Sali Berisha

Opinion

Foltorja apo llogorja Berisha?

15 Tetor 2021, 14:05| Përditesimi: 15 Tetor 2021, 14:07

  • Share

Sali Berisha, deklaron para dhe pas çdo takimi në qytetet e vendit, se “kjo nuk është foltorja ime, por foltorja e demokratëve”. Mendoj se ajo është llogorja e Sali Berishës. Prej andej, Doktori po “grushton” Lulzim Bashën , pasuesit e tij, DASH-in, dhe ambasadoren amerikane. Prej llogores (dhe jo foltores) Berisha po ngre akuza dhe denoncime të qena dhe të paqena ndaj Lulit, Ramës, ambasadorëve, dhe emrave të veçantë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej llogores, Berisha, po ngre zërin, dhe po jep kushtrimin për të zaptuar me forcë Këshillin Kombëtar të PD, prej llogores ai po kërkon me forcë dhe presione largimin e Lulit, duke e quajtur atë “një kryetar i thyer”.

Fjalimet me tone të ngritura, dhe folklorizmat e Sali Berishës, realisht kanë krijuar një situatë kaotike brenda Partisë Demokratike. Ai duket i vendosur të nisë dhe çojë deri në fund “revolucionin demokratik”, nën pretendimin se “duhet të shpëtojmë nga pengmarrja partinë, dhe ti kthejmë asaj dinjitetin”. Foltorja e Berishës, mbetet sfida ndaj një vendimi të mirëmenduar nga ana e SHBA-së. Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit, që ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, sillet si bajraktar, jo vetëm për fatin e forcës tij politike, të cilën e përdori maksimalisht sa ishte në pushtet, por edhe për fatet e  vendit.

Në raste të tilla, kur një ish-zyrtar i lartë i shtetit, sillet si ozurpator dhe bën thirrje flagrante për “mobilizim të anëtarësisë për të zaptuar zyrat e partisë”, vihet në punë drejtësia. Dhe faktikisht, bazuar në dosjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, organet e drejtësisë së re, duhej të ishin më aktive, lidhur me rastin në fjalë. Nuk mund të tolerohen veprime të tilla që bien ndesh me ligjin, indipendencën e partive politike, dhe sigurinë publike. Në foltoren e Sali Berishës, ne kemi dëgjuar personazhe të ndryshëm, që bëjnë thirrje deri për të “rrëmbyer kallashin në rast se është nevoja”, dhe kjo ka ndodhur para kamerave.

Duke treguar gjoja “gatishmërinë ndaj Doktorit”, elementë me të shkuar kriminale, mund të jenë kontingjenti i vetëm që fërkojnë duart në situata të tilla. Sali Berisha, e ka ngritur tanimë “llogoren” (dhe jo foltoren) e tij, nga ku po godet me ashpërsi Lulin, Ramën, dhe cilindo që quan “armik të partisë”. Historia e dekadave të kaluara, ka treguar se Berisha është i gatshëm të bëjë hatanë për të ruajtur të paprekura interesat e tij, dhe kjo gjë po tentohet edhe tani. Lufta e tij apo siç shprehet ai “beteja për të rikthyer PD atje ku ishte”, mbetet  në thelb agresion verbal  ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një kundërshtim banal ndaj vendimit të DASH, që e shpalli atë “non-grata”, me akuza direkte. Llogorja e Sali Berishës, nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e mendimit dhe demokracinë perëndimore. Retorika e tij,tregon falcitetin e “foltores” nga ku ka drejtuar bateritë e sulmeve jo vetëm ndaj Lulit, por indirekt edhe ndaj SHBA-ve,duke deklaruar  gjatë fjalimeve të tij, insinuata të patolerueshme ndaj partnerit tonë stradegjik.

Gjithsesi, mbetet detyrë e anëtarësisë së Partisë Demokratike, të zgjedhin mes “foltores”dhe “llogores” së Sali Berishës, që nesër të mos zhgënjehen ashtu  siç  ka ndodhur shpesh në këto 30 vjet me lidershipin e partisë tyre.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?