Sali Berisha dhe Ilir Meta

Frrok Çupi: Amerikën po e fusnin në kurth këtu në Tiranë

25 Janar 2023, 09:12| Përditesimi: 25 Janar 2023, 09:15

  • Share

As që u shkonte mendja këtyre të lëvizjes politike Antiamerikane të Tiranës se do t’u ndodhte kjo që u ndodhi dy herë në pesë ditë. E para u ndodhi kur Struktura e Posaçme Kundër Krimit të urdhërojë hetim dhe verifikim të pasurisë së dy krerëve të ‘Lëvizjes’, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

E dyta, ndodhi që të hidhej në dosjet e Hetimit një provë e re e vrasjes shtetërore të 21 Janarit 2011, ku të dy krerët e Lëvizjes janë përsëri kryesorë.

Të dy këta ish-shefa të lartë të shtetit, sapo kishin ngritur një kurth ku do të binte fuqia që ka ngritur Amerika në rajon. E keni vënë re se që ditën kur ra ‘bomba’ e parë e verifikimit të pasurive, këta nuk po dinë nga t’ia mbajnë. Aq më keq, rihapja e dosjes së vrasjeve të 21 Janarit ku të dy janë ‘Siamezë’, i ka vënë në pozitat e liga të atyre komandantëve që i lënë ushtarët duke pritur urdhrin ‘kundër Amerikës!’.

Cili ishte kurthi?

Parulla politike e Berisha- Metës se ‘Ne i dalim zot vendit…, në rrezik’, paraprinte lëvizje ‘sovraniste’ që nënkupton nxjerrjen e vendit nga influencat amerikane dhe ‘sovranizëm’ nën pushtetin e kaosit. Nëse maxhoranca e votuar nuk do të ishte ‘zot i vendit’, atëherë këtë boshllëk do ta zinte kaosi i ndërtuar nga grupimi i ‘zjarrit’.

Një lëvizje e pritshme gjyqësore në Tiranë për arrestimin e Sali Berishës dhe të të birit, që vjen nga dosja e Gërdecit nga verifikimi ose sekuestrimi i pasurisë, do të shoqërohej me ‘luftë guerilase’ rrugëve të Tiranës për të rrënuar rendin dhe stabilitetin në vend. Kjo do të krijonte një ‘copy’ si Meksika para dy javësh, me të birin e El Chappos- trafikantit të madh të burgosur në SHBA. Në rrëmujën e ‘kartelit’ të Meksikës u vranë 29 vetë. Berisha dhe Meta e kanë gati një skenar të tillë, të paktën që nga muaji Maj 2021.

Me këtë rast, Amerika do të tërhiqej në një ‘hendek’ të pavlerë tiranas, por do të humbte vëmendjen në rajon.

Cilat shfaqje u panë dukshëm nga përgatitjet për ‘kurthin’?.

‘Fajkonjtë’ e Berishës nisen të duken rrugëve të Tiranës, kur në fakt janë zhdukur që në verën e vitit të kaluar, kur me sa duket e panë se ‘nuk ka shpresë’. ‘Fajkonjtë’ janë ata që kanë kryer akte terrori, që kanë manipuluar provat e vrasjeve qysh prej Remzi Hoxhës te Kosta Trebicka e deri te 21 Janari 2011. Një sy i lirë mund të vërejë këta ‘militantë’ të betuar të armatosur të Berishës, por sapo këta shfaqen në dritën e diellit, ka ndodhur që pas tyre qëndrojnë ‘të padukshmit’.

‘Lëvizja’ e shkaktuar në Tiranë do të bënte lidhje të menjëhershme me tensionin, e ndoshta luftën, e pritshme në Veri të Kosovës. Lidhjen e konflikteve në Kosovë me luftën e tij në Tiranë, Berisha e ka testuar disa herë. Më e rënda ishte pragu i luftës civile të vitit 1997 me projektin për përplasjen e armatosur të të dy ushtrive kosovare (UÇK dhe FARK).

Ky projekt famëkeq u bë e mundur të neutralizohej me ndërhyrjen e SHBA. Sa e sigurt ishte kësaj here që Berisha- Meta të bënin lidhjen mes ‘ushtrisë’ së tyre në Tiranë me përplasjet në Kosovë, për ta kishin rëndësi vetëm llogaritë e tyre. Por nëse do të ndodhte, atëherë Amerika do ‘t’i zinte duart’ me Tiranën duke lënë mënjanë Prishtinën, ose e kundërta: Duke u impenjuar me Prishtinën e duke u distancuar nga Tirana.

Në të dyja rastet do të ulej vëmendja e Amerikës ( Perëndimit në tërësi) dhe faktori i tretë do të kishte fushë më të lirë në rajon. Këshilli i Sigurisë Kombëtare pranë presidentit të Republikës së Shqipërisë u mblodh menjëherë, duke dhënë sinjalin se ‘kurthi është kuptuar’ dhe se Shqipëria është faktor kryesor sigurie në rajon- siç edhe është definuar nga Shtetet e Bashkuara. Amerika dhe aleatët e BE instaluan në kufirin Serbi- Kosovë një projekt që mund të konsiderohet edhe si ‘Traktat i Paqes’ mes dy shteteve në ‘armiqësi’ në Ballkan. Projekti Francë- Gjermani parashikon vendime, projekte dhe zgjidhje ‘vetëm paqësore’ mes dy shteteve.

Konflikti ka mbetur pas, por jo aq i garantuar në Tiranë sa në Prishtinë.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • nani: 25/01/2023 20:26

    kujdes nga fake news

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?