TIRANE - Rreziku i infektimit të mundshëm deputetëve me virusin covid-19 ka bërë që mazhoranca të mos caktojë një datë për mbledhjen e Kuvendit, për miratimin e nëntë akteve normative anti-covid-19 të qeverisë, akte të cilat janë shqyrtuar dhe miratuar nga komisionet parlamentare. Konferenca e Kryetarëve, në mbledhjen e datës 27 mars, caktoi vetëm datat e mbledhjes online të komisioneve parlamentare, por jo të seancës plenare. Por, Konferenca e Kryetarëve, në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën 30 mars deri 17 prill 2020, ka vendosur vetëm afatin brenda të cilit duhet të miratohen aktet normative të qeverisë, bazuar në nenin 101 të Kushtetutës, sipas të cilit aktet normative humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve. Ndërkaq mbetet për t’u parë mënyra e mbledhjet së Kuvendit. Që pas masave të jashtëzakonshme për kufizimin e përhapjes së koronavirusit, Konferenca e Kryetarëve dhe Komisionet Parlamentare janë zhvilluar online, për të evituar kontaktet e afërta, në zbatim të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore. Edhe përfaqësuesit e qeverisë i kanë mbrojtur dhe sqaruar aktet normative online. Deri më sot vetëm një deputet ka deklaruar se është prekur nga koronavirusi, konkretisht Adriatik Alimadhi.
Kalendari i punimeve të Kuvendit
1. Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 2, datë 11.03.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 15/2016 “”Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 25 prill 2020
2. Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 29 prill 2020
3. Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 4, datë 16.03.2020 “Për disa shtesa në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 30 prill 2020
4. Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 5, datë 17.03.2020 “Për një shtesë në Aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 1 maj 2020
5. Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020”.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 5 maj 2020
6. Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 23.03.2020 “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve”
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 7 maj 2020
7. Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 8, datë 24.03.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 8 maj 2020
8. Akti normativ me fuqinë e ligjit nr. 9, datë 25.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta në fushë e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19””.
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 8 maj 2020
9. Akti Normativ me fuqinë e ligjit nr. 10, datë 26.03.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar””
Shqyrtim në seancë plenare brenda datës 10 maj 2020