Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Frrok Çupi: Cili fiton mbi cilin; Berisha, Basha apo Amerika?

24 Shtator 2021, 10:24| Përditesimi: 24 Shtator 2021, 10:28

  • Share

Në këtë mes janë tre, por vetëm dy prej tyre janë ‘homo sapienca’, i treti është fuqi shtetërore. Absurdi se njëri nga humanët, ose të dy bashkë, mund t’ia dalin kundër Amerikës, nuk ka sens… Po haj mo. Sidoqoftë, ka pasur një fitore, ka qenë fitorja fillestare që u kthye në mostër.

Si fitoi Berisha atëherë kundër të gjithëve, dhe si e bitisi?…

Unë e kam ‘prekur’ këtë fitore mes të parëve. Ishte viti 1991. Diku nga ditët e para të qershorit, i ftuar në Shtetet e Bashkuara, vizitova edhe disa institucione, deri Departamentin e Shtetit. Në Uashington na ofruan që delegacioni shqiptar (bashkë me Kadare, Qosja, Mark Krasniqi, Bakalli, Kristo Frashëri) të mbante një foltore në Free Congress Fondation. Punë shumë e rëndësishme. E mbajtëm, e mbajtëm foltoren vetëm me ndihmën e amerikanëve, sepse duhej të kishim rezervuar kohën një vit para- të paktën… Në ato korridore e kam ‘prekur’ fitoren e parë të Berishës. Dikush pyeti: ‘Ah, nga Shqipëria jeni?… Kishim tre shqiptarë para një muaji’- tha, dhe vuri buzën në gaz.

Ndala para tij e nuk po kuptoja. ‘Po- tha- i kishim këtu…, but anyway!’ Bëri me dorë si të thoshte ‘e lëmë këtë, mos e merr për gjë’, dhe vazhdoi.

-Nisën të grinden këtu mes nesh, të tre shqiptarët mes tyre… E pastaj disa amerikanë këtu thanë se ‘kishim tre shqiptarë nga Demokracia: Një komunist, një aventurier dhe një nga rruga!’. Sali Berisha, Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari që formuan delegacionin e parë të PD në Amerikë, u grindën gjithë kohës, madje edhe në avion kur ktheheshin. Këtu e nisi fitoren e parë Berisha brenda PD; dy të tjerët u eliminuan, ndërsa Berisha lufton akoma sot si atëherë.

A do të fitojë përsëri në betejën për jetë a vdekje që ka nisur brenda PD? Të vdekurit kanë mbetur pas, para tij tani është një i gjallë. Bashën e ka zgjedhur Berisha me dorën e vet.

Por a ishte Basha një tutkun, siç e zgjodhi Berisha?

Të gjithë, gazetarë e politikanë, si çamarrokët e fshatit e gjuajtën me gurë Bashën si të ishte një ‘budalla’. Një nga aleatët e Berishës e ka quajtur me inteligjencë të shkallës më pak se zero. Berisha fitoi mbi Bashën, e mori zvarrë zyrë më zyrë, çadër më çadër, molotov te molotov. Nëse do t’i rrezikohej një qime thesarit të tij, Berisha ia besonte ushtrisë së Bashës. Beu u bind se tërhiqte një dele për laku.

Në orën fatkeqe 20:00 të datës 9 shtator 2021, Berisha preku të vërtetën: Lul Basha, me pamjen e ‘tutkunit’, kishte luajtur rolin e  ‘tenjës’ dhe ia kishte ngrënë gjithë stofin ‘babait politik’. Luli kishte bërë vrap në vend, si për t’i thënë se ‘nuk largohem prej teje’. Basha nuk bëri gabimin e Pashkos dhe të Hajdarit që e kërcënuan Berishën se do ta hidhnin nga avioni prej Amerike, por pa bërë zë, Luli hapi dritaren dhe e hodhi vërtet.

