh Migen Memelli, trajner i Skënderbeut.
Ndërkohë pika e fituar i mjaftoi Flamurtarit për të ruajtur kreun e tabelës.
“Në këtë kampionat është shumë e rëndësishme të marrësh pikë në transfertë. Skënderbeu luajti shumë mirë, por ne në pjesën e dytë e rritëm nivelin. Tani do vijojmë me objektivin tonë për të dalë në Superligë dhe ky barazim na mban në vendin e parë,”-tha Marcelo Troisi, trajner i Flamurtarit.
Pas 9 javësh kampionat Flamurtari kryeson me 18 pikë, po aq sa Dinamo ndjekëse, por vlonjatët kanë avantazhin e ndeshjeve direkte.