Frrok Çupi: Ishat me ishat

18 Mars 2022, 16:13| Përditesimi: 18 Mars 2022, 16:24

  • Share

Dje, më duket dje, u largua ish politikani Brok; erdhi dhe iku si ‘Ish’. Më shumë se ‘politikë’ ky qe akti i fundit e një teatri të vjetër. Na e çuan jetën nëpër skena të grisura dhe vjetërsira. Më duket se do të kthehet prapë, fenomeni, jo Broku. Atëherë do të ndodhë përsëri e njëjta:

Hapet sipari i Teatrit; të gjithë tentojnë të dalin. Skena, e mbushur me fytyrat që ishin: Ish armiq, ish miq, ish të dashur, ish të tradhtuar, ish politikanë… Askush nuk e duron skenën…Vetë mouzeleu i Leninit në Moskë, ka kohë që ka ndaluar vizitat mbi mumjen e Leninit, jo për gjë, por për shkak të shëmtimit…

Teatër përbindësh i vjetërsirave…

Në këtë skenë po tentojnë ta fusin publikun tonë politikanët e falimentuar e të pacipë. Ishat ndodhen në botën e tyre të përtejme, por prapë na shfaqen si gjallesa në stinët e të keqes.

Ja si kësaj here:

Ish kryeministër dhe ish- president, para 10 vjetësh, i paska thënë një gjë Gazpromit të Rusisë që po i ofronte miliarda dollarë…, i paska thënë ‘Joooo!’. Ky tani është shpallur si zyrtari më i lartë i botës i zhytur në korrupsion ‘të madh’. Domethënë se ky ka dy jetë: Atë të përtejme- ku është i ndershëm, dhe këtë jetën këtu- ku minon shtetin me korrupsionin e kryer. Vetëm një regjisor komedie ose këngëtar i psalmeve do ta kishte për zemër këtë skenë. Por ish kryeministri zgjoi një ish marrëdhënie. Fejzbukasit po i sulen e i thonë: ‘Ok, ore, na shet dëngla, ti që i dhe naftë vëllait tënd Millosheviçit’.

Edhe këta merren me ‘ish- Millosheviçin’

Shfaqen Ishat edhe ngrihet revolta alias-sovjetskaja e disa militantëve të pamend. U çuan më këmbë këta të PD dhe i thanë Lul Bashës se ‘Broku  tha të ikësh ti’. U ngrit Jozi, ish anëtare e PD, dhe tha se ‘Amerika ka gabuar me marshallin tonë. Këta mbajnë shpresë te ish- presidenti Amerikan Trump, te ish presidenti Bush i madh dhe ‘i biri’, te ish- sekretarja Hillary… (Ej, o regjisorë të teatrit, ku jeni! Më duket se kjo skenë ka plot plastikë; mos e humbni!).

E gjithë skena mbushet me ‘Isha’. Berisha- ish anëtar tenton të bëhet kryetar; ish- deputetët duan të bëhen deputetë; ish- hajdutët duan të bëhen kryesorë; ish- admirues të Lulit bëhen admirues të tjetrit…

Gjithçka tjetër ndryshon, si në Mouzeleumin e Moskës, por Lenini aty e pranoi shëmtimin e mumjes. Vetëm kjo specie nuk ndryshon kurrë, specia ‘Ish’.

Për shembull marrëdhënia Krok, Sali, Jozi, Hence dhe Tritan…

I katërti në radhë qenka Hence; një burrë i gjatë me syze- e keni parë, edhe ky gjerman, që thotë se është ‘ndihmës i Merkel’. Merkel as e ka parë me sy ndonjëherë. Merkel ka ikur e nuk duket më, por ky është prapë ‘ish këshilltar i Merkel’. Ka qenë një polic i Mbretit Zog në fshatin Shulbatër në Mat, roje te Ura. Iku Zogu, erdhi komunizmi, erdhën kooperativat…, ai prapë te ura në Shulbatëer.

“Po çfarë bën më këtu, mbreti ka ikur me kohë?- i thonin.

‘Mbreti e di se jam polic i tij’, përgjigjej ky dhe bënte detyrën e rojës së urës…

Ky Hence gjerman fut hundët në çdo ‘urë’ e vrimë të politikës shqiptare. Ky është polici i ‘mbretit Tritan Shehu’, asgjë tjetër nuk ka qenë kurrë. Bashkë me Tritanin, ish deputet i PD, kanë hartuar edhe aplikacionet për të dërguar sa më shumë mjekë e infermierë në Gjermani, pastaj kthehen në ‘Shulbater’e i ankohen Mbretit. (Kujto edhe gjermanen Doris Pak, një tjetër ‘Ish’ që rri te ura ku kalojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën dhe i korrigjon me nervozizëm).

Njerëzit nëpër botë nuk kanë duruar ish- burrin, ish- gruan, ish të dashurën, ish- beun, ish- përdhunuesin, ish- dallaveren…, e si u duruakan mumjet e reja të Leninit?!

Krimi hyn mes vetë ‘mumjeve’. Madje po zhvillohet edhe ‘genocidi’ mes tyre; këta e çojnë njëri tjetrin në tundime dhe në vrasje. I fundit që u tundua dhe u ‘vra’ në Tiranë ishte Elmar Krok. Ky ka qenë europarlamentar për shumë kohë, por edhe marifetçi i madh. Në vitin 2010, Kristian Demokratët Gjerman  i kërkuan PE-së që t’i heqë mandatin e deputetit europianist për ‘abuzime financiare’. PE e hetoi dhe nuk mundi ta kundërshtojë akuzën; madje tha ‘po, është e vërtetë’; por shuma e vjedhur është e vogël’’.  Bëhej fjalë për 18 mijë euro që Brok i kishte marrë nga zgjedhësit e tij. Ardhja e ‘ish’ Brok në Tiranë, i nxiti njerëzit që të kërkonin edhe tundimet mëkatare të Ishit.

Njësoj si me Berishën që kujtoi ish- ryshfetin Rus; dhe tani duhet të përgjigjet para Hetimit..

Ja kështu vdesin të vdekurit. Këta nuk kanë mësuar as postulatin e shkurtër e të përjetshëm se ‘i vdekuri me të vdekurin/ i gjalli me të gjallin’.

G.B.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • LORA: 18/03/2022 18:26

    Qofte i bekuar verdikti i shumices se njerzve,qe i sikteris mortjet ne strofken e ish-ave dhe i le aty te kolloqithen me kelliren e depozituar nga bemat e tyre. Nese shenjterimi i votes dhe paprekshmerise se saj garantohet ,nuk mund te kete diktatore dhe tirane ne drejtimin politik te shtetit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?