Berisha e mbërtheu Bashën në darën e konfliktit brenda në PD. Cili fitoi?

Kjo ishte fitorja e liderit legjendar ndaj krijesës së dobët. Që nga mesnata e 8 marsit 2017, Basha nuk do të merrte më frymë lirisht në PD. Atë mesnatë ai hartoi listat e kandidatëve për deputetë, por la jashtë personalitetet e vjetra e të forta të PD. Në fakt listën e bëri Berisha, por i doli zot Basha. Berishës iu bë se kryetarin legal e mbylli në pranga akoma më fort: Nëse Basha do të bënte ‘gëk’, Berisha do t’i hidhte në kurriz të fortët e përjashtuar prej tij. Sot e kësaj dite Jozefina Topalli me të tjerë i rrinë si fajkua Bashës mbi ‘qivur’. Të gjithë e kanë mendjen ‘zero’ para doktorit dhe as duan ta besojnë se ata i hoqi Berisha, jo Basha.

Basha e pranoi kurthin e doktorit si një ‘ushtar i mirë Shvejk’. Qysh atë ditë, Berisha në vend që të ngarkonte me barrë të rënda ‘birin’ e tij, në fakt i pastroi rrugën. Pa Topallin, Imamin, Kullurin, Patozin, Elezin, Haxhin, etj., Basha e bën më mirë rrugën dhe gjumin. Sot është në pikën më të sigurt: se sikur Berisha me ministrat e tij të vihen në votime, e fundosin PD-në më keq.

Berisha po matet t’i hapë dosjet Bashës. Do të fitojë Berisha?

Berisha deri më sot ka fituar njëmijë beteja duke tundur ‘dosjet’ kundër themeluesve dhe personaliteteve të PD. Kur nuk kanë ekzistuar dosje, i ka sajuar vetë. Tani është radha me Bashën.

Në fillim vetë Sali Berisha deklaroi se ‘Basha ka një dosje’ që ia ka në dorë Amerika. Veglën e vjetër të ‘dosjeve’ Berisha ua lëshoi ndër këmbë ithtarëve të tij që i janë sulur Bashës. Duket se kjo përpjekje dështoi; amerikanët lanë për të nënkuptuar se ‘e dimë, e kemi vetë dosjen e Bashës’. Berisha ‘007’ u detyrua të sprapset. Por më parë ka deklaruar para botës: ‘O budallenj, nuk tërhiqet Berisha, jam Sali Berisha unë!’.

Berisha tani e ka dorën mbi dosjen e 21 Janarit. Atë ditë qeveria vrau 4 protestues para selisë së vet. Ministër ishte Basha, por kryeministër Berisha. Këtu është dilema ekzistenciale: Të rrojë a të mos rrojë! Cili do të rrojë, Berisha apo Basha?! Basha mban në dorë diskun me zërin e Berishës: ‘të qëllohet në mish’. Garda e Republikës, nën ombrellën e Bashës, qëlloi e vrau, por me urdhër të Berishës. Ka të dhëna se edhe hard-diskun e kompjuterit të qeverisë e zotëron Basha, por jo vetë Basha.

Dy ditë pas vrasjeve të kobshme në bulevard, ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, thërriti në takim Bashën. Që atë ditë ai deklaroi se ‘Basha është një yll në ngjitje!’, që po linte në hije Berishën. Ambasadori amerikan i dha Bashës fitoren e Bashkisë Tiranë me 10 vota; po bëhej gati zëvendësuesi i ‘liderit legjendar’. Berisha nuk është inteligjent, është fajkua, por jo i mençur. Po të ishte i mençur, do ta kishte kuptuar se Basha e ka mundur që atë ditë e përjetë.

Po për vjedhjet, në cilën ‘delta’ do të ndalë Berisha?

Lumi i denoncimeve ‘për vjedhje’ ka nisur të vërshojë me qëllim që të përlajë Lulin. Po ku do të ndalet kjo furi?

