FMN: PS të shfrytëzojë mazhorancën në Kuvend për të shpejtuar reformat

30 Janar 2019, 07:58| Përditesimi: 30 Janar 2019, 12:00

  • Share

Më 23 janar, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përfunduar konsultimet, në përputhje me Artikullin 4, me Shqipërinë për ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2018. FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë po njeh ritme më të shpejta vitet e fundit, pasi vendi po përjeton pasoja pozitive nga reformat e ndërmarra, por edhe nga zgjerimi ekonomik i partnerëve të tij evropianë. Për vitin 2018, rritja vlerësohet në 4.2%, që mendohet se do të mbetet në këtë nivel edhe në vitet e ardhme, në sajë të eksporteve më të mëdha, turizmit, investimeve në infrastrukturë.  

Politika

Në perspektivën e integrimit në BE, si një faktor i fuqishëm, qeveria e Partisë Socialiste është në pozita të shëndosha për të ecur përpara me reforma, theksohet në raportin e Fondit. Ku shtohet se ngociatat për aderim në BE janë planifikuar të fillojnë nga qershori 2019, pas vlerësimit të ecurisë së një progresi të përshtatshëm në reformat parësore. “Sfida është, shton FMN, që të përdoret mazhoranca në Parlament dhe mjedisi pozitiv i jashtëm për të përshpejtuar reformat strukturore me objektiv nxitjen e rritjes, që do të mundësonin një afrim më të shpejtë me vendet e BE dhe të ulte tendencat për të emigruar nga vendi. Reformat kyç përfshijnë forcimin e drejtimit të institucioneve të ligjit dhe atyre ekonomike, heqjen e pengesave për kursime dhe investime më të mëdha nga privatët dhe uljen e borxhit publik”.     

Situata ekonomike

Fondi Monetar konstaton se në muajin tetor Shqipëria arriti të emetojë një Eurobond me vlerë 500 milionë euro, në një afat maturimi shtatëvjeçar, me interest ë favorshëm prej 3.5 përqindësh. FMN vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë po njeh ritme më të shpejta vitet e fundit, pasi vendi po përjeton pasoja pozitive nga reformat e ndërmarra, por edhe nga zgjerimi ekonomik i partnerëve të tij evropianë. Për vitin 2018, rritja vlerësohet në 4.2%, që mendohet se do të mbetet në këtë nivel edhe në vitet e ardhme, në sajë të eksporteve më të mëdha, turizmit, investimeve në infrastrukturë.  

Megjithatë, FMN rekomandon uljen e mëtejshme të deficitit fiskal dhe përshpejtimin e pakësimit të borxhit publik, duke parashikuar rritje të ndjeshme të të ardhurave.

Borxhi

Ndërkohë, drejtuesit e institucionit financiar ndërkombëtar tërheqin vëmendjen lidhur me faktin se borxhi publik është i lartë, “ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin”. Duke sugjeruar se parandalimi dhe kontrolli i detyrimeve të prapambetura kërkon forcimin e parashikimit të të ardhurave (duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së), menaxhimin e likuiditetit dhe përmirësimin e kontrolleve të angazhimeve për investimet veçanërisht nga Autoriteti Rrugor.

Të prapambeturat

FMN konstaton një fenomen negative të përsëritur: “Vonesat në shlyerjen e shpenzimeve buxhetore – më së shumti të lidhura me rimbursimet e TVSH-së, pagesat e qeverisë qendrore për ndërtimin e rrugëve dhe [faturat e papaguara] të qeverisjes qendrore – përbëjnë një problem të vjetër për Shqipërinë”, thekson raporti.

Fondi Monetar Ndërkombëtar këshilloi qeverinë shqiptare të shlyejë pa vonesë rreth 24.5 miliardë lekë fatura të prapambetura, të cilat janë akumuluar përgjatë tre viteve të fundit, duke paralajmëruar se këto fatura përbëjnë një borxh të fshehtë në masën 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe duhet të llogariten si borxh.

Koncesionet

FMN deklaron se mirëpriti ndryshimet e planifikuara në legjislacionin e PPP-ve për të rritur rolin e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një mbikqyrës për koston potenciale të PPP-ve si një hap i parë pozitiv. Do të ishte kritike që të sigurohet vlera e parave përmes një procesi ofertimi konkurrues për të gjithë projektet duke ndaluar kështu pranimin e ofertave të pakërkuar. Nga ana tjetër, shpenzimet vjetore të qeverisë të lidhura me PPP-të parashikohet që të mbeten nën kufirin ligjor prej 5 për qind. Ky tavan lë shumë pak vend për PPP të tjera të financuara nga qeveria veçanrisht duke pasur parasysh nevojën për të inkorporuar risqet nga detyrimet potenciale.

Por, “rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e GDP-së (që mbulon më shumë se 220 projekte, përfshirë koncesionet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje), në buxhetin e 2019-ës dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të GDP-së”. Thënë ndryshe, këtë vit koncesionet me Partneritet Publik-Privat parashikohet të arrijnë në një total sa 46 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?