Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi

Frrok Çupi: Kush e furnizon Monikën?

6 Korrik 2022, 12:16| Përditesimi: 6 Korrik 2022, 12:18

  • Share

Pardje Monika deklaroi se një çift në mëshirë të fatit, njëri 94 dhe tjetri 95 vjeç, kanë blerë tre biznese me 30 milionë dollarë. Biznesi u është shitur pa dijeninë e tyre, me fatura fiktive dhe false (!). Çifti nuk ka asgjë në jetë, jeton në një shtëpi pleqsh, por posedon kompani prej 30 milionë dollarë, me 7 milionë dollarë në llogari bankare.

Duket sikur shikon ëndërr të frikshme, por Monika e dëshmoi me emra. Solli edhe skema të tjera me miliona euro.

A jemi para dilemave makbethiane? T’i besojmë e të rrimë rehat, apo të mos i besojmë dhe të hahemi me veten?…

Të dyja ‘degëzimet’ janë të rëndësishme: Si të besosh, edhe të mos besosh. Nëse nuk janë të vërteta, këto duan një hetim të besueshëm me qëllim që njeriu në këtë vend të vërë kokën në jastëk e të flejë i qetë. Nëse janë të vërteta, janë të vërteta dhe pikë (!). Këtu nis një punë shumë kolosale për të shkulur nga themelet tragjedinë e vjedhjes shtetërore.

Duket se një pjesë e ‘dilemës’ nuk është dilemë, por e vërtetë. Të paktën historia ‘biblike’ e çiftit që jeton sa pa çati mbi kokë, por që posedon biznes me 30 milionë dollarë. Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi janë dy njerëz që mund të preken me dorë; ata dolën në ekran para gjithë botës. Haxhireja foli me gojë… Si të mos besohet? Apo është edhe kjo një aktore e Hollivudit që ka hyrë në lëkurën e një gruaje të lodhur e të manipuluar në Shqipëri? Nuk e besoj.

Çështja tani është në rrugë hetimi.

Por prapa të vërtetës dhe të pavërtetës, që ndodhen së bashku në deklarimet e Monikës, qëndron hendeku i vërtetë ku mund biem pas çdo minute; ku mund të rrëshqasë shteti dhe individi në këtë vend.

Kush e ka shtetin në dorë? E ka shteti në dorë shtetin, apo shtetin e kanë copa- copa secili për vete?

E gjithë fija e shtetit të manipuluar, tërhiqet  duke ndjekur pyetjen: ‘Kush ia solli informatat Monikës?’.

Monika kur lavdëron aktivistët e LSI se ‘i kemi skifterë, shiko çfarë zbulojnë’, në fakt nxjerr zbuluar faktin se hetimet i ka kryer dikush tjetër. Hetimet kanë ardhur në dorën e Monikës, dmth., Ilirit, nga Shërbimi Inteligjent Shtetëror, që quhet SHISH. Këtu shtetit i rrëzohet një pjesë e tij, pjesa që quhet Kolona Inteligjente. Inteligjencia e Shtetit punon për dikë tjetër dhe kundër shtetit kombëtar. Ai ‘dikush’ për të cilin punon SHISH quhen Ilir Meta dhe Monika: Me ‘bombat’ e SHISH këta do të rrëzojnë rendin shoqëror dhe do të marrin pushtetin me dhunë.  Gjatë gjithë periudhës kur presidenti Ilir Meta ka qenë i ndryrë në zyrën e Presidencës, SHISH ka punuar si milingona nën dhè që të mbledhë ushqim ‘luftarak’ për ditën kur Meta del nga salla e presidencës. Dita erdhi, kjo është 24 korrik, pas vetëm 19 ditësh. Meta ka deklaruar se në datën 24 korrik ‘do të më shikoni!’, dmth., do të sulet mbi parlamentin dhe qeverinë dhe do të ndryshojë sistemin, sipas fjalëve të tij. Armët për të rrëzuar shtetin kanë dalë dhe janë depozituar nga vetë përbrenda shtetit, nga kolona e Inteligjencies. E shikoni? Meta është i garantuar se ‘fiton kundër të gjithëve’, edhe kundër Amerikës. Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët.