Ka nisur të thotë se Luli ‘është pasuruar’ gjatë tetë vjetëve. E thotë dhe, pas pak e tërheq fjalën. Jo pse Luli nuk është pasuruar; as pse Luli nuk ka gjithë veset e këqija të Berishës. Edhe Luli ka një kunat që është legjendë korrupsioni. Luli ka Lulin që nuk lë lekë të bjerë përdhè. Veçse është ende një Berishë ‘i vogël’ edhe në këtë fushë të minuar. Berisha i madh nuk guxon më; ky vetë është më i korruptuari në botë. Sali Berisha, një baba katil, i futi fëmijët në krimin e korrupsionit, si asnjë baba në botë. Por gjatë gjithë kohës, edhe Luli hante ‘përshesh’ me fëmijët e Berishës; pinjolli politik i di ku janë lugët dhe paratë.

Luli është rosa që fluturon në hapësirën e Berishës, por ky nuk fluturon në hapësirën e ‘rosës’.

Një përrallë ruse tregon për dyluftimin e shqiponjës me rosën. Shqiponja e pa rosën që u zhyt në liqen dhe doli me gjahun në kthetra. Iu sul, por rosa u zhyt në ujë. Atëherë shqiponja u ngjit deri në lartësinë e diellit, mbylli krahët dhe u sul drejt liqenit si shigjetë. U zhyt thellë e nuk doli dot më. Rosa fluturoi nëpër hapësirat ku jeton shqiponja dhe iu drejtua asaj në liqen: ‘E shikon, unë fluturoj atje ku fluturon ti shqiponjë, por ti nuk noton dot në liqenin tim’. Kështu është mbytur Berisha në ujërat e ‘rosës’ Luli.

Te porta po pret Amerika:

Luli ka kryer rolin e rrallë të ‘karremit’. Berisha, ua thashë se nuk është inteligjent, dhe po ndjek karremin e Lulit. Kryetari i shkuar është betuar se do ta shkarkojë kryetarin e ligjshëm të PD. As statuti, as Kuvendi, as Kongresi nuk i japin mundësi Berishës për të realizuar qëllimin. Ka mbledhur disa njerëz ‘mobile’, i zvarrit nëpër foltore nga rrethi në rreth dhe i gënjen. Po kërcënon se do ta shkarkojë Lulin ‘me një fërshëllimë’. Tregohet se ka në plan të fërshëllejë për militarët. Berisha po simulon krizë, lëngatë dhe konflikt…

… Atëherë këtu shfaqet porta; aty pret Amerika që nuk lejon krizë, që ka në dorë akuzën, hetimin dhe gjykatën. Ky është fundi i ‘shqiponjës’ në liqenin e akullt.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Katarakti: 24/09/2021 08:49

    Sigurisht qe Frrok Cupi eshte pene e forte,por nuk ngjit! Eshte shume i expozuar! Ka te drejte per te gjitha por se c'ka dicka qe calon! Ashtu si Prec Zogaj apo ylli Rakipi dhe Mero Baze u konsumuan shume me Saliun! Berisha eshte fajkua dhe jo i mencur thote Frroku! Jo Frrok eshte malesor dhe kaq e ka aftesine dhe mundesine! Njeriu ne 78 vjet fillon dhe kthehet ne femijerine e tij! Lufte,percarje,kompllote,intriga,prapaskena per keto jane te forte njerez si Saliu! Por ne mendimin tim Saliut ju dha goditja perfundimtare! SHikojeni kur flet dhe do te vini re se eshte fare jashte realitetit! Ilacet qe pi po e vdesin menderisht dhe se shpejti do te kaloje nga trute!Tek njerez si Saliu vdes trupi dhe pastaj uni,egoja e tij! Largohuni sa me pare nga kjo kufome qe e solli Enveri nga malet si fatkeqesi per shqiptaret!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?