Foto-Video/ MDMA dhe ketaminë nga Europa drejt Izraelit nëpërmjet Greqisë, çmontohet klani i narkotrafikut! 8 të arrestuar dhe 103 kg drogë me vlerë 2,5 mln euro

14 Gusht, 12:10| Përditesimi: 14 Gusht, 12:39

  • Share

Një rrjet narkotrafiku u shkatërrua në një operacion ndërkombëtar mes Greqisë dhe Izraelit.

Media greke raportoi lajmin ditën e sotme (14 Gusht), duke iu referuar informacioneve zyrtare të policisë, teksa 8 persona u arrestuan dhe u publikuan pamje nga ndërhyrja e agjentëve.

Të ndaluarit janë 4 ukrainas, 3 izraelitë dhe një etiopian, ndërsa fitimet e paligjshme vlerësohet se arrijnë në 2.5 milionë euro. Gjatë aksionit u sekuestruan 53 kg MDMA, 50 kg ketaminë, dy rulota dhe 14 kamionë.

Operacioni u krye nga Nëndrejtoria e Prokurorisë për Narkotikët pranë Drejtorisë së Sigurisë së Atikës, në bashkëpunim me autoritetet izraelite. Droga trafikohej nga vendet perëndimore, me destinacion Bullgarinë dhe aty nëpërmjet rrugëve të përcaktuara të trafikut, kaloheshin në Greqi dhe më tej në Izrael.

“Organizata kriminale ishte aktive në furnizimin, transportin dhe importimin dhe fshehjen e lëndëve narkotike në territorin grek, si dhe në transportimin e mëtejshëm të tyre në mjete lundruese me destinacion Izraelin”, raportoi “Skai” grek.

“Plani i organizatës ishte të siguronte drogë ( MDMA , ketaminë ) nga vendet e Evropës Perëndimore, t’i transportonte ato në Greqi nëpërmjet Bullgarisë dhe në fund t’i sillte në Izrael me varka me vela”, vijon media greke.

Operacioni që çoi në arrestimet e tyre u krye mëngjesin e sotëm në kampingjet, dhomat e qirasë dhe portin e Volos, raporton “Protothema”.

Një nga të ndaluarit, 44-vjeçar, që cilësohet si drejtues, dyshohet se kishte marrë përsipër koordinimin-planifikimin e aksionit të kundërligjshëm, rekrutimin e anëtarëve, gjetjen e drogës dhe dërgimin në Izrael.

Tre anëtarë të tjerë, 34, 35 dhe 39 vjeç, ishin përgjegjës për marrjen e drogës në Greqi dhe koordinimin e transportit të tyre në Izrael, marrjen me qira të një varke dhe fshehjen e substancave në të,

Katër anëtarë, 37, 38, 38 dhe 39 vjeç, ishin përgjegjës për marrjen e drogës jashtë vendit dhe importimin e saj në Greqi nëpërmjet Bullgarisë, me karvanë, në të cilat i fshihnin. Transporti bëhej edhe nëpërmjet varkave me vela, deri në Izrael.

Një pjesë e drogës ishte e sistemuar në çanta sportive të fshehura në mjetet e transportit të bllokuara, kurse pjesa tjetër e ngarkesës në bidonë të karburantit për mjetet lundruese ose të transportit.

Droga e sekuestruar në Greqi

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?