Një vit më parë Shqipëria krenohej me peshëngritësen e talentuar Enkileda Carja, e cila u shpall kampione Evrope për të reja në stilin e shkëputjes. Pa harruar 3 medaljet e arta dy vite më parë në Evropianin e moshave deri në 15 vjeç. Mirëpo situata tani, edhe pse ka kaluar pak kohë, është e trishtë. Trajnerja e sportistet, Eglantina Kalemi, ka njoftuar se Enkileda nuk ka marrë pjesë në Evropianin U-20 që po zhvillohet në Poloni, pasi federata s’ka fonde për 16-vjeçaren.
E ndërkohë që në Poloni zhvillohej kampionati Evropian, Enkileda në Tiranë vijoi stërvitjen, duke arritur një rezultat që sipas trajneres, nëse do kishte qenë atje do kishte siguruar medalje. Siç tregon edhe kjo foto e siguruar nga Report TV Enkileda e ka përjetuar shumë keq mungesën në kampionatin Evropian, ndërsa nëse do të ishte në Poloni lotët mund të ishin gëzimi.
Megjithatë në një reagim në rrjetet sociale Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka hedhur poshtë akuzat e trajneres së Enkiledës. Ajo shkruan se në testimet e kryera 1 muaj para aktivitetit, që është rënë dakord me vetë trajneren, Enkileda Carja nuk ka patur rezultatet e duhura për të marrë pjesë në Evropianin U-20. Sipas FSHP-së, referuar deklarimeve paraprake që bëhen për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare, Evropiani në këtë rast, Enkileda nuk do arrinte medalje dhe si pasojë e një rregulli të brendshëm është vendosur të mos shkojë në Poloni.
Federata e Peshëngritjes shkon më tej, duke akuzuar trajneren se po përpiqet të hedhë baltë për faktin se në muajin nëntor janë zgjedhjet e federatës. Megjithatë në mes të kësaj është sportistja, e cila në disa raste ka bërë krenar Shqipërinë.