Në realitet, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), iu detyrohet disa personave të cilësuar, të lidhur njëri me tjetrin, deri te Ilir Meta. Meta ka qenë gjithnjë gjahtar i disa hallkave të shtetit, të cilat i duhen për perversitete në çaste delikatë; SHISH është një prej tyre.

Pse sot e kësaj dite në zyrat e presidencës ndodhet njëri nga shefat e SHISH, Bahri Shaqiri? Ai, sapo la detyrën, është thithur menjëherë nga Meta si ‘shef sigurie’ presidencial. Pas vdekjes së Kujtim Hysenit- ish shef i SHIK, Shaqiri mbetet hallka më e fortë që lidh gjithë ‘historinë’ e SHISH rreth Presidentit e përtej tij. S’ka gjë pse nuk ka ndonjë arsimim, s’ka gjë pse është i përfolur si trafikant njerëzish dhe mallrash…

Si Hyseni kishte të lidhur Shaqirin, edhe Shaqiri ka të lidhur pas vetes shefin aktual Elidon Bendo. Edhe ky s’ka gjë pse nuk ka shkëlqyer kurrë si inspektor i SHISH në Korçë; edhe ky ka dobësi të mëdha si vetë Shaqiri: Nga një familje radikale demokratikase shtiret si i majtë, i etur për të ardhur në Tiranë qoftë edhe me disa dhurata ‘alias socialiste’ siç ishin bidonët me mjaltë ose qengja të therur… Kjo sjellje dihet në publik; por rëndësi ka lidhja e pazgjidhshme jo ligjore e njeriut në krye të SHIK me Monikën dhe Ilirin. Këtej vjen furnizimi ‘për ditën e keqe’.

SHISH sot ndodhet në dorë të Monikës dhe Ilirit. Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët.

A është SHISH një instrument që shikon ‘andej nga lind’?

Kam frikë se këto ditë SHISH po heton mbi shtigjet se nga mund të dalin liderët e lëvizjes antiamerikane, ku janë instaluar Berisha dhe Meta. Nga mund të dalin për t’iu drejtuar Moskës ose Bakusë… Këta ose do të marrin në dorë me dhunë fatet e vendit, ose do të ‘çajnë ferrën’. Dëshmia e Monikës ‘mbi inceneratorët’, na zbuloi se SHISH është në anën e tyre. Lidhjet me agjencitë inteligjente të Lindjes, sidomos UDB, janë të vjetra, të transmetuara në gjithë zinxhirin. Paraardhësi i Shaqirit, Hyseni, njihej thuajse hapur për lidhjet me UDB, madje edhe nga babai. Ai ishte mik i familjes së Sali Berishës dhe i investuar prej tij në krye të Inteligjencies… Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët.

Si guxojnë të akuzuarit Berisha e Meta të dalin në krye?

Pas tre ditësh, në datë 7, kanë deklaruar se do të rrëzojnë kryeministrin. ‘Ik në një qytet tjetër!’, e urdhëron Berisha. ‘Merreni nga Holanda e silleni këtu me forcë!’, deklaron Monika… Edhe pse këta ndodhen nën goditjen e amerikanëve dhe përbuzjen e shqiptarëve, guxojnë.

Kanë arsye? Apo prapë lidhjet?

Shpesh herë njerëzit po mendojnë se SPAK dhe gjithë Drejtësia e re po vonohet shumë. Pse? Nganjëherë, me të drejtë, mendojnë se ‘Berisha e Meta kanë leje të bëjnë çfarë të duan!’ kundër stabilitetit, ligjit dhe individit. Pse? Nganjëherë mendohet se këta e sulmojnë Amerikën sepse e shikojnë të dobët… Nga del kjo? Veç për faktin se kanë në dorë SHISH-in?

Thua të jetë vetëm kjo arsyeja? Apo kanë dorë edhe në SPAK? Edhe në Drejtësinë? Edhe në FARK kanë dorë ende? Edhe në kompanitë e vrasësve me pagesë? Edhe në Moskë?…

Këtej vjen guximi që pas datës 24 ‘të na marrin përpara…’.

Ne nuk dimë akoma cilët instrumente të tjerë të shtetit kanë në dorë të tretët… Monika, me atë provë të vërtetë që nxori, na dëshmoi se një humnerë është e hapur; na hapi sytë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?